Kryeministri Rama: Shumë shpejt paga minimale shkon 40 mijë lekë
2023-02-11 10:18:11

Foto: ATSH

Brenda pak javësh, paga minimale në Shqipëri do të shkojë 40 mijë lekë, deklaroi kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me studentët përfitues të programit të ri të bursave të studimit sa një pagë minimale e përmuajshme.

Sipas kryeministrit Rama, synimi i qeverisë është që paga minimale të rritet në vijim dhe të shkojë në 45 mijë lekë brenda 2 viteve të ardhshme, përcjell “RTSH”.

“Paga minimale shumë shpejt do të shkojë në 40 mijë lekë, çështje disa javësh dhe do të fillojë të aplikohet brenda shumë pak muajsh për të gjithë. Nuk duam të ketë një pagë më të ulët se 40 mijë lekë qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat. Kjo rritje është e duhura dhe besojmë se duke kontribuar edhe ne, qeveria, me një mekanizëm që jemi duke përfunduar, paga minimale do rritet në vijim dhe duam që brenda 2 viteve të shkojë në 45 mijë lekë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se mbështetja për studentët ekselentë do të rritet nga viti në vit, teksa theksoi se synimi është zgjerimi i këtij programi. (Irma)