ICAO parashikon rikuperim të shpejtë të udhëtimeve ajrore në vitin 2023
2023-02-10 11:24:01

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kërkesa për pasagjerë ajrorë do të rikuperohet me shpejtësi në nivelet para pandemisë në shumicën e linjave deri në tremujorin e parë të këtij viti dhe pritet të tejkalojë nivelet e vitit 2019 me rreth 3 për qind deri në fund të vitit, sipas Organizatës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar (ICAO).

“Parashikimet për pasagjerët ajrorë që ICAO po njofton bazohen në momentin e fortë drejt rimëkëmbjes në 2022-shin, siç është vlerësuar më parë nga analiza statistikore e ICAO”,- tha sekretari i përgjithshëm i organizatës, Juan Carlos Salazar.

Sipas ICAO, numri i pasagjerëve ajrorë të transportuar në vitin 2022 u rrit me rreth 47 për qind krahasuar me vitin 2021. Trafiku total u rrit me rreth 70 për qind gjatë së njëjtës periudhë, kryesisht për shkak të rimëkëmbjes së shpejtë nga shumica e linjave ndërkombëtare, bën të ditur “Xinhua”.

Në vitin 2022, porositë dhe dërgesat e avionëve nga prodhuesit kryesorë “Airbus” dhe “Boeing” u rritën përkatësisht me 53 për qind dhe 20 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Numri i porosive në vitin 2022 tejkaloi atë që është parë që nga viti 2019, duke treguar rikuperimin e kërkesës për avionë.

Sipas ICAO, linjat ajrore pritet të kthehen në përfitueshmërinë operative në tremujorin e fundit të 2023-shit pas tre vitesh humbje radhazi.

Kërkesa për pasagjerë ajrorë në vitin 2024 pritet të jetë më e fortë, rreth 4 për qind më e lartë se në vitin 2019.

ICAO është një agjenci e Kombeve të Bashkuara, e cila ndihmon 193 vende të bashkëpunojnë. (Elona)