MBZHR dhe UBT, trajnim të rinjve drejt transformimit digjital të bujqësisë
2023-02-16 10:10:27

Foto nga ATSH

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë njoftuan çeljen e një programi të shkurtër trajnimi për të rinjtë, i zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe agrobizneset e suksesshme të Shqipërisë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, tha se ky program i shkurtër trajnimi fokusohet në agrobiznesin dhe zhvillimin e aftësive digjitale të bazuara në treg, citon “ATSH”. Studentët nga Universiteti Bujqësor i Tiranës kanë të drejtë të aplikojnë dhe të marrin pjesë në këtë nismë. Thirrja do të jetë e hapur nga data 15 shkurt deri më 1 mars 2023.

Në takimin e zhvilluar në mjediset e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ku morën pjesë akademikë, studentë, sipërmarrës, dhe drejtues të përfaqësisë së FAO-s në Shqipëri, ministrja Krifca theksoi potencialin e sektorit të agroindustrisë në ekonomi dhe mundësitë e punësimit në zonat rurale të Shqipërisë.

“Me këtë synim dhe frymëzim, shpallim nismën tonë më të re”, theksoi ministrja Krifca. Sipas saj, ky program integron dy nga objektivat më thelbësore: së pari, integrimin e brezit të ri në sektorin e bujqësisë, ngritjen e kapaciteteve në qasje teorike dhe praktike për ta bërë biznesin e tyre të suksesshëm dhe së dyti, komponentin e forcimit të digjitalizimit në bujqësi. (Elona)