Mëkëmbja e spikatur e ekonomisë kineze favorizon shumë vende
2023-02-16 17:01:47

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Edhe pse në tregun ndërkombëtar ka pasur luhatje të shpeshta e të ndërlikuara, në mbarë botën ka një qëndrim optimist lidhur me rolin e Kinës për stabilizimin e ekonomisë globale.

 

Pak ditë më parë Agjencia Ndërkombëtare e Energjetikës (IEA) u shpreh që ekonomia kineze mund të ketë mëkëmbje më të fuqishme sesa parashikimi dhe kjo do të shtojë kërkesën për naftë e gaz natyror. “Parashikojmë që sivjet kërkesa globale për naftë do të rritet me afro 2 milionë fuçi dhe kërkesa nga Kina pritet të zërë gjysmën e këtij niveli,” u shpreh drejtori ekzekutiv i IEA-së Fatih Birol.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në rrethanat kur ekonomia e vendeve perëndimore ndodhet në kufirin e recesionit, rritja e shpejtë e Kinës do të jetë një fuqi e rëndësishme mbështetëse për tregun ndërkombëtar të naftës sivjet.

 

Drejtori i investimeve i degës së Kompanisë DWS për Azi-Paqësorin, Sean Taylor, u shpreh në mënyrë të figurshme që ekonomia kineze “do të ngrihet në fluturim” në vitin 2023. Në tremujorin e 4-t të vitit 2022, rritja e ekonomisë kineze arriti në 2.9 %, që ishte mbi parashikimet e tregut. Ai parashikon që sivjet rritja ekonomike e Kinës do të kthehet në 5 % dhe kjo do të mbështetë rritjen e kërkesës për naftë në tregun ndërkombëtar.

 

Krahas kësaj, analistë të shumtë besojnë që mëkëmbja e ekonomisë kineze do të stimulojë importin e naftës e të gazit natyror, të ushqimeve e të mallrave të tjera të paambalazhuara, çka do të favorizojë shumë vendet e ndryshme.

 

Agjencia e lajmeve “Reuters” njoftoi më 7 shkurt se banka qendrore kanadeze ka deklaruar që, në gjysmën e parë të vitit 2023, ekonomia e Kanadasë ndoshta do të hyjë në gjendje amullie, e madje edhe në recesion. Por analistët mendojnë që mëkëmbja e shpejtë e Kinës mund të stimulojë importin e mallrave të paambalazhuara nga Kanadaja dhe kjo mund ta ndihmojë Kanadanë të realizojë një ulje të butë ekonomike. Kryeekonomisti dhe drejtori menaxhues i Grupit Financiar të Bankës së Montrealit, Douglas Porter, u shpreh që për Kanadanë, rihapja e Kinës pas pandemisë ka “më shumë rëndësi të qartë pozitive” sesa për vendet e tjera.

 

Krahas Kanadasë, edhe Brazili mund të favorizohet nga rihapja e Kinës. Gazeta braziliane “Shteti i Sao Paulos” publikoi një artikull, ku thuhet që, si partnerja kryesore tregtare e Brazilit, mëkëmbja ekonomike e Kinës ka shtuar pritshmëritë e palëve të ndryshme te ekonomia dhe tregu financiar brazilian. Ndërsa analisti i kompanisë së konsultimeve “Quantzed” Fabio Fares u shpreh që kompanitë që merren me biznes dhe eksport për në Azi do të sigurojnë shumë përfitime nga rritja ekonomike e Kinës.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Edhe Australia do të favorizohet nga mëkëmbja e Kinës. Banka “J.P Morgan” thotë në raportin e saj që Kina është konsumatorja më e madhe e sektorit turistik dhe arsimor të Australisë. Rihapja e Kinës do të nxitë zhvillimin e sektorit të shërbimeve në Australi. Mëkëmbja e sektorit turistik pritet të kontribuojë për 0.5 % të rritjes së GDP-së të Australisë dhe kthimi i studentëve kinezë në këtë vend do ta shtojë 0.4 % GDP-në e saj.

 

Gazeta hongkongase “South China Morning Post” botoi më 6 shkurt një artikull, ku thuhet që rihapja e Kinës në fillim të këtij viti mund të mbështetë ekonominë e rajonit.

 

Duke cituar njoftimet e mediave vietnameze, agjencia japoneze e lajmeve NNA shkroi në uebsajtin e vet zyrtar që, falë kërkesës gjigante nga tregu kinez, çmimi i frutës tropikale durian në Tiền Giang të Vietnamit është trefishuar krahasuar me një vit më parë.

 

Shoqata e Studimeve mbi OBT-në e Kinës (CWTO) analizon që Kina, si një partnere e rëndësishme tregtare e 140 vendeve të botës, është importuesja më e rëndësishme e mallrave të paambalazhuara dhe një importuese e madhe e shërbimeve, si ato në fushën e turizmit dhe arsimit. Mëkëmbja e ekonomisë kineze pa dyshim do t’i japë stimulim tregut global dhe do të shtojë forcën e stabilizimit të ekonomisë botërore. (Jiang Lei)