Roli i grave në qeverisje, Rama në Samitin Botëror të Qeverisjes
2023-02-15 14:22:09

Foto: RTSH

Qeveria shqiptare ka në përbërjen e saj më shumë se 70% gra, edhe pse sipas kryeministrit Edi Rama ky nuk ka qenë një qëllim. I pranishëm në Samitin Botëror të Qeverisjes 2023, për të folur mbi rolin e grave në qeverisjen dhe shoqërinë e shekullit XXI, Rama tha se synimi fillimisht ishte që qeveria të kishte në përbërje 50% gra dhe po aq edhe burra, por theksoi se më pas, në përpjekjen për të zgjedhur personin e duhur për punën e duhur, kishte më shumë gra sesa burra që i përshtateshin funksionit, citon “RTSH”.

Për kryeministrin Rama, shanset për t’i realizuar gjërat, janë më të larta me gratë sesa me burrat.

“Shanset me gratë për t’i realizuar gjërat janë më të larta se me burrat. Nuk pretendoj se ky është një model për të gjithë, por funksionon për Shqipërinë. Ka dy gjëra që mund të them, e para është se tani për tani nuk duhet të shqetësohemi për atë që e quani teatrale, sepse çfarëdo lloj gjëje që të bëhet në këtë drejtim është e mirë. Nxjerrja në pah e grave, dhënia e më shumë mundësive për të marrë pjesë është e një rëndësie thelbësore dhe ndonjëherë kjo duhet të ndodhë përmes mjeteve që duken si të detyruara nga autoriteti i parlamentit, shtetit apo drejtuesit, por duhet të ndodhë. Kjo është diçka që vlen edhe për kuotat. Shifra e grave në qeverinë tonë është më e ekzagjeruara në mbarë botën, mbi 70%, por nuk është diçka që erdhi sepse donim të ishte kështu, por erdhi natyrshëm”,- tha Rama.

Megjithatë, kryeministri theksoi se ende nuk është bërë mjaftueshëm në këtë aspekt, teksa përmend nevojën për fuqizimin e rolit të gruas në poste drejtuese edhe në sektorin privat e mbi të gjitha fuqizimin e saj në familje. (Elona)