Sot do t’ju tregojmë historinë e Xing Kunlunit, një i ri kinez i angazhuar në tregtimin e mallrave karakteristike nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në Ningbo.
“Në vitin 2014, isha një shitës i mallrave me shumicë. Gjatë festës, kompania jonë kishte nevojë të blinte dhurata për klientët e saj.” - kujton Xing Kunlun. Teksa eksploronte gjëra të reja nëpër tregje, ai mësoi se Qendra Ndërkombëtare e Konventave dhe Ekspozitave Ningbo shiste produkte speciale nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Ai u tërhoq menjëherë nga prodhimet e këtyre vendeve dhe vendosi të porosiste aty.
“Më kujtohet ende se në listën e parë të blerjeve përfshihej vera hungareze, mjalti grek, ujë trëndafili bullgar etj. Shumë prej tyre ishin produkte që i shikoja për herë të parë dhe doja të kuptoja nëse do t'i pëlqenin të gjithëve.” - thotë Xing Kunlun. Pas dërgimit të këtyre dhuratave, klientët vazhdonin të pyesnin për mënyrën e blerjes. Kjo bëri që drejtuesit e kompanisë të vlerësonin vizionin e Xing Kunlunit dhe të miratonin blerjen me afat të gjatë të produkteve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Në vitin 2016, Ningbo nisi zbatimin e 18 politikave të reja për të nxitur bashkëpunimin dhe shkëmbimet gjithëpërfshirëse me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, duke e çuar bashkëpunimin me këto vende shumë shpejt në një fazë të re. Ekspozita e Mallrave të Evropës Qendrore dhe Lindore, politika mbështetëse për importimin e produkteve nga ky rajon, mënyra e hyrjes me "kosto zero" në Qendrën e Importit... Xing Kunlun u tundua shumë nga këto politika të forta preferenciale. Duke menduar edhe vlerësimet e klientëve që kishin provuar mallrat e Evropës Qendrore dhe Lindore ai ndjeu se kishte ardhur momenti për të.
Kështu, Xing Kunlun hoqi dorë nga puna e mëparshme dhe hapi kompaninë e tij. Ai u shndërrua nga një blerës i mallrave nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një importues. Ndër produktet e para ai prezantoi fillimisht harengën e tymosur të konservuar. Ndryshe nga ajo e konservuar në Suedi, harenga e konservuar nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore është tymosur për t’i hequr erën origjinale të peshkut dhe shumë e përshtatshme për konsum të drejtpërdrejtë me bukë.
Xing Kunlun kujton se kur e solli për herë të parë këtë produkt në Ekspozitën e Investimeve dhe Tregtisë Kinë – vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, ai qëndroi vetë në stendë duke prezantuar me zë të lartë dhe shpërndarë mostra për publikun. Këto ushqime janë të cilësisë së lartë dhe çmimi për një konservë është 30 juanë. Ndaj Xing Kunlun ishte pak i shqetësuar, duke menduar se klientët mund të stepeshin pak nga çmimi. Por në të vërtetë harenga e tymosur e konservuar ishte shumë e pëlqyer nga klientët dhe vetëm gjatë orës së parë u shitën 40 konserva, gjë që e inkurajoi shumë.
Që atëherë ai e ka rritur volumin e importit dhe ka vazhduar ta promovojë atë, gjë që ka tërhequr interesin e importuesve të tjerë për peshkun e tymosur nga Evropa Qendrore dhe Lindore. Shitja e llojeve të ndryshme të peshkut të konservuar nga këto vende në tregun kinez ka ardhur duke u rritur nga viti në vit, madje prodhuesit kanë nisur të investojnë në linja të reja prodhimi me kompanitë kineze dhe të lançojnë shitje vetëm për konsumatorët kinezë. Për shembull, “harenga pikante në vaj”, është konservuar posaçërisht për konsumatorët në Kinë.
"Duke mos qenë profesionist, fillimisht e nisa me tregtinë ushqimore të nivelit fillestar." – thotë Xing Kunlun, duke shtuar se "në fakt, që nga fillimi qeveria na inkurajoi ne importuesit e Evropës Qendrore dhe Lindore për të zgjeruar importin, kategoritë dhe shtrirjen, për të mos u kufizuar në një vend të caktuar. Për sa kohë që produket janë të përshtatshme me tregun kinez, ne mund të lidhemi dhe mund të importojmë.”
Prandaj Xing Kunlun me guxim shkoi jashtë vendit për të eksploruar produktet e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në fusha të ndryshme. Përveç pjesëmarrjes në aktivitetet e ndryshme jashtë vendit të organizuara nga departamentet qeveritare, gjatë përzgjedhjes së produkteve, ai thjesht hynte në supermarketet lokale të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe shikonte produktet e origjinës, sidomos ato që vendosen në pozicione të dukshme. Ai madje komunikoi me banorët vendas, dëgjoi mendimin e tyre për produktet dhe markat më të mira dhe më pas kontaktoi direkt prodhuesit sipas adresave në produkte.
Vera e Budapestit, birra çeke, vera e Malit të Zi, produktet polake të pastrimit të shtëpive, etj. janë bërë produktet e importuara nga kompania e Xingut. Gradualisht, kategoritë janë rritur dhe shitjet kanë qenë të mira. Xing tregon se “në veçanti, ekziston një treg i madh për produktet e pastrimit të shtëpive për përdorim të përditshëm, ato kanë një normë të lartë riblerjeje pasi çdo familje ka nevojë për to. Kam zbuluar se produktet e pastrimit të shtëpive nga vendet e EQL-së kanë formula të avancuara, lëndë të para me cilësi të lartë dhe efekte të mira, kështu që jam fokusuar te kjo fushë aktualisht.”
Të ndikuara nga epidemia, në vitin 2020, shitjet e agjentit të Xing Kunlunit normalisht që pësuan rënie. Por ato u rikuperuan shpejt pasi ai ndryshoi mënyrën e shitjes, nga supermarketet offline dhe kanalet e dyqaneve kryesore në internet, deri në platformën sociale të tregtisë elektronike me shitjen e transmetimeve të drejtpërdrejta.
Më i famshmi është "kremi pastrues" i importuar nga Hungaria, i cili arriti një shitje rekord prej 50 mijë porosish brenda një dite. Në fillim, ky krem pastrues nuk shitej mirë, por Xing Kunlun kontaktoi me disa shitës të famshëm të internetit për bashkëpunim. Ekspertët e shitjeve i kuptojnë mirë preferencat e tregut dhe nevojat reale të konsumatorëve dhe janë të prirur të japin këshilla më të përshtatshme për shitjen. Në ditët e sotme të rinjtë kinezë parapëlqejnë të veshin këpucë të bardha, të cilat janë veçanërisht të lehta për t'u ndotur dhe duhen pastruar shpesh. Ky krem pastrimi shumëfunksionalësh me fshirësin e tij prej sfungjeri ka efekt të dukshëm dhe të përshtatshëm pastrimi për këto këpucë. Kështu që ky produkt shitet shumë mirë në internet. Si rezultat, 40 kontejnerë vetëm me këtë produkt u shitën në një vit.
Xing Kunlun tregon se ai shpesh lexon mesazhe komentesh dhe bazuar në reagimet e konsumatorëve, u parashtron sugjerime furnizuesve të mallrave nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore për t'i ndihmuar ata të përmirësojnë produktet e tyre dhe të zhvillohen më tej në tregun kinez. Për shembull, kur Xing Kunlun lexoi komentet për pastruesit e dyshemesë, zbuloi se kërkesat e grupit të konsumatorëve ishin më së shumti për shumëllojshmërinë e aromave, eliminimin e erës së rëndë të kafshëve shtëpiake, pastrimin jo të plotë dhe tharjen e ngadaltë.
Pikërisht me këshillat e Xingut, disa prodhues nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore kanë zhvilluar pesë aroma, duke përfshirë portokallin e ëmbël, limonin e freskët dhe lulen e ngrohtë etj., duke zhvilluar produkte të ngjashme posaçërisht për familjet me kafshë shtëpiake dhe forcuar shumë përbërësit që thahen shpejt. Pas përmirësimit të këtij produkti, edhe vëllimi i shitjeve është rritur. Shumë konsumatorë jo vetëm që do blejnë sërish, por edhe do t'ua rekomandojnë ato njerëzve përreth tyre.
Më pas, Xing Kunlun thotë se do të vazhdojë të fokusohet në importimin e produkteve të pastrimit shtëpiak nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe në të njëjtën kohë të eksplorojë produkte të reja në më shumë fusha. Me përmirësimin e masave të parandalimit dhe të kontrollit të epidemisë në Kinë, Xing ka kontaktuar shumë prodhues nga këto vende. Ai i ka ftuar ata të vijnë në Kinë me produkte të reja për të marrë pjesë në Ekspozitën e tretë Kinë - vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore që do të organizohet në Ningbo këtë vit për të punuar së bashku dhe sjellë më shumë mallra nga këto vende, të cilat tashmë janë bërë më të famshme në tregun e Kinës, falë edhe internetit. (Çang Çuo)