
Foto nga VCG
Organizata Botërore e Shëndetësisë u kërkon qeverive dhe shoqërisë civile të punojnë së bashku për të siguruar shpërndarjen ndërkufitare të ndihmave humanitare midis Turqisë dhe Sirisë dhe brenda vetë Sirisë.
Drejtori për Europën i OBSH-së, Hans Kluge, i konsideroi tërmetet si fatkeqësinë më të keqe natyrore në rajon në një shekull dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të të gjitha palëve për dhënien e ndihmave, shkruan “Xinhua”.
“Nevojat janë të mëdha, duke u rritur çdo orë. Rreth 26 milionë njerëz në të dy vendet kanë nevojë për ndihmë humanitare”,- tha Kluge gjatë një konference për shtyp.
Turqia ka pësuar viktima kataklizmike, nënvizoi Kluge, me më shumë se 31.000 të vdekur dhe 100.000 të plagosur për shkak të tërmeteve. Një milion njerëz të tjerë vlerësohet të kenë humbur shtëpitë e tyre dhe aktualisht jetojnë në strehimore të përkohshme.
Ndërkohë, pothuajse 5000 persona kanë vdekur në veriperëndim të Sirisë përtej kufirit dhe numri i viktimave pritet të rritet.
OBSH-ja paralajmëroi gjithashtu se kishte shqetësime në rritje për rreziqet shëndetësore që lidhen me motin e ftohtë, higjienën dhe kanalizimet dhe përhapjen e sëmundjeve infektive.
Ndërkohë, me 80.000 persona të shtruar aktualisht në spital, sistemi shëndetësor turk është nën një presion të madh, pasi pësoi dëme të konsiderueshme në katastrofë.
OBSH-ja ka nisur një apel për 43 milionë dollarë amerikanë për të ndihmuar në përgjigjen ndaj tërmetit dhe Kluge tha se kjo shumë ka të ngjarë të dyfishohet në ditët në vijim për shkak të shkallës së madhe të nevojës.
Sipas Kluge, fondet do të përdoren për të ndihmuar më të cenuarit duke ofruar kujdes për traumën, ilaçe thelbësore dhe mbështetje mendore dhe psiko-sociale. Ai theksoi se shuma do të përdoren gjithashtu për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve rutinë shëndetësore. (Elona)
