Shefi i ndihmave të OKB-së kërkon sigurimin e strehimoreve dhe ushqimit për Sirinë e goditur nga tërmeti
2023-02-15 14:31:08

Foto nga VCG

Shefi i ndihmave të OKB-së ka bërë thirrje për sigurimin e ushqimit dhe strehimit si nevoja urgjente për njerëzit e prekur nga tërmeti në Siri.

Martin Griffiths, nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Humanitare dhe koordinatori i Ndihmës Emergjente, tha se plani tani është të mbulojë tre muaj nevoja humanitare në Siri, citon “Xinhua”.

“Tani urgjenca është sigurimi i strehimit, kujdesi social, ushqimi, shkollimi dhe një ndjenjë e së ardhmes për këta njerëz. Ky është detyrimi ynë”,- u tha ai gazetarëve në Aleppo, pasi vizitoi vendet e dëmtuara nga tërmetet e 6 shkurtit.

Në lidhje me situatën në zonat e kontrolluara nga rebelët në provincën veriperëndimore të Idlibit, Griffiths tha se ngarkesat e kamionëve me furnizime ndihmash po lëviznin gjithashtu nga Turqia në Sirinë veriperëndimore.

Ai vlerësoi reagimin ndërkombëtar të kërkim-shpëtimit ndaj tërmetit si të pashembullt në histori, duke shtuar se dëshiron të shohë të njëjtën gjë për nevojat humanitare.

Kombet e Bashkuara bënë të ditur të premten se tërmeti në Siri kishte zhvendosur 5.3 milionë njerëz. (Elona)