Tregtia ShBA-Kinë shpërfill thëniet për “shkëputje”
2023-02-14 14:51:33

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Tregtia mes Kinës dhe ShBA-së në vitin 2022 shënoi nivelin rekord, duke tërhequr vëmendjen e madhe të të gjitha palëve. Shumë media të huaja u shprehën që ky fakt është si një "shuplakë" ndaj thënieve për të ashtuquajturën "shkëputje" mes dy ekonomive më të mëdha të botës.

 

Sipas të dhënave nga Departamenti amerikan i Tregtisë, vitin e kaluar vëllimi i tregtisë së mallrave mes Kinës e ShBA-së e kaloi nivelin prej 661.5 miliardë dollarësh amerikanë të vitit 2018, duke vendosur rekord të ri.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

CNN-i publikoi ditët e fundit një artikull me titull “Tregtia ShBA-Kinë shpërfill teorinë e ‘shkëputjes’, duke shënuar rekord të ri në vitin 2022”, ku thuhet që të dhënat tregojnë se deklaratat për “shkëputje” ose “pakësim të varësisë nga Kina” gjenden vetëm në diskutimet lidhur me politikat ndaj Kinës, por nuk mishërohen në tregtinë reale me Kinën. Kompanitë dhe konsumatorët ndërkombëtarë ende i pëlqejnë shumë mallrat kineze.

 

Agjencia "Bloomblerg" vuri në dukje në njoftim: “Tregtia ndërmjet Kinës e ShBA-së priret të thyejë rekordin. Kjo do të thotë që, edhe pse shfaqen herë pas here thëniet për 'shkëputje ekonomike' mes Kinës dhe ShBA-së, dy ekonomitë më të mëdha të botës ende kanë lidhje të qëndrueshme ndërmjet tyre.”

 

Në artikull vihet në dukje që, gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, Uashingtoni vendosi shumë herë tarifa ndaj mallrave kineze, me synimin që të nxitej kthimi i prodhimit në ShBA dhe të pakësohej varësia nga mallrat e importuara nga Kina. Por nuk ndodhi kështu. Të dhënat tregojnë që në vitin 2021, importi i mallrave kineze nga ShBA-ja pati mëkëmbje të madhe bashkë me vëllimin e përgjithshëm të tregtisë, duke arritur në mbi 570 miliardë dollarë e duke shënuar rekord të ri. Në vitin 2022, ky rekord u thye sërish. “Kjo është një dukuri për të cilën ia vlen të mendohet,” thuhet në artikullin e "Bloomberg"-ut.

 

Instituti për Ekonominë Ndërkombëtare "Peterson" vuri në dukje në një artikull që ShBA-ja ka importuar nga Kina më shumë mallra se kurrë më parë, si laptopa, ekranë komjuteri, celularë, videolojëra dhe lodra.

 

Zv.drejtorja e Institutit të Studimit të Politikave pranë Shoqatës Amerikane për Azinë, Wendy Cutler, është i mendimit që niveli rekord i tregtisë dypalëshe ShBA-Kinë tregon që marrëdhëniet tregtare të të dy vendeve ende janë “në gjendje të fortë”. Sipas statistikave nga Komisioni Kombëtar për Tregtinë ShBA-Kinë, eksporti i mallrave dhe shërbimeve në Kinë nga të 50 shtetet e ShBA-së ka sjellë përfitime për afro milionë vende pune në ShBA. Ndër to, shtetet që eksportojnë sojë, misër, sorgum, mish viçi dhe mish derri kanë pasur favorizim më të dukshëm.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ish-ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për çështjet e Azi-Paqësorit, Susan Thornton, mendon që ShBA-ja dhe Kina ende kanë marrëdhënie me përfitime të ndërsjella dhe interesa të përbashkët:

 

“Në epokën e tanishme të globalizimit, ShBA-ja dhe Kina do të vazhdojnë të mbajnë lidhje të ngushta dhe nuk do të ketë ‘shkëputje’. Vitin e kaluar, ShBA-ja dhe Kina bënë tregti me vlerë afro 700 miliardë dollarë. Kjo tregon që të dy vendet me siguri do të ruajnë lidhjet ndërmjet tyre”.

 

"Bloomberg" komenton që të dhënat tregtare dëshmojnë që disa thënie dhe politika nuk mund të pasqyrojnë prirjen ekonomike globale. Me masat tarifore, ShBA-ja u përpoq të ndryshonte strukturën e tregtisë së saj me Kinën, por importet e ShBA-së nga Kina sërish u rritën ndjeshëm. Krahas kësaj, edhe pse po përpiqet ta zhvendosë zinxhirin e furnizimit nga Kina për në vendet e tjera dhe të rindërtojë fabrika, përsëri ShBA-ja ka blerë mallra nga Kina më shumë se kurrë më parë.

 

I ngarkuari me punë në ambasadën e Kinës në ShBA Xu Xueyuan u shpreh qartas që është krijuar prej kohësh modeli me integrim të thellë industrial, përplotësim të lartë tregtar dhe përfitime të ndërsjella mes Kinës dhe ShBA-së. Bashkëpunimi tregtar Kinë-ShBA është bazuar në nevojat e të dy popujve dhe lidhjet tregtare të shëndetshme, të qëndrueshme dhe bashkëpunuese përputhen me interesat e vetë ShBA-së.

 

Studiuesja e çështjeve amerikane e europiane nga Qendra e Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare e Kinës, Zhang Monan, thotë: “Marrëdhëniet tregtare janë themeli dhe forca shtytëse e marrëdhënieve kino-amerikane. Faktet kanë provuar që përmasat e tregtisë Kinë-ShBA në këto dy vjetët e fundit kanë shënuar nivel të ri të lartë. Kjo tregon që, nga natyra e tyre, marrëdhëniet kino-amerikane kanë ndërvarësi dhe janë me përfitime të përbashkëta, sepse kjo është zgjedhja e të dy palëve që bazohet në efektivitetin ekonomik dhe interesat e veta. Bashkëpunimi i ngushtë dhe i gjerë industrial mes Kinës e ShBA-së dhe marrëdhëniet dypalëshe në zinxhirin global që është formuar gjatë dekadave të fundit, është e vështirë të shkatërrohen nga faktorë politikë e nga disa individë.”