“Eurovision 2023” i cili pritet të zhvillohet këtë vit në datat 9, 11 dhe 13 maj në Liverpul, tashmë ka bërë publike listën e shteteve përkatëse, të cilat do të performojnë në dy netët gjysmëfinale. Shorti i ndarjes u zhvillua në St. George's Hall në Liverpul dhe u organizua nga AJ Odudu dhe Rylan Clark-Neal. Rendi i zhvillimit të gjysmëfinaleve do të vendoset më vonë nga producenti britanik BBC dhe do të miratohet nga EBU.
Sipas shortit Shqipëria është vendosur të performojë në natën e dytë gjysmëfinale të 11 majit, në të cilën do të garojnë 16 shtete. Krahas Shqipërisë, në natën e dytë do prezantohen Armenia, Qipro, Rumania, Danimarka, Belgjika, Islanda, Greqia, Estonia, Australia, Austria, Lituania, San Marino, Sllovenia, Gjeorgjia dhe Polonia. Ndërsa në natën e parë do të garojnë 17 shtete të cilat janë: Serbia, Letonia, Irlanda, Norvegjia, Portugalia, Kroacia, Malta, Suedia, Moldavia, Zvicra, Izraeli, Holanda, Finlanda, Azerbajxhani dhe Republika Çeke. Vetëm 10 shtete nga nata e parë dhe 10 shtete nga nata e dytë do të kualifikohen për në finalen e madhe të 13 majit. Njëzet finalistëve nga dy netët gjysmëfinale, iu bashkëngjiten pesë shtetet e përhershme finaliste si Spanja, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Gjermania si dhe shteti fitues i vitit të kaluar Ukraina, të cilët plotësojnë listën e 26 shteteve finaliste.
Shqipëria sivjet përfaqësohet në Eurovision nga Albina dhe Familja Kelmendi me këngën “Duje”, me tekst nga Erjona Rushiti dhe muzikë nga Enis Mullaj. Ja si është shprehur poeti Agim Doçi, në një prononcim për mediat sa i përket këngës përfaqësuese të Shqipërisë: “Një mençuri që më ka befasuar. Albina dhe familja Kelmendi tregojnë rrënjët shqiptare. A keni parë në festivalin Europian? Atëherë, çoni muzikën shqiptare. Ku janë këngët me vlerë shqiptare, ku janë ato këngët, ku janë ato festivalet që sot edhe rinia i duartroket? Ne edhe dasmat dikur i hapnim me muzikën e Agim Prodanit “Me të bardha veshur”.
Këtë herë organizimi i Festivalit Europian të Këngës nuk shkoi sipas traditës, pasi orkestra “Kalush” nga Ukraina, ishte fituese e edicionit të kaluar, por për shkak të situatës në këtë vend është zhvendosur në Liverpul. Këtë vit Shqipëria çon në Eurovision Familjen Kelmendi nga Peja, nga një mënyrë tjetër votimi. Ata arritën që t’i fitojnë zemrat e publikut, duke u bërë kështu fituesit e parë të këtij festivali të përzgjedhur nga votat e publikut. Pas tre netësh konkurimi ata u shpallën fitues mes 26 krijimesh të përzgjedhura për Fest ‘61.
Liverpuli është përzgjedhur si qyteti mikpritës për edicionin e 67-të të Eurovision, pas një gare të ngushtë me Glasgou-n. Finalja e Madhe e “Eurovision Song Contest 2023” do të zhvillohet në “Liverpool Arena” më 13 maj, ndërsa gjysmëfinalet do të mbahen të më 9 maj dhe 11 maj. Ukraina u shpall fituese e “Eurovizion Song Contest 2022” me 631 vota. Grupi Kalush Orchestra me këngën “Stefania” arritën të fitonin me votat e publikut, duke lënë në vend të dytë Britaninë e Madhe.
Kënga “Duje” interpretuar nga Albina Kelmendi dhe Familja Kelmendi janë fituesit e çmimit të parë në edicionin e 61-të të Këngës në RTSH, falë votave maksimale nga publiku, gjithashtu ata fituan edhe çmimin e dytë nga vlerësimi i jurisë profesioniste. Këngëtarja Albina Kelmendi u shpreh pas fitores së çmimit të parë nga publiku në Fest’61: “Faleminderit shumë! Ju lutem një duartrokitje të madhe për tekstshkruesen, kompozitorin e këngës. Do ju përfaqësoj në mënyrën më të mirë të mundshme. Faleminderit!”, ishin fjalët e këngëtares Kelmendi e cila bashkë me familjen e saj do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2023.
Slogani i këtij viti i Eurovision-it, që do të mbahet në Liverpul, do të jetë; “Të bashkuar nga Muzika”. Ndërsa logoja për këtë vit, shfaq disa zemra që rrahin në të njëjtën kohë. Sipas BBC-së, slogani i këtij viti reflekton origjinën e këtij kompeticioni të këngës që u krijua fillimisht si një mënyrë për të bashkuar Europën në një vend.
Përgatiti: Sava Lena