(Foto Euronews Albania)
Festivali evropian i muzikës, Eurovision publikon çdo muaj në kanalin YouTube listën me 20 këngët më të dëgjuara të këtij festivali ndër vite. Në listën e këngëve më të dëgjuara të muajit janarit për vitin 2023, fansat e Eurovisionit kanë mbetur të habitur, pasi një këngë e vitit 2006 ka arritur të renditet e dyta në këtë listë. Bëhet fjalë për këngën “Zjarr e ftohtë” me tekst nga Dr. Flori, muzikë nga Klodian Qafoku, interpretuar nga këngëtari Luiz Ejlli, e vlerësuar fituese e Festivalit të 44-të të Këngës në Rtsh në vitin 2005, e më pas përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovision 2006. Pas hyrjes së këngëtarit interpretues të kësaj kënge Luis Ejlli në spektaklin “Big Brother VIP” ai është kthyer në personazhin më të komentuar në rrjetet sociale, ku ndjekësit e tij kanë nisur interesimin për karrierën e tij të dikurshme. Kujtojmë se kënga fituese e Fest’44 “Zjarr e ftohtë” ka ngjallur një interes të madh te publik dhe brenda një muaji arriti mbi një milion e shtatëqind mijë klikime, ndërsa më parë ka patur rreth 220 mijë klikime.