Admirali Bauer: Shqipëria promovon stabilitet dhe bashkëpunim në rajonin e Ballkanit Perëndimor
2023-02-11 14:55:40

Foto: RTSH

Shqipëria promovon stabilitet dhe bashkëpunim në rajonin e Ballkanit Perëndimor, deklaroi kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Rob Bauer.

I shoqëruar edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneral brigade Arben Kingji, admirali Bauer zhvilloi një leksion për stafin akademik dhe kursantë të Kursit të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm dhe Kursit të Lartë të Oficerit. Ai tha se Shqipëria aktivisht kontribuon me trupa për sigurinë e Aleancës.

Admirali Bauer theksoi se mbrojtja kolektive është thellësisht e ndryshme nga menaxhimi i krizave. “Në menaxhimin e krizave, koha ishte aleati ynë. Ne mund të planifikonim operacionet dhe misionet e menaxhimit të krizave. Por në mbrojtjen e përbashkët, koha përcaktohet nga kundërshtarët tanë. Është në dorën tonë si Aleancë mbrojtëse të jemi gati për të pritur të papriturën, në çdo kohë, në çdo fushë, në çdo cep të Zonës së Operacionit” tha kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Rob Bauer, raporton “RTSH”.

Në mesazhin drejtuar kursantëve shqiptarë, ai theksoi se roli i Kolegjit është që të përgatisë trupat për të papriturën. “Edukimi ju përgatit ju, liderët e së ardhmes, të jeni të aftë të përshtateni dhe të merrni vendime në një mjedis të paqëndrueshëm”,- tha ai. 

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH-së, gjeneral brigade Arben Kingji, vlerësoi admiralin Bauer për vëmendjen dhe kohën e kushtuar për stafin akademik dhe kursantët e Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë si një strukturë e re e FA-së.

“Që pas konfliktit Rusi-Ukrainë kemi hyrë në një epokë të re të sigurisë globale, në një epokë pasigurish. Jemi më se të ndërgjegjshëm që ky konflikt mund të ndikojë në rajon, në Ballkanin Perëndimor. Projektimi i stabilitetit përtej kufijve, përmirësimi i qëndrueshmërisë ndaj luftës hibride dhe forcimi i mbrojtjes kibernetike mbetet një sfidë kryesore. Siguria është një përpjekje ekipore dhe kontribut ekipor dhe Aleanca është epitet i unitetit dhe kohezionit”, u shpreh Kingji. (Irma)