Transformimi i ISHP-së, Rama: Standard i ri i shërbimit
2023-02-12 14:06:57

Foto nga RTSH

Projekti i ri i transformimit të Institutit të Shëndetit Publik me njësinë e re të laboratorëve dhe korpusin modern do të garantojë një standard të ri shërbimi në një prej institucioneve më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, deklaroi kryeministri Edi Rama, teksa ka publikuar në “Facebook” pamje 3D nga projekti i ri.

Instituti i Shëndetit Publik, pas rindërtimit, do të kthehet në një institucion bashkëkohor, me një strukturë moderne të laboratorëve me pajisje të teknologjisë së lartë, shkruan “RTSH”. 

Faza e parë e rindërtimit të ISHP-së fillon me ndërtimin e godinës së laboratorëve, një investim i siguruar nga buxheti i shtetit dhe më pas me godinën qendrore të Institutit të Shëndetit Publik.

Projekti përfshin ndërtimin e një laboratori të ri, që do t’i shërbejë Institutit të Shëndetit Publik. Ai do të përmbledhë të gjithë laboratorët që ekzistojnë në godinën aktuale dhe të shpërndarë në godina të tjera.

Me rehabilitimin e godinës qendrore të Institutit të Shëndetit Publik ai do të zhvillohet më tej nga pikëpamja shkencore dhe organizative. (Irma)