Shqipëria në zi kombëtare për viktimat e tërmetit në Turqi
2023-02-13 10:12:51

Kryeministri Edi Rama njoftoi se 13 shkurti është ditë zie kombëtare në Shqipëri, në shenjë solidariteti me Turqinë për tërmetin tragjik që goditi vendin dhe mijëra viktima që janë shkaktuar deri tani.

“Qeveria shqiptare ka vendosur që e hëna, 13 shkurt, do të jetë ditë zie kombëtare në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian, si dhe në shenjë solidariteti me Turqinë mike, e cila na u gjend pranë kur një fatkeqësi e ngjashme goditi Shqipërinë pak kohë më parë”, -bëri të ditur kryeministri Rama.

Ai theksoi se ulja e flamurit kombëtar në gjysmë shtizë dhe ndezja e një qiriri nga çdonjëri, sipas dëshirës e mundësisë, do të jenë shenjat kuptimplota të një të hëne të shenjuar prej dhembjes njerëzore e solidaritetit popullor që i kapërcejnë kufijtë. (Fatosi)