Shpirti krijues i Luljeta Danos
2023-02-10 10:09:44


Luljeta Dano është e njohur për publikun shqiptar si një kontribuese në kulturë. Ajo ka në duar një pasuri të tërë.  Qasja personale për t’u angazhuar në koleksionimin e veshjeve të vjetra popullore, që mbartin vlera etnografike, shkon përtej pasionit të Luljeta Danos për ruajtjen me fanatizëm të traditës kulturore në trevat e ndryshme vendëse. Një pasion, që rëndon jo pak në buxhetin e saj financiar, me një kosto kohore që prek jo vetëm atë, por edhe familjarët.
Të gjitha këto përpjekje e kanë një qëllim: ruajtjen e vlerave dhe trashëgimisë kulturore shqiptare. Koleksioni i Luljetës vijon të pasurohet çdo ditë me veshje dhe objekte të reja etnografike. Ka qenë dhe vijon të jetë një nga kontribueset kryesore në futjen e Xhubletës në UNESCO. Ndërsa përtej këtij pasioni që është kthyer shumë shpejt edhe në një profesion, ajo shkruan. Një nga librat më të rinj që ajo ka publikuar është me figura historike dhe i dedikohet superheronjëve shqiptarë. Luljeta  e ka publikuar librin me dashuri dhe përkushtim pasi mendon se fëmijët duhet të edukohen me figurat e mëdha shqiptare, të cilat kanë luftuar dhe kanë mbrojtur vendin.  Ky libër pritet të vijë në sytë e lexuesve të vegjël si një panoramë e bukur e së kaluarës, ata duhet të besojnë në forcën e të parëve tanë.
Në një intervistë për Radio Ejani Luljeta Danaj flet për jetën dhe krijimtarinë e saj.

CMG: Ju keni një pasion shumë të madh dhe me vlera për kombin shqiptar, koleksionimi i veshjeve popullore. Si nisi ky rrugëtim?

Luljeta Dano: Besoj se një objekt me vlerë ka shpirtin e tij, ka të gjallën në qenien e tij. Procesi i lidhjes së këtij objekti me njeriun është produkt i ndërlidhjes universale të gjërave. Kam pasur një lidhje të ngushtë me stërgjyshen time, Maja Licën. Aroma e kujtimeve të dashura e të shtrenjta me të, pasuria e sendeve të saj, them se janë një veçori gjenetike për të shkuar te koleksionimi. Në këtë marrëdhënie familjare nuk ishte thjesht fati i mirë të rritesh me stërgjyshen, por ajo më dhuroi një ndjesi të fortë, se sa më poshtë të zbrisje në kohë, aq më të bukura ishin gjërat që mund të shihje dhe të mësoje.

CMG:  Fëmijëria juaj si ka qenë, nëse mund ta risillnim si kujtime të shenjta për ju?

Luljeta Dano: Para kohës jemi të gjithë të barabartë dhe unë si çdokush Fëmijëria ka tendencën që në kujtimet tona të vijë  shumë stinë e artë e jetës sepse ka të bëjë më dashurinë dhe atë engjëllin që është brenda fëmijës. Ne kemi pasur fatin që jemi  nga një brez, i cili ka pasur një fëmijëri shumë të bukur. Shoh fotot bardhezi dhe kuptoj që jeta kishte një ritëm që kishte më shumë gëzim. Jemi rritur me gjyshër dhe ishin shumë të pranishëm në jetën tonë dhe ata na jepnin siguri.  Mes të moshuarve dhe fëmijëve ka një aleancë shumë të fortë. Fëmija do të zbulojë botën ndërsa të moshuarit e kanë zbuluar më parë atë.

CMG: Në vitet që ju u arsimuat nuk keni pasur këto lehtësira që keni sot dhe pavarësisht kësaj arritët shumë dhe ikët shumë larg. Si ja dolët?

Luljeta Dano: Unë jam rritur në Fier dhe ishte një qytet me një fuqi të lartë ekonomike pas Tiranës. Kishte rrethe intelektuale për t’u pasur zili, të cilët në vitet më pas më vinte keq që nuk ishin më aty, pasi brezat ndryshojnë. Në brezin tim kishte ende njerëz që përcillnin filozofi të bukur jete dhe vërtet kishte shumë mungesa sidomos në lidhje me bibliotekat, por kishte më shumë jetë me librin dhe njerëzit kishin një aleancë mes tyre. Libri mbulonte shume vese që sot e harxhojmë kohën me kënaqësi të tjera, qoftë intelektuale apo çlodhëse. Në atë kohë libri kishte vlerë.

CMG: Arrini ta kujtoni librin që ju ka ndryshuar jetën?

Luljeta Dano: Po arrij ta kujtoj patjetër, unë sa mbarova abetaren lexova “Shpella e Piratëve” nga Petro Marko. Të gjitha kujtimet e mia janë të shenjta dhe fakti që e kam nisur me libra të mirë rrugëtimin tim me librin, ka qenë më pas dëshmitar i gjithë rrugëtimit tim  në jetë. Babai im, pavarësisht që ishte një punëtor i thjeshtë, kishte një bibliotekë shumë të madhe në shtëpi dhe nuk linte libër pa blerë.

CMG: Ju jeni produkt i leximeve të mira?

Luljeta Dano: Po patjetër, ndryshe nuk do ishim lidhur kaq ngushtë me fjalën.
CMG: A bëni ju reflektime me veten tuaj?

Luljeta Dano: Ka gjëra që në jetë i bëjmë me nxitim dhe kur vijmë në një moshë tjetër them që mund ta kisha bërë më mirë diçka. Në këtë moshë që jam më vjen pak keq që nuk kam bërë disa specilizime që për mua nuk do të ishin thjesht stoli akademike për t’i pasur aty, por do më kryenin funksion tani që edhe ndjek këtë rrugëtim.

CMG: E doni kaq shumë Shqipërinë, që punoni kaq shumë për të?
Luljeta Dano: E dua siç e duan të gjithë, ndaj dhe punoj kaq fort.

CMG: A ka një objekt të veçantë që ju e mbani me shumë kujdes dhe e keni përzemër?

Luljeta Dano: Nuk është një objekt i përveçëm, është një tërësi objektesh muzeore etnografike, që përfshijnë një hartë, kryesisht të Veriut të Shqipërisë dhe trojeve shqiptare rrotull tij, jashtë kufirit administrativ të Shqipërisë. Eshtë universi i xhubletës shqiptare, që e shoqëroj me familjen tjetër, për nga sistemi i simboleve shumë e afërt me të, veshja kombëtare e Mirditës, veshja kombëtare e Malësisë së Gjakovës etj.

CMG: A është më bukur të koleksionosh apo të shkruash?

Luljeta Dano: Të dyja janë tanimë fort të lidhura me njëra-tjetrën. Ka një ligj në antropologji, që thotë se edhe duke e vështruar një komunitet pa bërë asgjë, ke aftësinë të ndikosh, ta ndryshosh atë. Vështrimi im pa veprim ndaj etnokulturës shqiptare shkon përtej koleksionit tim dhe përtej krijimtarisë sime.

CMG: Si ndiheni tani që xhubleta është pjesë e UNESCO-s?

Luljeta Dano: Ndihem e lumtur shumë. Xhubleta tani është e shpirtëruar, e njerëzuar dhe ndihem e lumtur që më ne fund pas një kohe kaq të gjatë ajo do të mbrohet dhe do t’i përcillet brezave. Realisht brenda marrëdhënies sime me të, ajo më ka dhënë më shumë se i kam dhënë.

CMG: A keni pasur mundësi që të takoni gratë, të cilat punojnë me xhubletën madhështore?

Luljeta Dano: Është një marrëdhënie e ngushtë e tyre me xhubletën. Nuk janë vetëm gra por janë edhe burra që merren me bartjen kulturore. Cdo gjë është e tyre njëherësh. Unë adhuroj figurën e tyre sepse megjithëse kanë qenë aq të izoluar, kanë pasur një kulturë të shenjtë. Jeta  e tyre e izoluar pati një aspekt pozitiv sepse u mbrojt .

CMG: Libri juaj i fundit për të gjithë fëmijët, i cili ka në të figura historike, si lindi?
Luljeta Dano: Unë e dua shumë atë libër, pavarësisht që është një libër i vogël. Është gojëdhëna e fundit të Eposit të Kreshnikeve. Unë kam bërë edhe një dokumentar për Eposin para gati 14-viteve dhe në një prej atyre pushimeve të vogla kam shkruar librin. Libri është shkruar një ditë të bukur të diele dhe është gati për të gjithë lexuesit. Unë e kam kthyer në shqipen letrare si edhe e kam veshur me detaje etnografike. Mendoj që ka dalë  tejet interesant dhe kam emocione shumë të veçanta pasi fëmijët po rriten me figurat, të cilat kanë forcën si kryefjalë. Pse të mos njihen me figura historike shqiptare?

CMG: Ju keni shkruar  romanin “Casa  Casino”, çfarë mund të na thoni për të?

Luljeta Dano: Ky roman i vogël u shkrua në vitet 2002 - 2004, me një risjellje nga botimet Faik Konica në Prishtinë, më 2018. Ato vite kam udhëtuar shpesh në Athinë dhe ishuj grekë për të gjetur ishullin "tim" të romanit. Kur mbarova dorëshkrimin dhe shkova sërish në ishullin Sikinos, u njoha me Ana V,  që më tregoi jetën e saj. Kisha shkruar një histori, një novelëz letrare të strukturuar që nga Tirana, të shkruar duke udhëtuar nëpër ishuj e në Athinë përgjatë dy viteve dhe në fund takova një grua reale, që dukej sikur kisha përshkruar jetën e saj.
Në gjithë lëndën e vjelë nga bota greke, ende ruaj intervista të shumta në Athinë e ishujt Spetses, Hidra, Samothrakë, Paros, Antiparos, Naksos, Sikinos, Qefaloni, Lefkadha, Itakë, shënime nga mesjeta në ishujt grekë, i nxorra nga libra të vjetër në Bibliotekën e Athinës. E tëra ajo përvojë  më shumë ishte një vështrim antropologjik, sesa shkrimtari.  Kisha një tërheqje të fortë nga rrëfimet personale në tryeza darkash në familjet e miqve të mi grekë. E flisnin atë që kish shkuar keq në jetën e tyre me zemrën në dorë.

Tryezat e begata ne në Shqipëri i kemi tip: të zhurmshme e festive. Shpesh i mbushim me batuta anekdodike, në të cilat ai që flet është heroi... Antropologjia ka një ligj themelor: Antropologu vetëm duke e vëzhguar, pa bërë asgjë, ka fuqinë të ndikojë e të ndryshojë një realitet.

Në romanin “Casa – Casino”, brenda një historie që ndodh në një vend të huaj dhe larg, unë kam shkarkuar, tokëzuar edhe këtë tronditje të madhe psikike e shpirtërore personale, në lidhje me filozofinë e luftës në historinë e qytetërimit njerëzor. Njeriu i ngjan më shumë historisë së popullit të tij, sesa babait të vet

Intervistoi: Megi Latifi