Muzetë në Kinë ecin me hapin e brezit të ri me përvojë të re
2023-02-10 10:22:01

Foto nga VCG

Muzetë në Kinë kanë filluar të përshtatin programet me kërkesat e kohës, duke tërhequr më shumë të rinj në gjirin e tyre, shumë prej tyre adhurues. Një risi është edhe bashkëpunimi mes muzeve, gjë që mund të kapërcejë kufizimet gjeografike dhe hapësinore dhe të rigjallërojnë reliktet. Gjatë festës shtatëditore të Festivalit të Pranverës, duke filluar nga 21 janari, muzetë në Pekin patën rreth 1.01 milionë vizita, 34 për qind më shumë në baza vjetore, sipas Zyrës Komunale të Trashëgimisë Kulturore të Pekinit.

Për Liu Ziqi, një adhuruese tetëvjeçare e muzeve në Pekin, këto pushime dimërore ishin mjaft të ngarkuara, pasi ajo bëri një listë për të parë ekspozitat e sapohapura në kryeqytetin kinez.

Gjatë festës shtatëditore të Festivalit të Pranverës, duke filluar nga 21 janari, muzetë në Pekin patën rreth 1.01 milionë vizita, 34 për qind më shumë në baza vjetore, sipas Zyrës Komunale të Trashëgimisë Kulturore të Pekinit.

Ashtu si Liu, gjithnjë e më shumë të rinj, disa jo domosdoshmërish adhurues të mëdhenj të muzeve, zgjodhën të kalonin një pjesë të kohës së lirë në një muze.

Bashkëpunimi

“Ka më shumë ekspozita speciale dhe më shumë ekspozita të përbashkëta, veçanërisht ajo midis Muzeut Kombëtar dhe Muzeut të Pallatit”, tha Liu, kur u pyet për ndryshimin më të dukshëm gjatë vizitës së saj të fundit në muze.

Eventi që Liu i referohet është “Bashkëjetesa harmonike”, i pari i mbajtur së bashku nga dy muzetë në vitet e fundit. Duke shfaqur mbi 400 objekte, nga fotografitë që përshkruajnë legjendat e lashta kineze deri te kopjet e klasikëve filozofikë, ai shtjellon origjinën historike të koncepteve të harmonisë dhe unitetit, të cilat i kanë rrënjët në kulturën kineze.

“Mbresëlënëse. Ishte me të vërtetë një bashkëpunim i fuqishëm. E kuptova se çfarë ishte ekspozita pasi pashë dy paraqitjet e fundit”,- tha një përdorues i “Weibo”.“Ekspozitat e përbashkëta, ekspozitat shëtitëse dhe ekspozitat e ndërsjella mund të kapërcejnë kufizimet gjeografike dhe hapësinore dhe të rigjallërojnë reliktet”, tha Yan Hongming, kryetar i Shoqatës së Muzeut Zhejiang.

Bashkëpunimet midis muzeve dhe organizatave të artit ndihmojnë gjithashtu brezin e ri të afrohet më shumë me reliktet duke rijetuar historitë pas tyre.

Nëntorin e kaluar, një grup interpretimi muzikor dhe vallëzimi rikrijoi bukurinë femërore dhe zakonet shoqërore të dinastisë Tang (618-907) duke paraqitur një portret në skenë të “Zonjat me lule në flokë”, një pikturë që ndodhet në muzeun në provincën Liaoning të Kinës verilindore.

Muzetë po rinovojnë format e tyre për të tërhequr më shumë njerëz. “Luduan”, një muzikal për fëmijë që mban emrin e një njëbrirëshi në mitologjinë kineze, është një prodhim i Muzeut të Pallatit dhe është vënë në skenë në Qendrën Kombëtare për Artet Performuese javën e kaluar. Imazhet e “Luduan” mund të gjenden në shumë vende në muzeun e Pallatit.

Ndërveprim

Bai Xuesong, narrator profesionist për më shumë se 10 vjet, në muzeun “Beilin”, në Xi'an, në provincën Shaanxi të Kinës veriperëndimore, vuri re se më shumë vizitorë presin prezantime të specializuara për reliktet kulturore.

“Beilin”, që do të thotë pyll me stela guri në kinezisht, është një vizitë e domosdoshme për adhuruesit e kaligrafisë dhe historisë. Në Kinë, shumë kryevepra të kaligrafisë të kaligrafistëve të mëdhenj u gdhendën në stela guri.

“Gjithnjë e më shumë vizitorë filluan të bënin pyetje dhe ndonjëherë ne nuk mund të jepnim një përgjigje”,- tha Bai, duke shtuar se kjo tregon një ndryshim në marrëdhëniet midis transmetuesve dhe vizitorëve, nga mësimi në komunikimin ndërveprues dhe të mësuarit reciprok.

Teknologjitë e reja, duke përfshirë inteligjencën artificiale dhe realitetin virtual, u mundësojnë muzeve në Kinë të bëjnë një ndryshim nga ekspozimi i pastër i artefakteve në angazhimin aktiv me vizitorët.

Liu Tingting, një e re që viziton muzeun, ishte e emocionuar kur përjetoi se si teknologjitë e kthyen atë në dinastinë e lavdishme Tang në Muzeun e Trashëgimisë së Pallatit Daming.

“Pashë dekorimet e çatisë së qeramikës për pallatin e dinastisë Tang, dhe gjithashtu mësova se si ishin instaluar duke parë projeksione digjitale. Pashë figura të shoqërueseve femra dhe provova grimin e tyre gjithashtu në ekran. Më duket sikur po udhëtoj përsëri në dinastinë Tang. Tani ndihem më afër historisë”,- tha Liu pasi vizitoi muzeun në Xi'an.

Duke përshtatur aktivitete të shumta ndërvepruese dhe edukative për fëmijët, Muzeu i Makinave i Pekinit u bë gjithashtu një destinacion i domosdoshëm për adhuruesit e rinj të muzeut. Mbi 50.000 vizita u bënë në muze nga 21 janari deri më 5 shkurt, Festivali i Fenerëve.

Ndryshim i kërkesave

Sipas të dhënave nga Administrata Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore (NCHA), numri i muzeve në Kinë ishte 6183 deri në fund të vitit 2022, dy herë më shumë se në vitin 2012. Vetëm në vitin 2021, 395 muze të rinj u shtuan në regjistrat e administratës. .

“Për publikun, aktivitetet intelektuale dhe kulturore po bëhen gradualisht domosdoshmëri të pandashme të jetës së tyre”,- tha Jin Jiangbo, zv.drejtor i Akademisë së Arteve të Bukura të Universitetit të Shangait, duke shpjeguar arsyet e këtij bumi në muze.

Sipas një udhëzimi të lëshuar nga administrata dhe tetë departamente të tjera në vitin 2021, do të bëheshin përpjekje për të integruar muzetë me industritë duke përfshirë arsimin, shkencën dhe teknologjinë, turizmin dhe tregtinë.

Integrime të tilla po i transformojnë muzetë nga vende të thjeshta të kulturës dhe edukimit publik në komplekse shërbimesh publike, duke plotësuar nevojat e brezit të ri që duan përvoja të larmishme kulturore.