Inflacioni në Shqipëri në 2023
2023-02-14 11:34:58

Inflacioni (foto monitor.al)

Inflacioni (foto monitor.al)

Viti 2023 pritet të ketë rritje ekonomike dhe tregues të qëndrueshëm financiarë. Kështu ka deklaruar Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko përmes një konference shtypi, ku tha po ashtu se inflacioni ka pësuar rënie në fundin e vitit që lamë pas.

Sejko theksoi se rënia e inflacionit ka ndikuar pozitivisht në çmimin e naftës dhe të disa produkteve të shportës dhe se rritja ekonomike 3-mujorin e fundit të 2022-it solli më shumë punësim e rritje pagash.

Banka_e_Shqipërisë ( Foto bankofalabnia.org)

Banka_e_Shqipërisë ( Foto bankofalabnia.org)

“Dua të sqaroj më në detaje vendimin e sotëm dhe arsyet që e motivuan. Inflacioni erdhi në rënie gjatë dy muajve të fundit të vitit 2022, pasi kulmoi në nivelin e 8.3% në muajin tetor, norma e inflacionit zbriti në 7.4% në fund të vitit. Rënia e inflacionit u pasqyrua në rënien e çmimit të naftës dhe disa produkteve të shportës, të diktuara nga ecuria e ngjashme e këtyre çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Nga ana tjetër norma e inflacionit të shërbimeve dhe artikujve të tjerë mbetet në nivele të larta, të krahasueshme me atë të muajve paraardhës. Në aspektin makro-ekonomik rënia e inflacionit pasqyroi rënien e inflacionit të importuar ndërkohë që presionet inflacioniste vazhdojnë të mbeten të larta. Ato ushqehen nga kërkesa relativisht e lartë për mallrave dhe shërbimeve, nga rritje e shpejtë e punësimit, pagave e kostove të prodhimit  si dhe nga pritjet ende të larta të inflacionit të agjentëve ekonomikë në vend”, u shpreh guvernatori Sejko.

Inflacioni i lartë është zbutur gjatë fundit të vitit të kaluar, por rreziku nga çmimet nuk është zhdukur ende. Banka e Shqipërisë tregon se do të nevojiten rritje të mëtejshme të normës bazë të interesit, edhe pse më e keqja ka kaluar.

Gent-Sejko (Foto banka e shqipërisë)

Gent-Sejko (Foto banka e shqipërisë)

 “Aktivititeti ekonomik vijoi të rritet dhe gjatë gjysmës së dytë të vitit 2022. Rritja ekonomike u përshpejtua në fund të 3 mujorit paraardhës. Në këndvështrimin sektorial, rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i aktivitetit në sektorët e ndërtimeve dhe shërbimeve ndërkohë që aktiviteti industrial u tkurr dhe prodhimi bujqësor mbeti thuajse i pandryshuar.  Rritja ekonomike është shoqëruar me rritje të punësimit dhe pagave. Punësimi u rrit me 4.2%, shkalla e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.6% dhe paga mesatare në sektorin privat u rrit me 12.3% në 3-mujorin e tretë. Ecuria pozitive e tregut të punës krijon premisa për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në të ardhmen por sinjalizon edhe rritje të shpejtë të kostove të prodhimit.

 Normat e interesit dhe kredive bankare kanë ardhur në rritje si pasojë e normalizimit të politikës monetare në vend dhe botë. Kredia për sektorin privat ka vijuar të shfaqë rritje pozitive vjetore duke mbuluar nevojat e bizneseve dhe familjeve për mjete financiare. Paralelisht me to kursi i këmbimit valutor ka pasur tendenca forcimi kundrejt monedhave kryesore ndërkombëtare si pasojë e rritjes së të ardhurave valutore. Përditësimi i parashikimeve sugjeron se inflacioni do të bjerë gradualisht gjatë vitit 2023 dhe do të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024. Ekonomia shqiptare pritet të rritet dhe treguesit financiare të mbeten nën kontroll”, vuri në dukje guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Inlacioni (Foto canadanews)

Inlacioni (Foto canadanews)

Nga të dhënat e Instat niveli i inflacionit, pra ndryshimit vjetor të çmimeve  ishte 7.1% muajin e kaluar duke vijuar prirjen rënëse, nga 7.4% që rezultoi në dhjetor.

Ecuria e këtij treguesi duket se është diktuar edhe nga situata në Eurozonë ku edhe atje inflacioni ka shfaqur prirje rënëse, pasi një pjesë e mirë e inflacionit në vend është i importuar. Sipas Bankës së Shqipërisë, inflacioni do të vazhdojë të ulet gjatë këtij viti, për t’u kthyer nën 3% vetëm në fillim të vitit 2024.