Klaudio Zoto vjen nga një familje muzikantësh dhe numëron shumë çmime në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare. Nxënësi ekselent i Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë e ka përfaqësuar në mënyrë dinjitoze Shqipërinë në shumë konkurse ndërkombëtare. Ai që në moshën 6-vjeçare ka nisur të studiojë për violinçel, nën drejtimin e mësueses Ridvana Selita. Klaudio ka përfaqësuar Shqipërinë në “Eurovision Young Musicians”, i pari instrumentist shqiptar që mori pjesë në këtë garë evropiane. Ai vazhdon studimet në degën e violinçelit në Gjermani dhe është i pranishëm në shumë konkurse dhe koncerte ndërkombëtare. Në një intervistë për Radio Ejani Klaudio tregon për rrugëtimin e tij muzikor, koncertet që ka marrë pjesë si dhe projektet në të ardhmen.
CMG: Si ju lindi pasioni për muzikën dhe veçanërisht për instrumentin e violinçelit?
Klaudio Zoto: Muzikën e kam të trashëguar nga familja, pasi mamaja ime është violiniste si dhe jep mësim në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Gjithashtu motra ime është violiniste, prandaj muzika ka qenë pjesë e familjes tonë ndaj dhe unë vendosa të zgjidh këtë rrugë.
CMG: Pse zgjodhët violinçelin si instrument?
Klaudio Zoto: Unë zgjodha violinçelin si instrument, duke qenë se mamaja ime kishte violinën, motra violë dhe ky ishte instrumenti i tretë që e plotësonte nga harqet, dhe për më tepër se që në fëmijëri isha shumë i afeksionuar mbas tingullit të instrumentit, formës që ka si instrument më saktësi dhe prandaj thashë se dua ta luaj këtë instrument. Violinçeli më pëlqente shumë që në fëmijëri.
CMG: Rrugëtimi juaj artistik me violinçelin ka nisur që në klasën e parë në lice?
Klaudio Zoto: Unë që në klasë të parë në moshën 6 vjeçare pranë pedagoges time Ridvana Selita kam vënë duart në këtë instrument për herë të parë.
CMG: Falë talentit, pasionit për muzikën dhe punës tuaj keni qenë nga nxënësit e shkëlqyer të liceut.
Klaudio Zoto: Absolutisht po. Në këtë profesion, në art si në çdo profesion tjetër nuk mjafton të jesh i talentuar, por duhet një punë shumë e madhe që ky talent të zhvillohej dhe të kthehej thjesht në atë që publiku të pëlqejë dhe ne duhet të jemi në formë. Talenti dhe puna bëjnë atë rezultatin që shohim në fund.
CMG: Ju keni marrë pjesë dhe në spektaklin “Virtuozët”, por dhe në disa kompeticione të tjera. Si ishte si eksperiencë pjesëmarrja te “Virtuozët”?
Klaudio Zoto: Unë kam qenë finalist i këtij spektakli dhe mund të them që në atë moshë që isha, që sa kisha filluar të përballesha me skenat e mëdha ishte një eksperiencë fantastike sepse nuk isha në një koncert, por isha në një konkurs, koncert dhe një spektakël në të njëjtën kohë. Ishte gjithçka live, por në të njëjtën kohë edhe me jurinë që jepte gjykimet live. Kjo për mua ishte një eksperiencë e bukur që dhe më zhvilloi. Pas spektaklit “Virtuozët” ka qenë “Albanian Young Musiciants” që organizohet nga Radio Televizioni Shqiptar, ku fitova dhe kjo fitore më dha mundësinë të përfaqësoja Shqipërinë për herë të pare në Eurovizion për muzikantët e rinj në Edinburg të Skocisë.
CMG: Si u ndjeve në Eurovizion midis muzikantëve nga vende të ndryshme të Europës?
Klaudio Zoto: Kjo eksperiencë ishte e pabesueshme sepse Shqipëria shkonte për herë të parë në këtë format dhe sigurisht që unë aty përveçse e shijova performancën, mësova dhe shumë nga performanca ime, por njëkohësisht edhe nga kolegët që ishin aty përfaqësuesit e shteteve europiane sepse muzika dhe arti ka të gjithë të bëjë me diversitetin dhe duke u takuar bashkë të gjithë këta muzikantë të ndryshëm u krijua një atmosferë e këndshme. Natyrisht që ishte dhe atmosfera e konkursit, shpirti i garës, por gjithësesi unë e pashë si mundësi për të zgjeruar horizontin dhe për të parë se si ishte niveli me vendet e tjera të Europës.
CMG: Vazhdoni studimet për muzikë, ndërkohë që keni shumë arritje në këtë fushë që në moshë të vogël. Si ndjeheni me kaq arritje profesionale deri tani?
Klaudio Zoto: Është e vërtetë që edhe pse jam në një moshë të re kam bërë gjithë këto pjesëmarrje në kompeticione dhe koncerte. Për mua është vërtetë emocionuese sepse është gjithë rezultati i punës së madhe, e cila shpërblehet me çmime, me konkurse ose me shumë koncerte. Gjithësesi kjo e ndërthurur bashkë me studimet është një mundësi shumë e mirë edhe për t’u rritur më shumë nga ana artistike dhe instrumentale. Prandaj kjo më pëlqen tek gjithë kjo që bëj deri tani.
CMG: Pse zgjodhët Gjermaninë për vijimin e studimeve tuaja në muzikë?
Klaudio Zoto: Në fakt nuk është se ishte zgjidhje që thashë se unë do të shkoj në Gjermani, por aty ishte profesori im që studioj aktualisht. Mund të kishte qenë çdo shtet tjetër, mjafton që të ishte një profesor i mirë dhe me këtë profesor që jam tani gjendem shumë mirë dhe po më ndihmon jashtëzakonisht shumë që të zhvillohem si nga ana artistike, por dhe instrumentale. Ai po më hap shumë horizonte dhe është një rrugëtim që po e bëjmë të dy shumë mire dhe unë jam shumë i lumtur që jam pjesë e klasës së tij, pavarësisht pastaj mundësive të tjera që Gjermania i ofron sidomos për muzikantët, për artin dhe muzikën klasike në veçanti. Gjermania është vërtetë një shtet që e mbështet pafund muzikën klasike dhe i jep shumë rëndësi asaj.
CMG: Si janë marrëdhëniet tuaj me studentët e tjerë në klasën tuaj?
Klaudio Zoto: Marrëdhëniet janë shumë të mira dhe nga ambienti profesional jemi të gjithë shumë të etur për të mësuar, duke gjetur mundësi të reja për të performuar, për të luajtur bashkë. Është një atmosferë që vërtet të ndihmon të ecësh përpara dhe të zhvillohesh. Nuk është një atmosferë e ftohtë që asnjë nuk të flet ose janë për veten e vet, por në shkollë jemi shumë të hapur për bashkëpunime dhe për të mësuar.
CMG: Çfarë ju mungon nga Shqipëria tani që jeni larg?
Klaudio Zoto: Unë jam larguar në një moshë të vogël nga Shqipëria dhe gjëja e parë që më mungon është klima e Shqipërisë, dielli dhe temperaturat sepse këtu në periudhën e dimrit, por edhe vjeshta është shumë e zymtë, gri. Gjithashtu më mungon familja ime që më ka mbështetur gjithmonë dhe vazhdon të më mbështesë.
CMG: Mamaja juaj, që është violiniste dhe pedagoge muzike në Liceun Artistik “Jordan Misaja” ka qenë mbështetje në rrugëtimin tuaj muzikor?
Klaudio Zoto: Është fat shumë i madh për mua dhe për motrën time që kemi mamanë që na mbështet. Ajo ka qenë gjithmonë pranë nesh, duke na dëgjuar dhe dhënë këshilla gjatë koncerteve dhe është e vetmja që asiston tek puna e madhe që ne bëjmë para se të dalim nëpër koncerte. Edhe sot e kësaj dite ajo vazhdon dhe na jep këshilla shumë të vyera dhe pse është larg, por me anë të telefonit është gjithmonë pranë me këshillat e saj.
CMG: E shikon të ardhmen në muzikë në Gjermani apo do rikthehesh në Shqipëri?
Klaudio Zoto: Deri tani nuk e kam menduar, por mjafton që të jetë diçka që unë të ndjehem mirë dhe të jetë diçka që vërtet t’ja vlejë për karrierën time artistike. Mund të jetë në çfarëdolloj shteti, mbase dhe në Shqipëri, sepse nuk e kam menduar akoma.
CMG: Cilat janë objektivat tuaja për këtë vit, përveç studimeve?
Klaudio Zoto: Në vitin 2023 kemi të programuar disa koncerte në Shqipëri si dhe një regjistrim CD-je që do të dalin së shpejti. Gjithashtu janë dhe disa pjesëmarrje në konkurse shumë prestigjoze violinçeli që është e vështirë, por që shpresoj t’i arrij. Këto janë objektivat për këtë vit dhe besoj se do bëjmë të pamundërën që t’ja dalim.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Klaudio Zoto: Përshëndes të gjithë dëgjuesit, zbulojeni dhe dashurojeni muzikën klasike dhe muzikën në përgjithësi, sepse është ilaç për shpirtin.
Intervistoi: Gazmend Agaj