Foto: VCG
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, njoftoi se organizmi botëror do të nisë një apel të shpejtë javën e ardhshme për mbështetjen e donatorëve për të prekurit nga tërmeti në Siri.
“Tërmeti që goditi Turqinë dhe Sirinë është një nga fatkeqësitë më të mëdha natyrore të kohërave tona”,- u tha Guterres gazetarëve, duke theksuar se shtrirja e plotë e dëmit dhe e krizës humanitare ende nuk është evidentuar, citon “Xinhua”.
Ai vuri në dukje se tërmeti goditi pasi kriza humanitare në veriperëndim të Sirisë tashmë po përkeqësohej, me nevojat në nivelin më të lartë që nga fillimi i konfliktit.
Guterres tha se karvani i parë i OKB-së, i cili përfshinte gjashtë kamionë me ndihma dëshpërimisht të nevojshme, kaloi në veri të Sirisë të enjten përmes vendkalimit Bab al-Hawa në kufirin me Turqinë.
“Më shumë ndihmë është në rrugë e sipër, por nevojiten shumë, shumë më tepër”, tha ai, duke shtuar se Kombet e Bashkuara kanë bërë të pamundurën për të garuar përgjigje për popullatën e prekur dhe janë të përkushtuara për të bërë shumë më tepër.
Fondi Qendror i Kombeve të Bashkuara për Reagimin Emergjent ka lëshuar 25 milionë dollarë amerikanë për të filluar reagimin.
“Deri në fillim të javës së ardhshme, ne do të nisim një thirrje të shpejtë për mbështetje nga donatorët për ata që janë prekur nga tërmeti në Siri”,- tha Guterres, duke shtuar se Kombet e Bashkuara janë gjithashtu të gatshme të mbështesin përgjigjen e qeverisë turke në çdo mënyrë që munden.
Guterres tha se i ka kërkuar nënsekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Çështjet Humanitare dhe Koordinatorit të Ndihmës Emergjente Martin Griffiths që të udhëtojë në zonat e prekura nga tërmeti.
Griffiths, tashmë në Turqi, do të vizitojë gjithashtu Alepon dhe Damaskun në Siri, për të vlerësuar nevojat dhe për të parë se si Kombet e Bashkuara mund të rrisin mbështetjen.
“Ky është momenti i bashkimit, jo për të politizuar apo përçarë, por është e qartë se ne kemi nevojë për mbështetje masive. Do të isha shumë i lumtur nëse në lidhje me OKB-në do të ekzistonte mundësia për ta bërë këtë edhe në sa më shumë kalime të jetë e mundur. Ky është një moment në të cilin të gjithë duhet ta bëjnë shumë të qartë se asnjë sanksion i asnjë lloji nuk ndërhyn në lehtësimin e popullatës së Sirisë në momentin e tanishëm”, tha ai. (Irma)