Komuniteti britanik i biznesit shikon lidhje më të forta tregtare me Kinën
2023-02-12 12:01:22

Foto nga China Daily

Udhëheqësit e biznesit britanik kanë thënë se shpresojnë që lidhjet tregtare midis Britanisë dhe Kinës do të thellohen ndërsa të dy vendet punojnë drejt rimëkëmbjes ekonomike nga pandemia Covid-19.

Deklaratat u bënë gjatë një eventi festiv me rastin e Festivalit të Pranverës, organizuar bashkërisht nga Klubi i Grupit 48, Dhoma e Tregtisë së Kinës në Britani dhe Këshilli i Biznesit Kinë-Britani.

Në vitin 1954, Jack Perry, themeluesi i Korporatës së Eksportit të Londrës, udhëhoqi një grup prej 48 biznesmenësh britanikë në një mision tregtar historik në Pekin. Kjo ndihmoi në krijimin e një prej lidhjeve të para tregtare të ditëve moderne me Kinën, duke thyer efektivisht embargon perëndimore.

48 burrat ishin themeluesit e Klubit të Grupit 48. Udhëtimi i tyre në Pekin u bë i njohur si “Misioni i Akullthyesit”, ndërsa anëtarët e klubit quheshin “Akullthyes”, përcjell “Xinhua”.

Ambasadori kinez në Britani, Zheng Zeguang, deklaroi se në Kongresin e 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës, vitin e kaluar, u hartua një plan për zhvillimin e Kinës gjatë pesë viteve të ardhshme dhe në afat më të gjatë.

“Kjo do të krijojë hapësirë të gjerë për bashkëpunim midis Kinës dhe vendeve të tjera, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar”,- tha ai.

Lordi Hammond i Runnymede, ish-kancelari i Thesarit, nënvizoi se Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë, tregu i gjashtë më i madh i eksportit të Mbretërisë së Bashkuar dhe partneri i katërt më i madh tregtar në përgjithësi.

“Shumë nga partnerët tanë globalë kanë rritur në heshtje pjesën e tyre të tregtisë me Kinën, ndërkohë që ne kemi parë që të tonat të ngecin gjatë periudhës së pandemisë. Kështu që tani është koha që të përveshim mëngët dhe të rritim pjesën e tregut ndërsa biznesi kthehet në normalitet”,- tha ai.

Sir Sherard Cowper-Coles, kryetar i Këshillit të Biznesit Kinë-Britani, tha se ndërsa Britania e Madhe del nga një verë kaosi politik, Kina dhe Britania e Madhe mund të punojnë së bashku për të rritur lumturinë, prosperitetin dhe mirëqenien e dy popujve.

“Komuniteti i biznesit duhet të pranojë se ka një përgjegjësi ndaj popullit britanik, për të mbrojtur punën tonë, për të mbrojtur bizneset tona dhe për të marrë pjesë në tregtinë botërore që ne kemi luajtur një rol të rëndësishëm në krijim”,- tha ai. (Irma)