Izraeli do të rifillojë fluturimet direkte për në Turqi
2023-02-15 14:46:02

Foto: VCG

Izraeli do të rifillojë fluturimet direkte për në Turqi të enjten si pjesë e normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe, deklaroi të martën ministri i Jashtëm izraelit, Eli Cohen.

“Fluturimet nga Izraeli në Turqi do të rifillojnë brenda dy ditësh. Tre nga transportuesit tanë kryesorë do të fillojnë fluturimet”,- tha Cohen në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij turk Mevlut Çavusoglu në kryeqytetin turk Ankara.

Ministrat diskutuan hapat për të çuar përpara lidhjet dypalëshe, citon “Xinhua”. Izraeli dërgoi një ekip shpëtimi prej 450 anëtarësh në ditën e parë të tërmeteve shkatërruese në Turqi javën e kaluar, që u pasua nga ekipe të tjera dhe ngritja e një spitali fushor në rajonin e goditur nga tërmeti, tha ministri.

Cohen premtoi të vazhdojë ndihmën humanitare për Turqinë dhe përcolli ngushëllimet më të thella për viktimat.

Cavusoglu, nga ana e tij, tha se Izraeli ishte një nga vendet e para që dërgoi mbështetje për Turqinë dhe falënderoi për ndihmën.

Marrëdhëniet midis Izraelit dhe Turqisë u tensionuan në vitin 2010. Të dy vendet kanë punuar për të përmirësuar lidhjet e tyre që nga viti i kaluar, kur presidenti izraelit Isaac Herzog bëri një vizitë në Ankara, e para nga një udhëheqës izraelit që nga viti 2008. (Elona)