Miliona iranianë kremtojnë fitoren e Revolucionit Islamik
2023-02-13 10:50:45

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Miliona njerëz anembanë Iranit dolën në rrugë për të shënuar 44-vjetorin e fitores së Revolucionit Islamik të vendit të vitit 1979, sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve “Tasnim”, njofton “Xinhua”.

Tubimet u mbajtën në kryeqytetin Teheran, si dhe në 1400 qytete iraniane dhe 38.000 fshatra, thuhet në raport.

Gjatë tubimeve, njerëzit valëvitnin flamujt e Iranit dhe mbanin fotografi të liderit suprem Ali Khamenei, të themeluesit të ndjerë të Republikës Islamike Ruhollah Khomeini dhe komandantit të ndjerë iranian Qassem Soleimani, i cili u vra në vitin 2020 në kryeqytetin irakian Bagdad.

Shumë zyrtarë të lartë iranianë morën pjesë gjithashtu në mitingje, duke përfshirë presidentin Ebrahim Raisi, kryetarin e parlamentit Mohammad Baqer Qalibaf, kreun e gjyqësorit Gholamhossein Mohseni-Ejei dhe ministra të vendit.

Arritjet e vendit në fusha të ndryshme u ekspozuan përgjatë rrugëve që të çojnë në sheshin ikonik “Azadi”, duke përfshirë ato në sektorin ushtarak dhe të mbrojtjes, si raketa balistike Emad, mjeti ajror pa pilot Shahed-136 dhe raketa Sejjil.

Gjatë fjalimit të tij, presidenti Raisi tha se bilanci pozitiv tregtar i Iranit me prodhimin dhe eksportet e vazhdueshme të naftës ka dëshmuar dështimin e sanksioneve të SHBA-së, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve “IRNA”.

Pavarësisht sanksioneve dhe kërcënimeve, Irani po prodhon naftë dhe po vazhdon eksportet e tij të naftës dhe jo-naftës, ka arritur rritje dhe po bën përparim në prodhimin e pajisjeve, shtoi Raisi.

Revolucioni Islamik i vitit 1979 në Iran rrëzoi regjimin e Shahut të Mohammad Reza Pahlavi të mbështetur nga SHBA-ja dhe e solli vendin nën udhëheqjen e Khomeinit, një ngjarje që shihet si një pikë kthese në historinë e Iranit.

Çdo vit, iranianët mbajnë festime 10-ditore në të gjithë vendin. (Fatosi)