
Foto: RTSH
Shqipëria e sheh Bavarinë si portën e Ballkanit Perëndimor për në Republikën Federale të Gjermanisë. Ky ka qenë vlerësimi i bërë nga kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin e landit të Bavarisë, Markus Söder, në Tiranë.
Në këtë takim, Rama ka nënvizuar se është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit mes të dy vendeve, me theks tek ekonomia, citon “RTSH”.
“Kryeministri ka ardhur këtu jo vetëm me pjesën e qeverisë, por edhe me përfaqësues të sipërmarrjes së ekonomisë së Bavarisë, si dhe me dëshirën dhe vendimin për të hapur një zyrë të Bavarisë për të zhvilluar sipërmarrjen në Tiranë”- tha Rama.
Në këtë takim është folur edhe për hapjen e një shtëpie kulturore të Bavarisë në Tiranë.
Ndërsa kryeministri i landit të Bavarisë, Markus Söder, u shpreh se do të mbështesë Shqipërinë në rrugën e BE-së, duke nënvizuar se do të punohet në disa drejtime.
“Kemi të bëjmë me një lidhje historike mes dy vendeve tona, kur Europa është më e fortë me Ballkanin Perëndimor. Të bëjmë të mundur që Shqipëria, që ka zhvilluar procese të rëndësishme të reformave, të përshpejtojë ecurinë në BE. Ne ndajmë ndjenjat e vlerësimit dhe kemi shpresë se do të vendosim në aplikim disa marrëveshje për drejtësinë, ekonominë, teknologjinë, bujqësinë”,- tha Söder. (Elona)
