Altin Malo premton produksione të reja muzikore
2023-02-11 15:22:35


Altin Malo

Altin Malo është këngëtar i njohur i muzikës popullore, kryesisht i trevës së Çamërisë. Ai ka publikuar mjaft këngë popullore, të cilat janë pritur mirë nga artdashësit, si dhe ka marrë pjesë në shumë aktivitete muzikore brenda dhe jashtë vendit. Në një intervistë për  Radio Ejani Altin Malo flet për fillimet e tij me këngën popullore, aktivitetet muzikore si dhe projektet në të ardhmen.

CMG: Keni vite që përcillni tek publiku këngët çame. Si jeni ndjerë me gjithë këto vite karrierë?

Altin Malo: Unë kam filluar të këndoj që në moshën 15-16 vjeçare, kur fillova ta kuptoja edhe më mirë muzikën dhe këngën. Mendova ta filloja këtë rrugëtim me krahinën time, me këngët aq të bukura që dashurohen shumë edhe nga të tjerët, nga gjithë Shqipëria, sepse kemi një folk shumë të bukur të zonës së Çamërisë. Fillova të këndoja këngët e mia, pastaj edhe këngë të tjera nga e gjithë Shqipëria, por këngët çame i përvetësoj më tepër, sepse është kënga ime.

CMG: Keni pasur dikë në familje që ka kënduar më përpara dhe ju e keni trashëguar?

Altin Malo: Në gëzimet familjare këndonin prindërit e mi me familjarë të tjerë. Nuk janë marrë me muzikë, por e donin shumë këngën. Në çdo gëzim këndonin prindërit e mi.

CMG: Çfarë kanë të veçantë këngët e krahinës së Çamërisë, ndryshe nga trevat e tjera të jugut?

Altin Malo: Këngët çame kanë karakterin dhe të veçantën e tyre. Ato kanë dhimbjen, dashurinë, të veçantën e tyre. Ne kemi polifoninë, kemi muzikën, kemi të gjitha gjërat më të bukura të jugut.

Altin Malo duke kenduar ne spektaklin Kenge Moj 

CMG: Ju keni një repertor të gjerë këngësh popullore. Si janë pritur produksionet tuaja muzikore nga publiku?

Altin Malo: Të gjitha këngët e repertorit tim janë pritur shumë mirë nga publiku, duke më përgëzuar sidomos patriotët e mi të komunitetit çam, por dhe nga të gjithë trevat e jugut më kanë pritur shumë mirë. Unë e shikoj këtë gjë kur shkoj nëpër gëzimet familjare si festa, dasma dhe koncerte që më presin shumë mirë si këtu në Shqipëri por edhe jashtë vendit, duke filluar me Europën, SHBA dhe vende të tjera.

CMG: Si ju ka pritur publiku i diasporës kur keni shkuar për koncerte?

Altin Malo: Ata janë të përmalluar shumë dhe na presin me krahë hapur. Unë sa herë kam shkuar për koncerte jashtë ku jetojnë shqiptarët jam pritur shumë mire dhe ndjehem vërtetë mirë. Unë kam pesë vjet që shkoj nëpër koncerte në SHBA dhe vende të tjera, duke u ndjerë shumë i kënaqur dhe i lumtur me pritjen e bashkatdhetarëve tanë.

CMG: Në repertorin tuaj muzikor keni sjellë këngë të vjetra popullore apo dhe krijimtari të re muzikore?

Altin Malo: Unë kam sjellë edhe krijimtari të re popullore. Në fillim të karrierës time jam prezantuar me këngët e vjetra të kënduara çame, pastaj kam publikuar dhe këngë të reja nga autorë të rinj dhe të vjetër.

Altin Malo

CMG: Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e produksioneve muzikore?

Altin Malo: Unë kam bashkëpunuar më shumë në realizimin e këngëve të mia që kam sjellë hite me kompozitorin Genci Malaj, kam punuar me Sokol Marsin si dhe kompozitorë të tjerë. Gjithashtu kam marrë pjesë në shumë aktivitete artistike si “Këngë Moj” apo dhe në këto takimet e grupeve të Çamërisë.

CMG: Ju përfaqësuat trevën e Çamërisë në spektaklin “Këngë Moj”, si jeni ndjerë në natën kushtuar këngëve çame?

Altin Malo: Jam ndjerë shumë i lumtur dhe u kënaqa shumë që përfaqësova trevën e Çamërisë në atë spektakël.

CMG: Keni pasur raste ta vishni kostumin popullor të krahinës tuaj?

Altin Malo: Jam ndjerë shumë krenar për atë kostum sepse ka vlera. Unë e kam veshur shumë herë kostumin popullor sepse kam marrë pjesë edhe nëpër ansamble këtu në Fier si Ansambli “Dodona” i Çamërisë, ku kemi dhënë koncerte nëpër qytete të ndryshme por dhe jashtë vendit. Jam ndjerë vërtetë kerenar kur e kam veshur  kostumin popullor të trevës së Çamërisë. Gjithashtu e kam përdorur edhe në këngët e mia gjatë xhirimeve të videoklipeve. Kostumi popullor është identiteti jonë.

CMG: Keni bashkëpunuar me këngëtarë të tjerë në duete?

Altin Malo: Kam realizuar duete me këngëtarë të tjerë, ku në fillim kam pasur një këngë të bukur ku morëm pjesë pesë këngëtarë. Një këngë tjetër ka qenë në bashkëpunim me një tjetër këngëtare, por që më tepër kam kënduar vetëm. Besoj se me kalimin e kohës do të bashkëpunoj edhe me këngëtarë të tjerë. Pra projektet e reja që kam tani janë në bashkëpunim me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore. Unë së shpejti do të vij me produksione të reja muzikore për këtë vit.

Altin Malo me kengetarin Ylli Baka

CMG: Përveç këngëve çame, cilën trevë keni lëvruar tjetër gjatë interpretimeve tuaja në evente të nrdyshme muzikore?

Altin Malo: Unë ngaqë jam i angazhuar me grupe muzikore siç kam dhe grupin tim muzikor, në dasma ka njerëz nga të gjitha krahinat dhe ne kemi bërë një repertor me këngë nga veriu në jug, që mos të themi se nuk i dimë, dhe pse unë jam për jugun, por në gëzimet familjare këndoj këngë nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Ndjehem shumë mirë kur këndoj dhe këngët e veriut apo ato të Korçës, të Shqipërisë së mesme dhe ndjehem i plotësuar.

CMG: Në cilat qytete keni qenë më i pranishëm gjatë aktiviteteve muzikore, por dhe gëzimet familjare?

Altin Malo: Unë nga Tirana deri në Sarandë kam qenë i angazhuar me punë  në çdo qytet nëpër koncerte dhe gëzime të tjera familjare. Edhe këtë vit besoj akoma më mirë sepse po e shikoj kalendarin që tani për rezervimet.

CMG: Cili është mendimi juaj për ecurinë e muzikës popullore këto vitet e fundit?

Altin Malo: Unë mendoj se muzika popullore duhet dëgjuar më tepër nga të rinjtë sepse folku ka shumë vlerë dhe nuk duhet të humbasë kurrë. Unë shikoj që po angazhohen shumë të rinj me këngën popullore dhe më bëhet qejfi për këtë gjë. Edhe unë kur isha i vogël kisha mundësi që të zgjidhja se pas vitit 1990 e këtej filluan dhe u hapën gjërat, kështu që kisha mundësi të zgjidhja dhe një rrymë tjetër muzikore, por  isha i dashuruar shumë me muzikën popullore dhe me trevën time. Sot po shikoj që ka plot të rinj që e duan muzikën popullore sidomos këtu në Shqipëri.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.

Altin Malo: Dua të përshëndes të gjithë adhuruesit dhe dashamirësit e këngës popullore, sidomos të krahinës time të Çamërisë.

Intervistoi: Gazmend Agaj