Shqipëria, tregues të fortë për një industri të madhe turistike
2023-02-14 11:11:59

Foto nga VCG

Turizmi në Shqipëri dhe Europën Juglindore pritet të lulëzojë, pasi interesi për këto destinacione ka arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, shkruan “ATSH”.

Lajmi u raportua nga “New Deal Europe” (NDE), një platformë turistike dhe tregtie për Ballkanin dhe Europën Juglindore, sipas së cilit, rajoni po sheh rritje të interesit për investime në hotele dhe resorte, pasi turistët po ndërgjegjësohen më shumë për rajonin si një destinacion i ri turistik.

Kompania do të mbajë takimin e saj vjetor të tregtisë më 24 mars, i cili lidh furnitorët e turizmit nga të gjitha vendet e Ballkanit; Greqia, Moldavia, Rumania, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Sllovenia, Bosnjë-Hercegovina dhe Shqipëria.

Për më tepër, rajoni ofron vlerë të madhe për investime, veçanërisht për vendet jashtë BE-së, ku Shqipëria është një nga destinacionet më premtuese. Interesi për këtë vend është rritur veçanërisht te britanikët, pasi nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë drejtohen mbi tetë fluturime në ditë.

Shqipëria ka tregues të fortë për një industri të madhe turistike dhe mund të jetë po aq e suksesshme sa Greqia, vendi fqinj i saj. Më parë, Greqia dhe Shqipëria nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për të forcuar marrëdhëniet, veçanërisht në fushën e turizmit.

Të dy vendet u zotuan të promovojnë destinacionet dhe të rrisin numrin e turistëve që vijnë.

Shqipëria pati një vit rekord në 2022, me shumë grupe të rëndësishme hotelesh që konsideruan vendin për të investuar. (Fatosi)