Shqipëria, pjesë e panairit “Fruit Logistica 2023” në Berlin
2023-02-12 14:15:12

Foto nga Facebook Autoriteti Kombetar i Ushqimit

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi se 10 përpunues dhe eksportues bujqësorë u bënë pjesë e Pavijonit të Shqipërisë, duke prezantuar ekselencën shqiptare në fruta-perime, në panairin më të rëndësishëm në Europë për produktet bujqësore të freskëta, “Fruit Logistica”, i cili u mbajt në Berlin të Gjermanisë.

Në një njoftim zyrtar, AKU-ja bëri të ditur se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me fokus ndaj eksporteve bujqesore, organizoi pavijonin shqiptar në këtë panair duke promovuar fort prodhuesit shqiptarë në tregjet ndërkombëtare.

Sipas AKU-së, kompanitë pjesëmarrëse patën mundësi të krijojnë një rrjet ndërkombëtar kontaktesh, kontrata shitjesh dhe mundësi eksporti të mallrave të tyre.

Sektori i fruta-perimeve ështe me rëndësi të lartë për bujqësinë shqiptare dhe zë 36% të totalit të eksporteve bujqësore, të cilat në vitin 2022 arritën vlerën rekord prej 55.1 miliardë lekësh.