Shkrimtari Ylljet Aliçka në panairin ndërkombëtar të librit në Kajro
2023-02-13 09:54:16

Romani “Një rrëfenjë me ndërkombëtarë” i shkrimtarit Ylljet Aliçka ka përfaqësuar letërsinë shqipe për herë të parë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Kajro. Vetë shkrimtari Ylljet Aliçka ishte i ftuar gjatë ditëve të Panairit në Kajro. Në një nga ditët e panairit, para publikut arab, u prezantua libri “ Një rrëfenjë me ndërkombëtarët”, duke tërhequr vëmëndjen e lexuesve të cilët kanë preferuar edhe që ta blejnë librin. Gjithashtu u organizuan edhe disa takime e biseda për letërsinë shqipe dhe praninë e saj në botën arabe.

Romani është përkthyer nga gjuha frënge në arabisht nga Nada Nader dhe është botuar nga shtëpia botuese “Al Arabi Publishing House” në Egjipt.

Romani përshkruan jetën e një prej zyrave diplomatike ndërkombëtare, vendosur në Shqipëri pas viteve’90. Ky libër është si një skaner i hollësishëm që autori, duke qenë edhe vetë pjesëe e punës me ndërkombëtarët, ka arritur ti njohë fare mirë ata. Shpesh herë ne si njerëz të zakonshëm, i hiperbolizojmë dhe i mitizojmë ato, por në fakt shkrimtari Ylljet Aliçka, përmes një teksti të zhveshur nga figuracioni, por të mbushur me nëntekst, i çmitizon ato.

Në politikën e jashtme dhe përfaqësimin e shteteve në nivelet më të larta, shpeshherë ka personazhe të cilët me mënyrën se si ata kryejnë funksionet e ngarkuara shpesh kthehen edhe në personazhe që ngjallin imagjinatën e shkrimtarëve. Kjo është edhe një nga tematikat e trajtuara në këtë roman nga shkrimtari Aliçka.

Duke përdorur ironinë që kalon jo rrallë në një sarkazëm të hidhur, autori “qëndis” kontrastin mes idealeve fisnike të ndërkombëtarëve dhe përditshmërisë së jetës së tyre rutinë, zhytur në zyrat gri. Hasim aty diplomatin që i merr vendimet e rëndësishme diplomatike, nën efektin dehës të ndjenjave të pastra të dashurisë, teksa një tjetër diplomat preferon më mirë të këpusë në fshehtësi të plotë frutat e pjekura të oborrit të përfaqësisë, sesa të bjerë viktimë “e çmimeve të çmendura të vendasve”. Romani, që autori për hir të së vërtetës nuk e vlerëson si më të mirin e tij, në kohën kur u prezantua në tregun shqiptar, u prit mjaft mirë e njëkohësisht nisi të përkthehej në gjuhë të ndryshme të botës, duke u pritur kudo me interes dhe me një lloj kureshtie. Romani ka 12 vjet që është botuar në Shqipëri dhe është përkthyer gjithashtu në në Francë, Itali, Iran, Norvegji dhe në Kinë në fillim të vitit. Panairi i Kajros është i dyti në botë për nga madhësia, pas atij të Frankfurtit. Panairi i librit në Kajro u vizitua nga rreth 8 milion vizitorë, ndërkohë që në panair u prezantuan edhe autorë të tjerë shqiptarë, si Ismail Kadare, Besnik Mustafaj dhe Fate Velaj.

Ylljet Aliçka lindi në Tiranë në vitin 1951, ku u diplomua për shkencat natyrore. Ai punon në botimet shkollore dhe ka përvojë të rëndësishme si mësues, përpara se të nisë një karrierë diplomatike, e cila e bën të jetë ambasador i Shqipërisë në Francë, më pas në Portugali dhe në fund në Monako. Rruga e tij në fushën diplomatike shkon paralelisht me atë që lidhet me shkrimin. Autor i një numri të madh veprash letrare, disa prej të cilave janë përkthyer në disa gjuhë, ai e përqendron vëmendjen në "zhanre" të ndryshme, duke përfshirë përmbledhjet me tregime dhe romane.

Interesant është fakti që romani “Një rrëfenjë me ndërkombëtarë” është botuar para se autori I tij të bëhej ambasador. Megjithatë, pas botimit të romanit ka pasur debate, zyrtare dhe publike mbi etikën e nëpunësve publikë, rolin e letërsisë, rolin e politikës, etj. Ndoshta kjo mund të ketë qenë arsyeja pse romani është përkthyer dhe botuar në disa gjuhë të tjera.

Ndërkohë, Ylljet Aliçka ka shkruar edhe skenarë që meritojnë një konsideratë të madhe: me një rëndësi të konsiderueshme është skenari i filmit Slogan, me regji të Gjergi Xhuvanit, fitues i çmimit të kritikës në Festivalin e Filmit në Kanë 2001 dhe i Çmimit të Artë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio 2001. Ylljet Aliçka është gjithashtu edhe një ndër krijuesit e Fondacionit Fabrizio De Andrè.

Neritana Kraja