Francezët vijojnë protestat kundër reformës së pensioneve
2023-02-13 11:01:54

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ministria e Brendshme franceze njoftoi se rreth 963.000 njerëz në të gjithë vendin protestuan kundër reformës së propozuar të pensioneve, nga 757.000 që ishin regjistruar më 7 shkurt, njofton “Xinhua”.

Sa i përket “CGT”-së, sindikatës më të madhe të Francës, numri i përgjithshëm i protestave arriti në 2.5 milionë, kundrejt rreth 2 milionë të martën.

Kryeministrja franceze, Elisabeth Borne, paraqiti detaje të planit në janar, i cili do të rriste në mënyrë progresive moshën ligjore të pensionit me tre muaj në vit nga 62 në 64 deri në vitin 2030 dhe do të prezantonte një pension minimal të garantuar.

Duke filluar nga viti 2027, plani do të kërkonte gjithashtu të paktën 43 vjet punë për t'u kualifikuar për një pension të plotë.

Vetëm në kryeqytetin francez, Policia e Parisit njoftoi për rret 93.000 persona që marshuan në rrugë, një rekord që nga fillimi i mobilizimit të përgjithshëm kundër reformës.

Të paktën dhjetë persona janë arrestuar, ndërsa një xhandar është plagosur në sy, njoftoi Policia e Parisit.

Sindikatat kryesore në Francë gjithashtu u bënë thirrje punëtorëve që të ndalojnë Francën në të gjithë sektorët më 7 mars, nëse qeveria dhe Parlamenti refuzojnë të dëgjojnë kundërshtimin e popullsisë.

Ata kërcënuan se do të organizojnë aksione për të nxjerrë në pah padrejtësinë madhore sociale të kësaj reforme ndaj grave në 8 mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Kontrollorët e trafikut ajror në aeroportin “Orly” të Parisit hynë në një grevë të paplanifikuar të shtunën, duke shkaktuar anulimin e gjysmës së fluturimeve në aeroport. Drejtoria e Përgjithshme franceze e Aviacionit Civil vuri në dukje se nuk kishte marrë asnjë njoftim apo thirrje për grevë. “Dispozitat minimale të shërbimit nuk janë aktivizuar”, thuhet në të. (Fatosi)