Bardha Alimeta është një artiste që jeton e punon në Librazhd dhe nëpërmjet artit të saj shpreh shpirtin e brishtë, por të fortë të gruas shqiptare, që ngrihet mbi çdo mendësi e paragjykim. Ajo, mes shumë përpjekjesh, sfidash e barrierash, na jep shembullin më të mirë se puna, pasioni, përkushtimi dhe dashuria për gjërat që i do fort, bëjnë të mundur çdo sukses. Bardha është drejtuese e shoqatës “Gruaja ndryshe”, autore e disa librave, aktiviste dhe pjesëmarrëse në shumë konferenca e seminare. Ajo ka botuar pesë libra me poezi dhe prozë si dhe ka çelur tre ekspozita vetjake në pikturë. Në një intervistë për Radio Ejani Bardha tregon për punën e saj si aktiviste në mbrojtje të të drejtave të grave, pasionin për pikturën dhe letërsinë si dhe aktivitetet e zhvilluara.
CMG: Ju jeni drejtuese e një shoqate në mbrojtje të të drejtave të grave, ku keni organizuar mjaft aktivitete. Si nisi ky rrugëtim me shoqërinë civile?
Bradha Alimeta: Gjithmonë duhet të fillojmë se nga kemi nisur në gjërat e vogla, por që janë të mëdha. Unë gjithmonë kam një retrospektivë për të ecur, pasi kjo është një analizë se nga ku kam nisur dhe asnjëherë nuk kam harruar se ku e kam filluar. Fillimet e mia kanë qenë si koordinatore në organizatë, ku mora eksperiencat e mia. Gjithmonë vullnetarizmi im ka qenë diçka që ka ardhur instiktivisht sepse unë kam dashur të kontriboj dhe kur gjeta këtë shoqatë që ma ofron një mikja ime, e kam pritur me shumë dashuri që të punoj aty. Prej një kohe gati 3 vjeçare si koordinatore në shoqatën e problemeve sociale për gratë, më lindi ideja që të realizoj projektet dhe idetë e mia duke krijuar shoqatën time. Në vitin 2004 unë themelova shoqatën “Gruaja ndryshe” në Librazhd, një shoqatë e cila për vite me radhë bëri shumë aktivitete përsa i përket grave, kategorive të ndryshme njerëzish dhe falë projekteve të mia dhe bashkëpunimit me miqtë tanë të cilët vazhdimisht më kanë ndihmuar që unë të kem akses për të zhvilluar projekte të tilla që i kanë ardhur në ndihmë komunitetit.
CMG: Ju jeni dhe piktore dhe keni hapur disa ekspozita. Si lindi pasioni për pikturën?
Bardha Alimeta: Kam bindjen që asgjë nuk është rastësore dhe mendoj se njeriu gjatë rrugëtimit të tij zbulon dhe vlerat që ka dhe mundohet që t’i tregojë ato nëpërmjet punës. Unë gjatë kohës që kam drejtuar shoqatën “Gruaja ndryshe”, më vonë u futa në rrugën e artit dhe njeriu nuk mund të marrë dhe të bëjë shumë role. Kështu që mendoj se në punën time në shoqatë organizova disa panaire të trashëgimisë kulturore dhe besoj se dhe arti më ndihmonte për t’i bërë ato të bukura. Në vitin 2009 fillova si përgjegjëse e qendrës sociale të personave me aftësi ndryshe dhe aty për herë të parë mora pjesë në një ekspozitë të përbashëkt për të nxjerrë në pah vlerat e fëmijëve me aftësi ndryshe. Ky ishte një emocion shumë i madh që ekspozita e parë unë guxova ta bëj duke bashkëpunuar me fëmijët, më tepër për t’u dhënë kurajo dhe për të tërhequr publikun se çfarë bëjnë fëmijët me aftësi ndryshe, sepse ata janë të talentuar. Unë vërtetë u ndjeva mirë dhe kuptova që ajo ishte një gjë shumë e mirë dhe mund ta vazhdoja rrugën time të artit, e cila në fakt nuk ka nisur në vitin 2009, por qëkur isha fëmijë. Prirjet e mia kanë qenë letërsia dhe piktura dhe kam luajtur katër vite në teatër sepse kishim mundësinë në atë kohë të bënim art. Kjo më ndihmoi që më pas të fitoja konkursin për pikturë në Elbasan në vitin 1984-85, gjë që më dha të drejtën të studioj në degën e pikturës. U shkëputa për një kohë nga arti sepse rrjedha e gjërave ndryshoi, por kurrësesi nuk hoqa dorë nga pasioni im për pikturën.
Në vitin 2009 ajo nisi si dëshirë për t’u dhënë fëmijëve me aftësi ndryshe mundësinë për të treguar aftësitë e tyre, por aty zbulova që dhe unë kisha nevojë për këtë promovim, që pastaj nuk do të ndalesha dhe do të vijonte me ekspozitën “Pranverë pandemike” në kushtet e izolimit. Unë doja të vija me një mesazh për të përcjellë tek njerëzit ato vlera pozitive që gjithëkush nga ne i ka, por që duhet të rrezatojnë dhe për të tjerët.
CMG: Para pak kohësh keni hapur dhe një ekspozitë pikture në ambjentet e presidencës. Si u prit kjo ekspozitë nga të pranishmit?
Bardha Alimeta: Unë pasi hapa ekspozitën “Pranverë pandemike”, e cila bëri jehonë e saj, menjëherë pata një ftesë nga presidenca për ta hapur atë në oborrin e presidencës. Isha vërtetë shumë e lumtur sepse ishte një ftesë shumë miqësore, por kush nuk do të donte të shpaloste artin e vet në një nivel tjetër. Jam ndjerë vërtetë shumë mirë dhe aty mora vlerësim edhe nga artisti i madh, piktori Buron Kaceli i cili pati dashamirësinë të referonte për artin tim, gjë që mua më rriti përgjegjësitë si artiste për ta marrë tashmë seriozisht artin.
Më pas kisha një ftesë në Pogradec, ku u paraqita jo vetëm si piktore por edhe si letrare, ku mora vërtetë emocione të jashtëzakonshme nga njerëzit dhe mbështetja që më dha emocionalisht. Pra shtysa për të vazhduar vjen pikërisht nga ekspozita në ekspozitë dhe më vonë duke u bërë pjesë e disa ekspozitave të ndryshme si në Prishtinë apo dhe në SHBA ku pata mundësinë të le pesë punimet e mia. Kështu që unë jam duke vazhduar, arti është i pafund.
CMG: Një grua aktiviste që është edhe piktore, por dhe keni botuar disa libra. Si i bëni bashkë punën tuaj si aktiviste, pikturën dhe letërsinë?
Bardha Alimeta: Unë kam dhe një fat që pasionet e mia janë të lindura, por gjithësesi unë i kam ushqyer ato duke vënë veten në punë sepse nuk mjaftohesh me talentin. Mendoj se çdo artist duhet të punojë fort për të arritur ato kërkesa që arti ka dhe që koha i kërkon. Megjithatë njeriu kur do të punojë nuk e bën dallimin midis natës dhe ditës. Unë mendoj që duke qenë dhe familjare, duke pasur dhe angazhime në familje dhe në punë, unë jam përpjekur që të gjejë kohën për artin. Për mua letërsia është zhvilluar pothuajse në orët e vona të natës, ato janë ndoshta dhe ndjesitë e mia që kanë ardhur në moment sepse unë kam gjithmonë një laps dhe letër për t’i shkruar, dhe kjo është gjë e mirë. Por, mua më vjen natyrshëm dhe unë shkruaj kur e ndjej, kur kam diçka të bukur, kur ngacmohem nga natyra apo elementë socialë dhe faktorë që ndikojnë në jetën e çdo njeriu, por aftësia e një artisti është që t’i hedhë ato në letër apo tabllo, kështu që ai bën këtë kryevepër.
CMG: Cilat janë botimet që keni sjellë për lexuesit dhe si janë pritur ato?
Bardha Alimete: Unë në fillim kam dalë me një vëllim poetik të titulluar “Botë që nuk e ndjej”. Në fakt në atë kohë isha shumë e turbullt dhe e paqartë me veten dhe pikërisht ky libër prandaj ka atë titull, por që u prit mirë nga lexuesit. Kjo më dha impakt për të vazhduar me vëllimin e dytë me poezi “Shpirti im më përket mua”. Pastaj vazhdova me librin “Nostalgji e hidhur”, ku kam punuar gjatë sepse ishte një libër me tregime dhe aty më është dashur që të thellohem, të futem në personazhe për të nxjerrë një libër që vërtetë. Unë e dua shumë sepse ngjarjet janë marrë nga jeta reale, ku flitet për rolin e femrës dhe emancipimin e saj. Në këtë libër unë jam përpjekur që çdo grua të gjejë veten. Tani jam duke punuar për një libër tjetër. Unë nuk i kam qëllim gjërat, por ato vijnë ashtu vetë dhe unë dua që të sjellë diçka të bukur.
CMG: Cilat janë planet tuaja të afërme në lidhje me krijimtarinë artistike dhe atë letrare?
Bardha Alimeta: Pa u shkëputur nga puna ime e përditshme me personat me aftësi ndryshe, e cila është një punë që mua më forcon si njeri dhe më ka bërë më njerëzore, duke parë sfidat e fëmijëve me aftësi ndryshe dhe përballjet e tyre, energjitë e mia janë më të mëdha dhe duhet të punoj shumë më tepër sepse ato fëmijë mua më japin kurajo dhe më frymëzojnë. Plani im më i afërm është një ekspozitë e përbashkët me të gjitha zonjat që janë në Kosovë dhe vendet e huaja, ku ne kemi rrjetin tonë që bashkëpunojmë dhe ndoshta do ta sjellim këtë ekspozitë në Librazhd, e para ekspozitë që do të jetë në këtë qytet në bashkëpunim me të gjitha zonjat, dhe po vazhdoj me librin që jam duke shkruar.
Intervistoi: Gazmend Agaj