Ministria e Bujqësisë mbështetje aftësimit të të rinjve në agrobiznes
2023-02-11 12:04:26

Foto:RTSH

Ministria e Bujqësisë përmes një programi të ri me njohuri teorike e praktike, po mbështet aftësimin e të rinjve në agrobiznes, me synim integrimin e tyre në sipërmarrje të reja në bujqësi. 

Në bashkëpunim me FAO-n dhe UBT-në, ministria do të çelë prej 15 shkurtit deri më 1 mars aplikime në të gjithë sektorët e ekonomisë, për projekte për zhvillimin e bizneseve agroturistike, shkruan “RTSH”.

Aplikimi bëhet për të rinj të sapodiplomuar apo në vitin e fundit të studimeve që duan të marrin një eksperiencë të vlefshme.

Rreth 25 të rinj do të përzgjidhen për të zhvilluar një program i cili integron njohuritë teorike të sipërmarrjes dhe të digjitalizimit me njohuri praktike në biznese të suksesshëm të përdorimit të administrimit te biznesit dhe digjitalizimit në sektorin e bujqësisë, blegtorisë, turizmit rural, eksportit dhe përpunimit të produkteve, me qëllim krijimin e mundësive për të hapur biznesin e tyre në zonat rurale.

Sipas ministres së Bujqësisë, Frida Krifca, ky program ka dy objektiva të rëndësishme, integrimin e të rinjve në sektorin e bujqësisë dhe të forcojë komponentin digjital në bujqësi. (Irma)