Foto nga VCG
Dhimbje koke, të vjella, djegie të syve ... njerëzit po vuajnë në mjedisin e ndotur nga rrjedhja e gazit helmues dhe shumë kafshë kanë ngordhur. Këto nuk janë pamje nga ndonjë film katastrofash, por janë gjërat që po ndodhin në Palestinën Lindore të shtetit Ohajo të ShBA-së.
Afro dhjetë ditë më parë, një tren doli nga shinat dhe shkaktoi një zjarr të madh. Sipas mediave, dhjetë prej rreth 50 vagonave të dalë nga shinat kishin lëndë kimike helmuese, pesë nga të cilat, që përmbanin klorur vinilik të koncentruar, kishin rrezik të shpërthenin. Departamenti vendor i emergjencave mori vendim që të bëhet “lëshimi i kontrolluar” i gazit helmues, duke evakuuar banorët përreth. Tre ditë më pas, autoritetet përkatëse i njoftuan banorët që mund të kthehen në shtëpi, duke pretenduar që dalja e trenit nga shinat nuk shkaktoi ndotje. Por në mediat sociale janë postuar shumë fotografi tronditëse nga vendi i aksidentit, që tregojnë zjarr dhe tym, ndërsa nga larg mund të shihet një re gjigante në formë kërpudhe. Nga këto foto njerëzit filluan të shohin gjendjen serioze të shkaktuar prej aksidentit.
Tani, disa banorë të kthyer kanë simptoma të ndryshme, e po ashtu edhe kafshët në zonat përreth shfaqin shenja helmimi, si kollë, diarre, lotim dhe humbje oreksi. Publiku po pyet se sa e ka dëmtuar mjedisin ky aksident dhe çfarë masash do të merren nga qeveria amerikane dhe kompania hekurudhore. Por deri tani, masat dhe reagimet janë zhgënjyese.
Foto nga VCG
Sipas të dhënave nga kompania që zotëron trenin e dalë nga shinat, lëndët kimike helmuese që mbartte ky tren përfshijnë jo vetëm klorurin vinilik, por edhe butoksietanol-2, akrilat izooktil dhe metilpropen. Mirëpo qeveria amerikane deri tani ende nuk ka publikuar nivelin e lëshimit të gazit helmues. Pas shpërthimit, kloruri vinilik mund të lëshojë fosgjen, që është përdorur si armë kimike në Luftën e Parë Botërore. Ekspertët amerikanë vënë në dukje që, nëse nuk digjet plotësisht, kloruri vinilik mund të çlirojë edhe dioksinë, që është më helmuese dhe mund të ekzistojë për shumë vjet nën tokë. Eksperti i materialeve të rrezikshme nga Ohajo, Sil Cagiano, mendon që ndodhja e këtij aksidenti do të thotë “shkatërrim i qytezës me lëndë kimike” dhe pas 5-20 vjetësh, mund të ketë shumë raste pacientësh me kancer.
Po ashtu, mediat amerikane kanë bërë njoftime të çuditshme mbi këtë çështje. Më 3 shkurt, kur ndodhi aksidenti, u dhanë vetëm disa njoftime të zakonshme, ku thuhej që ekspertët po bënin hetime. Ndërsa më 8 shkurt, një gazetar që po njoftonte drejtpërdrejt u ndalua nga policia, me arsyetimin që transmetimi i drejtpërdrejtë po pengonte konferencën e shtypit të guvernatorit të Ohajos.
Foto nga VCG
Krahas kësaj, gazeta britanike "Guardian" vuri në dukje se sektori hekurudhor i ShBA-së prej kohësh ka vendosur fitimet mbi sigurinë dhe ky aksident ka zbuluar të metat që ekzistojnë në këtë sektor.
Grupi Mediatik i Kinës komentoi që ky është një aksident që mund të shmangej dhe që solli një sërë rreziqesh e dëmesh të pallogaritshme. "Qeveritarët kanë për detyrë respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e jetës, por politikanët amerikanë dhe grupet e interesit që qëndrojnë pas tyre duket që janë mësuar të dëmtojnë interesat publike për interesat e tyre private. Përpara rreziqeve të paparashikueshme, disa banorë në Palestinën Lindore të shtetit të Ohajos janë detyruar të largohen,” thuhet në këtë koment, duke shtuar që dalja e trenit nga shinat i ka hequr ShBA-së “veshjen” e të drejtave të njeriut.