Ndërveprimi i bankave me e-Albania
2023-02-13 14:42:47

e-albania banka (Foto Monitor)

e-albania banka (Foto Monitor)

Nga fillimi i këtij viti  bankat tregtare dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) kanë nisur ndërveprimin midis portalit e-Albania dhe platformave bankare të internet banking. Kjo mundëson  kryerjen e pagesave të tarifave për shërbimet e ofruara nga e-Albania direkt nëpërmjet llogarive bankare. Por sa e sigurtë është kjo dhe a ka vend për shqetësim për shëndetin e parave. Në një intervistë për mediat Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave thotë se ka një ndjeshmëri të lartë nga një pjesë e mirë e publikut.

“Kur flasim për para çdo ndjenjë që ka të bëjë me ruajtjen e tyre me shëndetin e parave, është mëse e justifikuar. Ju e përmendët që në lidhje me bashkëpunimin që ka filluar Shoqata e Bankave me AKSH-in për të kryer pagesat online dhe për shërbime të ofruara në e-Albania nuk është kuptuar drejt, ka edhe keqkuptime, ka edhe një ndjeshmëri nga një pjesë e mirë e publikut që çfarë do të bëhet. Sistemet e bankave do integrohen në sistemin eAKSH-it ? Ky ka qenë shqetësimi i ngritur. Në fakt nuk është kështu. Bankat kanë filluar bashkëpunimin dhe shpresojmë  që brenda 4 apo 5 javëve që të ofrohet live, të kalojmë me këtë shërbim online për të gjithë qytetarët. “- thotë Brumbulli

e-banking (Foto Top Channel)

e-banking (Foto Top Channel)

Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave Brumbulli jep edhe një shembull të këtyre shërbimeve.

“Bankat janë kritikuar që në zhvillimet e tyre nuk kanë menduar që për shërbimet publike të ofrojnë një zgjidhje shumë komode për qytetarët pa shkuar fizikisht në degën e bankës për të kryer pagesat. Pra ju sot nëse merrni një shërbim publik nga hipoteka, sepse është më e kollajshme, më e prekshme, apo doni të paguani taksën apo tatimin mbi pronën që blini apo shisni. Ju duhet të merrni atë deklaratë që iu lëshon hipoteka dhe do shkoni fizikisht në degën e bankës ta paguani. Ose nëpërmjet e-comerse me kartë në kanalet që ofrojnë tre banka. Vetëm dy mundësi keni. Menduam sot të ofrojmë edhe një mundësi të tretë, pa i prekur këto të dyja, që do qëndrojnë dhe ne duam të shtojmë një të tretë. Që ti të mos shkosh fare në degën e bankës dhe as të përdorësh kartën, sepse mund të mos kesh kartë dhe mund të mos jesh i varur në përdorimin e kartës në çdo kanal. Aty do ofrojmë një mundësi tjetër që është shërbimi online. Ju futeni në e-Albania, aplikoni për shërbimin që do merrni dhe në fund do iu dali që shërbimi juaj në mënyrë që t;iu jepet apo dërgohet, ju duhet të bëni pagesën dhe del shuma e pagesës, që le të themi është 500 lekë. Atëherë në ekran do iu pyetet nga cila bankë doni ta bëni këtë pagesë. Ju keni të drejtë të zgjidhni deri në 3 banka. Mund të ishte vetëm në një bankë, por kemi lënë hapësirë dhe menduam që është më mirë sepse mund të ketë dhe biznese që mund të bëjnë këto pagesa”, shprehet ai.

Spiro Brumbulli (Foto Monitor)

Spiro Brumbulli (Foto Monitor)

Procedura sipas Brumbullit është e thjeshtë dhe e sigurtë.

“Ju vendosni tre banka dhe në fund iu jepet një kod. Kodi i gjithë transaksionit që doni të bëni, pra shuma, monedha në të cilat do bëhet data e transaksionit, shërbimi, institucioni përfitues dhe kështu me radhë. Këtu e mbyllni e-Albania dhe futeni në e-banking tek faqja në kompjuter apo smartfone e bankës ku keni llogarinë dhe në ekranin dhe menynë tuaj do dalë një kuti dhe në atë kodin futni kodin që keni marrë në e-Albania. Në këtë mënyrë gjenerohen të dhënat e faturës, pra shumën monedhën, institucionin përfitues, datën e krijimit e kështu me radhë. Ju i kontrolloni dhe një herë dhe klikoni paguaj dhe në momentin që klikon paguaj banka bën transfertën. Pra paratë ikin nga llogaria juaj dhe shkojnë tek llogaria e institucionit që duhet të japin shërbimin, në rastin që thamë ne hipoteka”, bën të ditur ai.

Ky kombinim sipas sekretarit të përgjithshëm të bankave bën një ndërlidhje mes institucioneve.

“Pra kemi një ndërlidhje, një shkëmbim informacioni mes AKSH-it, e-Albania dhe bankës që nuk kanë integrim të sistemeve, por e-Albania sjell informacionin tek banka ku ke ti llogarinë, që këto të dhëna ke për të paguar, këtë dëftesë, me këtë shumë. Banka i konfirmon e-Albania se kjo faturë me këto të dhëna, u pagua dhe e-Albania i çon konfirmimin institucionit përkatës që tani jep shërbimin tek qytetari. Nuk ka më vonesë, pra është në një anë kemi institucionin, në anën tjetër kemi bankën dhe në mes kemi AKSHI-n. AKSHI shërben si urë lidhëse për shkëmbim informacioni nga institucioni që përgatit faturën, AKSHI e çon tek banka dhe banka kur kryen pagesën ia çon akshit, që akshi t ia çojë institucionit përfitues”, tha sekretari Brumbulli.

Për të gjithë qytetarët që do të përdorin këto shpjegime, Brumbulli thotë se nuk ka risk.

“Nuk kemi integrim, risk të sistemeve, të databazave që janë shqetësuar qytetarët. Bashkëpunimi është se janë dy hapa, dy lidhje. E para që do të klikosh për shërbimin dhe duhet ta marrësh shërbimin dhe do marrësh një kod dhe e dyta është që për këtë kod ti duhet të futesh tek e-Albania, për të bërë pagesën. “

Kodi nuk rrezikon asgjë sepse janë pagesa që do bëhen dhe nuk janë të ardhura.

“Nuk rrezikon asgjë. Është thjesht një tregues me të cilin ti futesh dhe identifikohesh për cilën pagesë do marrësh, sepse mund të kesh tre apo katër pagesa për të bërë. Për secilën nga ato do të marrësh një kod dhe do shikosh që nëse ke gjendje në llogari do i bësh të katërta, po s’ke, do bësh atë që do ti. Pastaj do të aplikosh për të bërë të tjerat kur ke gjendje në llogari. “- shprehet Brumbulli.

Shërbimet e banking (Foto Javapoint)

Shërbimet e banking (Foto Javapoint)

Kodi nuk ka asnje rrezik nga hackerat.

“ Në institucionin përfitues është hipoteka, shuma është  për shembull 500 lekë, monedha është lekë, data e krijimit mund të jetë data 9 janar. Këto janë të dhënat dhe asgjë tjetër, por mund të jetë dhe thesari i shtetit. Kaq ka asgjë tjetër nuk ka, sic e bëjmë normalisht sot në sportelin e bankës, këto japim, dhe jep faturën ai dhe në bazë të faturës, lëshon në ekranin e vet përfituesi kadastra, shuma 500 lekë, njësia e monedhës është leku, data që bëhet pagesa dhe përfundon.” -thotë Brumbulli.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2021, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në afërsisht 709 mijë, në rritje vjetore me 21%. Numri i llogarive të lidhura me internetin në fund të vitit të kaluar përbënte rreth 23.2% të totalit të llogarive bankare, ndërsa një vit më parë vetëm 19.8% e llogarive bankare kishin qenë të aksesueshme nga internet.

Statistikat tregojnë se përdorimi i shërbimeve të internet banking paraqitet gjithashtu në rritje të shpejtë. Vitin e kaluar, shqiptarët kryen 5.13 milionë veprime nëpërmjet internet banking, në rritje me 24.5% krahasuar me një vit më parë.