CMG-ja: ShBA duhet të përgjigjet sinqerisht për incidentin "gazsjellësi Nord Stream"
2023-02-11 16:46:16

Foto: VCG

Kohët e fundit, Seymour Hersh, një gazetar investigativ i njohur në ShBA, botoi një artikull që i referohet një burimi të njohur me këtë çështje, duke thënë se administrata e Biden kishte planifikuar të hidhte në erë tubacionin Nord Stream, i cili transporton gaz natyror nga Rusia në Evropë. Duke marrë parasysh profesionalizmin dhe reputacionin e Hershit në shtypin amerikan, si dhe numrin e madh të përshkrimeve të hollësishme të asaj që ndodhi në raport, shumë analistë besojnë se nuk ka gjasa të jetë e pabazë. Megjithatë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, CIA dhe Departamenti i Shtetit e mohuan atë kategorikisht, duke pretenduar se zbulimi i Hershit ishte "i rremë dhe i fabrikuar". Mediat kryesore perëndimore, të cilat kanë qenë gjithmonë “të ndjeshme” ndaj lajmeve të mëdha, thuajse e humbën zërin këtë herë.

Sipas raporteve të mediave gjermane, në shkurt të vitit 2022, disa javë para shpërthimit të konfliktit ruso-ukrainas, Biden paralajmëroi se nëse Rusia fillon një luftë kundër Ukrainës, "nuk do të ketë më Nord Stream-2 dhe ne do t'i japim fund…". Pas bombardimit të gazsjellësit Nord Stream shtatorin e kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit Blinken pretendoi se kjo është "në fund të fundit, një mundësi e madhe" që do të ndihmojë Evropën "të heqë qafe varësinë e saj nga energjia ruse njëherë e përgjithmonë". Ndërsa ish-ministri i Jashtëm polak Sikorski ka lënë në rrjetet sociale fjalinë “Faleminderit Shteteve të Bashkuara”, e cila ka shkaktuar jo pak bujë.

Sot, Shtetet e Bashkuara kanë përfitime të mëdha gjeopolitike nga konflikti Rusi-Ukrainë dhe kompanitë amerikane të energjisë kanë fituar shumë para nga Evropa. Tani, duke shikuar mbrapa dhe duke menduar për atë që kanë thënë disa politikanë amerikanë dhe evropianë, a ka kuptim e gjitha kjo?

Duke kërkuar mes titujve të mediave kryesore perëndimore ditët e fundit, konstatohet se në krahasim me raportimet origjinale për shkatërrimin e gazsjellësit  Nord Stream, këtë herë ato duken të jenë jashtëzakonisht të qeta. Nuk raportuan as CNN, Washington Post, New York Times, as BBC etj. Edhe Reuters që përmendi zbulimet e Hershit, nuk i kushtoi vëmendje vetë lajmit, por e zhvendosi objektivin, duke theksuar se hetimi i gazetarit të njohur kishte shkaktuar "polemika". Njerëzit duan të pyesin: Meqenëse mediat perëndimore janë kaq të shqetësuara për incidentin e Nord Stream, pse mbyllin sytë ndaj një lajmi kaq të madh? Ku janë profesionalizmi dhe objektiviteti që ata shfaqin? Dhe kush po i manipulon ata që në mënyrë selektive të heshtin?

Në komentin e CMG-së thuhet se gazsjellësi Nord Stream është një infrastrukturë e madhe transnacionale. Shkatërrimi i tij ka pasur  një ndikim të madh negativ në tregun global të energjisë dhe mjedisin global ekologjik dhe ata që janë pas kësaj duhet të mbajnë përgjegjësi. Sot, raporti hetimor i Hershit ka nxjerrë në dritë të dhëna të rëndësishme dhe të gjitha palët duhet të vazhdojnë hetimin. Shtetet e Bashkuara  duhet t'i përgjigjen me ndershmëri dyshimeve të komunitetit ndërkombëtar, të bashkëpunojnë në hetime të përbashkëta shumëpalëshe dhe t'i japin botës një shpjegim të përgjegjshëm. (Çang Çuo)