2023 dhe përdorimi i inteligjencës artificiale
2023-02-15 11:30:42

Metaverse (digitaltirana)

Metaverse (digitaltirana)

Sa më shumë koha kalon aq më shumë po merr përmasa zhvillimi teknologjia. Cilat janë zhvillimet që priten më së shumti këtë vit? Në një intervistë për mediat Brenton Benja themeluesi në Shqipëri I Geek Room  një hapësirë, e cila përditësohet vazhdimisht me informacion, duke u kthyer në një vlerë për të gjithë dashamirësit e teknologjisë,  jep disa detaje për atë që do të shohim në vijim. Benja thotë se ka qenë inteligjenca artificiale ajo që ka marrë hovin më të madh gjatë vitit që lamë pas.

“Teknologjia do shumë vite të zhvillohet. Nga krijimi i një teknologjie të re deri në komercializimin e saj duhen shumë vite. Në momentin që ne bëjmë një krahasim nga viti në vit është i vështirë mendimi për teknologjitë e reja se për zhvillimin e një teknologjie të caktuar. Sipas mendimit  tim, ka qenë inteligjenca artificiale ajo që ka marrë hovin më të madh në 2022. Në fakt është një teknologji e vjetër, pra nëse flasim për industrinë, teknologjia e inteligjencës artificiale në një fabrikë mund të diferencojë kokrrën e ullirit të prishur nga ajo e mirë. Pra është një teknologji që ka ekzistuar, por gjatë 2022 inteligjenca artificiale u komercializua shumë. Falë intelgjencës artificiale sot mund t’i kërkosh kompjuterit të krijojë një marsh ashtu si ti e mendon. Mund t’i thuash dua të krijoj një imazh të një qeni që kërcen me një pinguin në një traget. Inteligjenca artificiale do rreth 30 sekonda apo 1minutë për ta përpunuar dhe gjeneruar kërkesën tënde dhe për të krijuar një imazh dhe e bukura është që ky imazh është unik. Në momentin e dytë që ti i kërkon të njëjtin tekst, inteligjenca artificiale do të gjenerojë diçka ndryshe. Mund të ketë gjera të tjera. Kjo është diçka shumë unike dhe jo vetëm ky rast por mund të shkruash një artikull, vetëm kokën e artikullit dhe pikat kryesore dhe inteligjenca artificiale mund të të shkruajë ty një artikull. Ti mund të krijosh një aplikacion, mund t’i shkruash inteligjencës artificiale që dua një aplikacion që më tregon në kohë reale, lëvizjen e autobusëve në qytet dhe inteligjenca artificiale të bën kodimin e gjithë aplikacioneve. ‘- shprehet Benja.

teknologji (digitaltirana)

teknologji (digitaltirana)

Ekspertët thonë se me zhvillimin që ka marrë teknologjia duket se po shkojmë drejt një bote të robotizuar.

“Ne po shkojmë drejt kësaj bote, më inteligjente, ndaj zhvillimet dhe inteligjenca artificiale mund të sjellë më pak vende pune. Megjithatë teknologjia nuk lëviz shumë shpejt. Deri në momentin që ne po flasim inteligjenca artificiale të ketë zbatim 100%  në jetën tonë të përditshme jam shumë i sigurt që njerëzit do të kenë angazhime të tjera, do të krijohen mundësi pune të tjera. Nuk vijnë gjërat kaq shpejt. Për momentin duket e frikshme, por jam i sigurt që nuk do vijë aq shpejt”, tha ai

Ekspertët flasin për avancimetë mëdha në vijim. Gjatë vitit 2023 makinat autonome do të jenë më të shpeshta.

“Unë mendoj që inteligjenca artificiale do të vazhdojë. Ndoshta edhe printimet 3D do vazhdojnë, por nuk do flasim gjatë këtij viti për printim 3D apo përmasa të vogla. Megjithatë për të qëndruar tek teknologjitë komerciale mendoj se makinat autonome do të kenë një hov shumë të madh gjatë 2023. Është teknologji që ekziston e cila sot përdoret relativisht shumë në Amerikë dhe shumë në Azi, ndërsa në Europë shumë më pak, për shkak të ligjeve që nuk e kanë bërë të mundur  komercializimin. Gjatë këtij viti makinat autonome do të jenë shumë më shumë në rrugë, kryesisht në formën e taksive, pra do të kemi shumë taksi autonome në Amerikë dhe në Azi, kryesisht. Është një sensor i ri i cili gjatë 2022 është prezantuar nga Volvo, por të gjitha kompanitë e makinave mendohet se do ta përfshijnë këtë sensor gjatë 2023. Këtë sensor e shohim edhe tek Iphone dhe tek shumë smartfone. Ky sensor lëshon rreze lazër në gjithë fushëpamjen që ka përpara dhe në këtë mënyrë ai kupton se cili është objekti në lëvizje, pra një njeri apo kafshë dhe mund të frenojë në kohë reale, apo se cili prej tyre është një pemë apo cili është një semafor që të reagojë nëse është i kuq dhe të ndalojë apo jo. Pra përfshirja e këtij sensori tashmë në makinat jo vetëm autonome, por edhe ato elektrike, mendoj se do ta bëjë më të thjeshtë dhe më të sigurt për të gjithë pasagjerët, lëvizjen me makina. Është një fakt interesant dhe për të qëndruar tek makinat autonome është përdorimi i gjerë i kamionëve autonomë. Pra së shpejti në rrugët e Amerikës do të shohim kamionët që janë prezantuar gati 3 vite më parë. Flasim për numra shumë të vegjël. Vetëm Amazon ka porositur 10 kamionë, ky do të jetë sigurisht një vit testimi për kamionët autonomë, por mendoj që do të jetë shumë interesante që ta shohim sesi do të zhvillohet kjo teknologji. “- thotë  Brenton Benja.

Brenton Benja (businessmag.al)

Brenton Benja (businessmag.al)

Sa është e aftë Shqipëria të përshtasë teknologjinë e re me infrastrukturë dhe të rinj?

“Përshtatja ka dy anë. Teknologjitë që janë konkrete mendoj që fatkeqësisht jemi larg dhe nuk mund t’i prekim dot sado pasion dhe dëshirë të kemi. Makinat autonome që sapo folëm nuk do t’i shohim në rrugët e Tiranës, apo të gjithë Shqipërisë, të paktën për momentin. Teknologjia 5G është një teknologji është shumë e zhvilluar, por akoma infrastruktura në Shqipëri nuk e krijon mundësimin e testimeve dhe përdorimit të kësaj teknologjie. Një tjetër teknologji që do të zhvillohet është realiteti i shtuar dhe realiteti virtual, dhe nuk flas këtu për syzë që ne vendosim për të parë 360 gradë ndoshta në qytet në Europë.  Këto tre teknologji që do zhvillohen gjatë 2023 janë vështirë t’i kemi në Shqipëri. Por nga ana tjetër ka teknologji që janë kryesisht që të lehta t’i aksesojmë. Teknologjia block change që lidhet me përdorimin e kriptovalutave, është e thjeshtë të aksesohet dhe të përdoret.”-thotë Benja.

Në vitin 2023, inteligjenca artificiale do të jetë e pranishme në të gjitha organizatat e mëdha botërore, të cilat do të përdorin fuqinë e saj për të krijuar produkte dhe shërbime inteligjente. Blerjet dhe dërgesat pa kontakt do të jenë gjithashtu një trend i madh për vitin 2023. AI (inteligjenca artificiale) do ta bejë më të lehtë për konsumatorët të paguajnë dhe të marrin mallra dhe shërbime. Edhe shitësit me pakicë do të përdorin inteligjencën artificiale për të menaxhuar dhe automatizuar proceset komplekse të menaxhimit të inventarit. Gjithashtu edhe në fabrika të ndryshme, punonjësve do t’u duhet të mësojnë të punojnë me makineritë e inteligjencës artificiale për të bërë punën e tyre, e cila më parë realizohej nga vetë punëtorët.