Foto nga VCG
Kina është e gatshme të bëjë më shumë përpjekje lidhur me çështjen e fluturimeve në hapësirë, pas ndërtimit të stacionit hapësinor. Kjo shënon një moment historik në fund të kontrollit 3-vjeçar të pandemisë së COVID-19 dhe tregon që Kina po fokusohet te rritja.
Sipas librit blu të publikuar nga Korporata e Shkencës dhe e Teknologjisë Hapësinore e Kinës (CASC), Kina planifikon të lëshojë më shumë se 200 anije kozmike gjatë afro 70 misioneve në hapësirë sivjet.
Ky plan ambicioz mund të forcojë më tej aftësinë e Kinës në risitë teknologjike dhe eksplorimin hapësinor. Ai tregon që projektet hapësinore të Kinës po futen në fazën pas COVID-19. Pandemia ka penguar disa programe dhe ka ndikuar në procesin e komunikimit dhe zinxhirin e furnizimit, tha në një forum në vitin 2021 kryetari i Akademisë të Teknologjisë së Mjeteve të Lëshimit të Kinës (CALT), Wang Xiaojun.
Foto nga VCG
Të mërkurën, Agjencia e Fluturimeve Hapësinore me Astronautë e Kinës bëri të ditur që shkencëtarët kinezë planifikojnë të zhvillojnë dy misione me astronautë dhe një ose dy lëshime anijesh kozmike mallrash në hapësirë çdo vit për në stacionin hapësinor kinez. Pas përfundimit të ndërtimit në fund të vitit 2022, sivjet stacioni hapësinor është futur në fazën e aplikimit dhe zhvillimit, që parashikohet të zgjatë për më shumë se një dekadë. Raketat mbartëse “Marshimi i Madh”, sipas planit, këtë vit do t'i kalojnë 500 lëshimet qysh nga fillimi i funksionimit të tyre në vitin 1970.
Jiang Xu punon në departamentin e montimit dhe inxhinierisë mjedisore të Akademisë të Teknologjisë Hapësinore të Kinës. Ai thotë që në dekadën e kaluar, zhvillimi i çështjes hapësinore të Kinës pati përparim të madh me montimin e suksesshëm të çdo anijeje të re kozmike. “Në çdo anije kozmike ka pasur një sërë përparimesh kyçe teknologjike dhe përbërës më të qëndrueshëm dhe më të përparuar të krijuar brenda vendit,” thotë Jiang.
Në vitin e parë pas ndërtimit të plotë, stacioni hapësinor do të jetë dëshmitar i më shumë misioneve në hapësirë.
Në maj, anija kozmike "Tianzhou-6" do të niset për t'u lidhur në portën e pasme të modulit kryesor të stacionit hapësinor kinez, që përbëhet nga tre module dhe dy anije kozmike. Ky mision do të ofrojë furnizim të sendeve të përdorimit të përditshëm, të përbërësve për mirëmbajtjen e stacionit, mostra të ngarkesave dhe lëndë shtytëse për funksionimin e stacionit.
Foto nga VCG
Po atë muaj do të organizohet edhe misioni me astronautë i anijes kozmike "Shenzhou-16", që do të lidhet me portën rrezore të modulit kryesor, duke krijuar një kombimin prej tre modulesh dhe tre anijesh kozmike.
Në tetor është planifikuar misioni me astronautë i anijes kozmike "Shenzhou-17", që do të lidhet me portën e përparme të modulit kryesor.
Ekuipazhet e anijeve kozmike "Shenzhou-15" dhe "Shenzhou-16" do të bëjnë shumë ecje hapësinore këtë vit. Për herë të parë, “ne do të shohim që njerëzit dhe mallrat të dalin së bashku jashtë mjeteve kozmike,” tha zv.komandanti i sistemit të përgjithshëm të stacionit hapësinor kinez, Jing Zheng.
Krahas këtyre, edhe dy krahë robotikë që lidhen me stacionin hapësinor do të mbështesin instalimet hapësinore për herën e parë.
Jing u shpreh që sistemi i stacionit hapësinor do të mbështetë jo vetëm integrimin dhe montimin, por edhe sistemin e mbështetjes në Tokë me një sistem hapësinor digjital dhe plane të zgjeruara.