Christodoulides fiton zgjedhjet presidenciale të Qipros
2023-02-14 11:06:56

Foto nga VCG

Ish-ministri i Jashtëm, Nicos Christodoulides, fitoi balotazhin e zgjedhjeve dhe do të jetë presidenti i ardhshëm i Qipros, njoftuan autoritetet zgjedhore pas numërimit të të gjitha fletëve të votimit, bën të ditur “Xinhua”.

Christodoulides, i cili kandidoi si i pavarur, mori 51.97 për qind të votave, krahasuar me 48.03 për qind që mori kundërshtari i tij, Andreas Mavroyiannis, i cili kandidoi gjithashtu si i pavarur dhe kishte mbështetjen e partisë së majtë AKEL.

Christodoulides do të marrë detyrën më 1 mars, për të pasuar Nicos Anastasiades, i cili tashmë kishte shërbyer dy mandate dhe nuk mund të kërkonte rizgjedhjen sipas ligjit.

Christodoulides ka shërbyer si drejtor i Zyrës Diplomatike të Presidentit, si zëdhënës i qeverisë dhe ministër i Jashtëm.

Christodoulides e ftoi partinë e djathtë DISY të marrë pjesë në një qeveri të pranimit të përgjithshëm që ai planifikon të shpallë, por partia e refuzoi ofertën dhe njoftoi se do të vepronte si një opozitë e përgjegjshme.

Presidenti i ri qipriot do të përballet me disa sfida të ngutshme, duke përfshirë rifillimin e negociatave të bllokuara të ribashkimit, parandalimin e rritjes së emigracionit të paligjshëm dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të punës në mes të inflacionit të lartë.

Sipas autoriteteve zgjedhore, 406.616 nga rreth 561.000 votues të regjistruar morën pjesë në balotazh, e barabartë me një pjesëmarrje prej rreth 72.5 për qind. (Fatosi)