Ekspertët Luljeta Bozo dhe Rrapo Ormëni komentojnë tërmetet në Turqi dhe Siri
2023-02-14 17:42:21

Tërmetet tragjike që goditën Turqinë dhe Sirinë janë në fokus jo vetëm të mediave botërore, por dhe të opinionit publik. Shifrat zyrtare nga të dy vendet momentalisht flasin për mbi  33 mijë viktima, por dhe shumë të lënduar e dëme të konsiderueshme materiale. Këto ditë të pastërmetit të gjithë interesohen për këtë katastrofë humanitare, vërehet solidaritet jo vetëm nga vende të ndryshme e shoqata, por dhe qytetarë. Shqiptarët, që kanë provuar nga afër pasojat e tërmetit të nëntorit 2019 duan të informohen gjithnjë e më shumë rreth tërmeteve në përgjithësi.

Ing.Luljeta Bozo (Foto Dosja.al)

Ing.Luljeta Bozo (Foto Dosja.al)

Inxhinierja e ndërtimit, njëkohësisht deputete e PS, Luljeta Bozo, ka folur për tërmetin katastrofik që goditi Turqinë dhe Sirinë, duke marrë jetën e mijëra personave.

E pyetur nëse ishte ky tërmet i papërballueshëm, Bozo tha se Turqia “është zonë me aktivitet shumë të lartë sizmik”.

Sipas saj, tërmete të kësaj natyre priteshin.

“Me atë intensitet e kohëzgjatje dhe tërmeteve të njëpasnjëshme me gjithë çarjen e madhe priten, e kanë goditur vazhdimisht Turqinë se është në një zonë të tillë me shumë carje tektonike e rrethuar me dete.

Në rastin e zonave sizmike shumë të lartë duhet të kihen parasysh disa parime bazë, në zonat me rrezikshmëri shumë të lartë s’duhet të ketë përqendrim të objekteve të banimit. Çdo tërmet që ndodh jo më ky që ishte katastrofik me shkallë shumë të lartë e çlirim energjie, shkakton dëmtime, mirë është të ketë sa më pak objekte banimi e të shfrytëzohen për qëllime të tjera këto zona. Pamë godina shumë të larta të padëmtuara, që të bënte çudi. Gjithë problemi në këto zona është se duhet të kemi njohuri shumë të thella për mënyrën si reagon trualli e ka rëndësi themeli se atje vjen goditja te themeli.

Foto:VCG

Foto:VCG

Të kombinosh tipin e strukturës, lartësinë mbi tokë me intensitetin e zonës, thellësinë e mbërthimit të objektit nën tokë dhe forma e objekti duhet të jetë shumë simetrike me shpërndarje sa më uniforme të kolonave, ashensorëve që gjatë lëkundjeve mos lindin momente dridhëse që janë katastrofike për ndërtimin. Çdo tërmet që bie na tregon ku i kemi pasur defektet në mënyrën si është ndërtuar apo projektuar”, u shpreh inxhinierja Bozo.

Në lidhje me shqetësimin e krijuar se sa shanse ka Shqipëria të goditet nga një tërmet i tillë me një forcë shumë të madhe, inxhinierja Bozo tha se nuk mund të ndodhë, në bazë të historikut. Por ajo theksoi se një nga kushtet është që të respektohen kodet dhe ligjet për ndërtimin, të mos ndërhyhet në themelet e godinave.

“Tërmete të tilla me këtë magnitudë ne në Shqipëri nuk do kemi dhe historikisht nuk ka pasur. Ne nuk jemi në të njëjtën pllakë me Turqinë, jemi në zonë tjetër. Në Shqipëri këtu e 500 vjet tërmetet që janë regjistruar nga faktet historike, kemi pasur deri te magnituda 7, 7.1. Ne të tillë tërmete nuk  ndodh të paktën deri tani, se ne nuk e dimë çfarë ndodh në brendësi të tokës, sado kanë avancuar instrumentet matës. Një fakt historik tregon që të tilla tërmete nuk do kemi. Ne jemi vend sizmik e duhet të respektojmë rregullat më elementare që jepen përmes kodeve dhe legjislacionit të ndërtimit. Nuk duhet të ndërhyjmë në asnjë mënyrë në themelet e godinës se ke prishur një element strukturor mbajtës dhe e bën shumë të brishtë ndaj lëkundjeve sizmike. Vend per panik nuk ka se si tërmeti i Turqisë në Shqipëri nuk mund të bjerë”, tha ajo.

CMG: Cili është interpretimi juaj për pllakat tektonike?

Foto:VCG

Foto:VCG

Luljeta Bozo: Këto pllaka të tokës lëvizin në një masë viskoze, duke shkaktuar çlirim të energjisë. Nga çlirimi i energjisë lindin rryma, të cilat lëvizin këto pllaka.

Në rastin e tërmetit në Turqi nuk duhet të jemi në panik, pasi Turqia shtrihet në një tjetër pllakë tektonike dhe lëvizja e saj nuk e prek Shqipërinë. Shqipëria shtrihet në pllakën e tokës së Mesdheut, e cila preket nga tërmetet, por jo të një fuqie të tillë shkatërruese si në rastin e Turqisë. Zona më e nxehtë në botë është ajo e Pacifikut ku ndodhin rreth 75% e tërmeteve, e cila nis nga Filipinet, Japonia  dhe zona e ishujve, ndërsa zona tjetër është zona e Mesdheut,  që nis nga Gjibraltari e vijon deri në Kaukaz.

CMG: Si paraqitet në bazë të historisë e gjithë zona jonë?

Luljeta Bozo: Ne jemi në zonën e Mesdheut, ku ndodhin rreth 25% e tërmeteve në botë. Këto tërmete ndodhin në mënyrë periodike, si tërmetet që kanë fundosur Durrësin e vjetër. Nga Kalaja e vjetër 2200 vjeçare nuk mbeti asgjë nga tërmeti i një jave më pare në Turqi. Shqipëria është një vend tërmetesh. Tërmetet si ai që kaloi, sipas studimeve ndodhin një herë në 50 vite. Në këtë periudhë ne kemi mundësi të marrim masat për t’u mbrojtur, së pari duke ndërtuar në truall të sigurt dhe duke mos shkelur rregulla teknike, te respektimi i distancave dhe të mospasurit afër godina me njëra-tjetrën.

CMG: Nga ku nis ndërgjegjësimi?

Foto:VCG

Foto:VCG

Luljeta Bozo: Ndërgjegjësimi nis përmes edukimit në mënyrën se si duhet të veprojnë në mënyrën e parë që bie tërmeti. Duhet të qëndrojmë në vend brenda dhe të lemë derën pak të hapur, pasi në rast lëkundjesh dera nuk arrin të hapet. Ndërtimet kanë jetëgjatësinë e tyre nuk janë të përjetshme, duhet të kenë një jetëgjatësi të garantuar.

Ka objekte që janë me jetëgjatësi 500 vjeçare, këtu futen dhe objektet e kultit. Tërmeti mund të shkaktojë  dhe dëmtim, por nëse mbetet i pariparuar ky dëmtim zmadhohet. Njerëzit nuk duhet  të jenë në panik, pasi po i kapi paniku nuk mund të veprojnë më për asgjë. Këto tërmete ne nuk i parashikojmë dot, por nëse ne vazhdojmë të jetojmë në këto zona duhet të marrim masat.

Prof. Luljeta Bozo theksoi se, qytetarët e vendit tonë nuk duhet të tremben, duke thënë se tërmeti është fenomen gjeofizik dhe jo virus.

 “Frikë nuk duhet të kenë njerëzit pasi panë këtë ngjarje dhe tërmetin 2.8 magnitudë që kanë parë në vendin tonë. Krijohet paniku që meqë ra në Turqi mund të bjerë dhe këtu. Nuk është virus është fenomen fizik i cili ka kohën e vet”, tha ajo.

Lëkundje tërmeti janë ndjerë edhe disa ditë më parë në Shqipëri. EMSC ka regjistruar një tërmet me magnitudë 3.9 e thellësi 2 km. Epiqendra e tërmetit ka qenë 10 km nga Librazhdi dhe 23 km nga Elbasani, ndërsa lëkundjet janë ndjerë edhe në Tiranë. Sizmiologu Rrapo Ormëni, shpjegon këtë ngjarje.

Sizmiologu Rrapo Ormeni (Foto Dosja.al)

Sizmiologu Rrapo Ormeni (Foto Dosja.al)

CMG: Profesor si shpjegohet ky tërmet i ditëve të fundit?

Rrapo Ormeni:Janë tërmete të zakonshme që bien në vendin tonë. Nuk kanë lidhje me tërmetet e Turqisë, janë tërmete që bien herë pas herë në vendin tonë. Kjo është një ngjarje e zakonshme. Në afërsi të Elbasanit ka rënë, ka qenë një termet i cekët, i zakonshëm. Unë vetë nuk e kam ndjerë. Është tërmet i vogël nuk ka lidhje me Turqinë. As nuk shkaktojnë dëmtime. Janë në zonat aktive të vendit tonë. Janë zona që preken më shpesh nga tërmetet.’- u shpreh Ormeni.

Intervistoi Megi Latifi