Iljard Shaba dhe këngëtarja Anna Oxa në Sanremo
Iljard Shaba është mjeshtër i instrumentit të violinçelit, madje në shfaqjet e tij apo eventet ku është ftuar i gjithë publiku mahnitet nga tingujt që prodhon me instrument, por edhe performancat mjaft të bukura që ai realizon. Ka patur disa bashkëpunime me artistë shqiptarë ku Iljardi i ka dhënë ngjyra mjaft të bukura këngëve. Së fundi ai mori pjesë në Festivalin më të rëndësishëm të muzikës italiane, ku interpretoi krah artistes së mirënjohur me origjinë shqiptare Anna Oxa. Për Radio Ejani ai na tregon për këtë eksperiencë kaq të veçantë në jetën e tij, por edhe për jetën artistike.
CMG: Iljard, sapo ke mbaruar performancën në Sanremo 2023. Si e sheh këtë arritje në karrierën tënde artistike?
Iljard Shaba: Performancën time në Sanremo 2023 e shoh si të shkëlqyer dhe një anë e mirë për karrierën time profesionale. Por edhe një kënaqësi shpirtërore të performosh me një këngëtare të madhe si Anna Oxa.
CMG: Si erdhi kjo ftesë, ky bashkëpunim deri ?
Iljard Shaba: Ftesa më erdhi nga artisti Ardit Gjebrea, i cili kishte folur përpara me artisten Anna Oxa dhe më pas nisëm bashkëpunimin.
CMG: Nuk njiheshe përpara kësaj performance me këngëtaren Anna Oxa?
Iljard Shaba: Personalisht me artisten Anna Oxa nuk njihesha, por si këngëtare e njihja shumë mirë, gjithashtu edhe disa këngë të saj i pëlqeja. Kur mu propozua bashkëpunimi, u ndjeva shumë i vlerësuar.
CMG: A janë njësoj emocionet për ty si në skenat shqiptare dhe në atë italiane?
Iljard Shaba: Në çdo skenë ku unë performoj, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj qoftë skenë e madhe apo e vogël, emocionet e artistit janë njësoj, sepse performon për publikun dhe e rëndësishme është që performanca ime të ndjehet dhe vlerësohet nga publiku.
CMG: Ti solle disa vite më parë një koncert recital të quajtur "Revolucion", ku pjesë e tij ka qenë edhe një orkestër madhe simfonike. Si e konsideron atë koncert?
Iljard Shaba: E vërtetë që unë para 3 viteve bëra recitalin tim, ku shpalosa punën time shumëvjeçare në instrumentin e violinçelit. Unë kam studiuar për muzikë klasike deri në mbarim të shkollës së lartë dhe natyrisht që orkestra simfonike është pjesë e formimit tim, por unë e ndjej veten më mirë në muzikën kontemporane.
CMG: Në fillimet e tua, ndërsa shkove në konkursin për piano, por fitove konkursin për violinçel. Na trego më tepër për këtë gjë?
Iljard Shaba: Është shumë e vërtetë (qesh). Në fakt unë konkurova për piano, por komisioni mendoi se unë isha më i përshtatshëm për violinçel. Jam shumë i lumtur për zgjedhjen që kam bërë atëherë, sepse instrumenti i violinçelit është shumë i bukur.
CMG: Që nga mosha 6 vjeçare dhe deri më sot, si ka qenë eksperienca jote me violinçelin?
Iljard Shaba: Eh, për një fëmijë 6 vjeç instrumenti është sa argëtim, por edhe një detyrë që duket e lodhshme. Por duke u rritur nga viti në vit e kupton se intstrumenti që luan, të bëhet shumë i rëndësishëm dhe studimi që bën, të kthehet në një kënaqësi të madhe si për vete ashtu edhe për familjen. Sidomos kur në aktivitete të tilla dilja mire, përgëzohesha nga profesorët e mi, por edhe nga prindërit. Ndërsa tani nuk e shoh dot veten të shkëputur nga çelo se jemi një trup tani.
CMG: Cila është rryma e preferuar që pëlqen më shumë të interpretosh me violinçel?
Iljard Shaba: Nuk luaj vetëm një rrymë, por çdo muzikë që më pëlqen. Luaj muzikë popullore, kontemporane, të huaj, shqiptare, por edhe muzikë klasike. Por edhe muzikën popullore qytetare më pëlqen edhe e luaj edhe në evente familjare, ndërsa muzikën klasike pak më rrallë.
CMG: Cili është komplimenti që ke marr nga një artist kur ke luajtuar këngën tij?
Iljard Shaba: Kam luajtur me disa artistë të njohur dhe kemi qenë të kënaqur me punën e njëri- tjetrit.
CMG: Cili është synimi yt për të arritur më tej?
Iljard Shaba: Synimi im është një treg më i madh se ky që performoj, pra tregu europian dhe ai amerikan.
Intervistoi: Sava Lena