Ekspertët, por edhe institucionet e ekonomisë kanë paralajmëruar se 2023 do të jetë një vit ekonomik i vështirë, me rikthim në recesion, duke parashikuar se shtetet që udhëheqin ekonominë botërore, mund të përballen me një stanjacion të fortë për shkak të dobësimit të aktivitetit ekonomik, shkaktuar nga pandemia Covid-19 dhe konfliktet e armatosura.
Drejtuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, tha se 1/3 e ekonomisë botërore pritet të ndalet në rececion dhe se 2023 do të jetë një vit financiar edhe më i vështirë se viti i kaluar, sipas “Financial Times”.
Dr. Enriko Ceko në intervistë për CMG
FMN ka parashikuar një rritje ekonomike për vitin 2023 jo më shumë se 2.7%, në rënie nga 3.2% që ishte parashikuar më herët Çmimet e larta, problemet për furnizim, rritja e normave të interesit dhe konflikti i vazhdueshëm në Ukrainë, janë shkaktarët e frenimit të rritjes ekonomike.
Sipas FMN, në recesion këtë vit mund të përjetojë edhe ekonomia më e madhe në botë, ajo amerikane, edhe pse ekonomistët vendës thonë se SHBA-të mund ta shmangin këtë, me shtrëngime të politikave të qeverisë dhe rritje të lehtë të normës së interesit, që lehtëson presionin e inflacionit.
FMN, në parashikimin e tij thekson se Europa do ta ndjejë më shumë krizën ekonomike këtë vit, me ndikimin e konfliktit Rusi-Ukrainë, rritjen e çmimeve të ushqimeve, të energjisë dhe inflacionit. Banka Qendrore Europiane parashikon që ekonomia europiane të rritet këtë vit me 0.5%, me 1.9% në 2024 e të bjerë sërish në 1.8%në vitin 2025.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka rritur parashikimin e tij për rritjen ekonomike të Kinës në 5.2 për qind në 2023, 0.8 pikë përqindjeje më shumë nga parashikimi i tij në tetor, pasi tha se rihapja e fundit e vendit ka hapur rrugën për një rimëkëmbje më të shpejtë se sa pritej.
Së fundmi FMN ka publikuar Raportin e perspektivës së ekonomisë botërore për vitin 2023. Dr. i shkencave ekonomike Enriko Ceko analizon këtë raport në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës
CMG: FMN në raportin e perspektivës së ekonomisë botërore ka parashikuar se 1/3 e saj pritet të ndalet në recesion dhe se 2023 do të jetë një vit financiar edhe më i vështirë se viti i kaluar. Cilët janë faktorët që do të ndikojnë në këtë prognozë të institucionit të rëndësishëm financiar botëror?
Fondi Monetar ndërkombëtar (Foto News 24)
Dr.Enriko Ceko: Fondi Monetar Ndërkombëtar prej vitesh publikon një raport ku paraqet parashikimin për të paktën 3 vitet e ardhshme. Ky raport ecën paralel me gjetjet e Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, i cili mbylli punimet para disa ditësh dhe ky raport është në përputhje me pritshmëritë e të gjitha institucioneve financiare ndërkombëtare, por dhe të njësive investiguese elaborative të fushës së ekonomisë, të cilat financohen nga organizma ndërkombëtare dhe nga qeveri të shteteve që janë të interesuara për ekonominë botërore. Pothuajse të gjitha raportet përmendin faktin që vendet e zhvilluara do të jenë përballë një situate ku inflacioni do të jetë shumë vështirë që të përballohet duke rritur normat e interesit. Nga ana tjetër dhe emetimi i parasë në qarkullim nuk do të sillte ndonjë efekt pozitiv për një balance midis inflacionit dhe normave të interesit.
Në aspektin praktik kjo do të thotë që për vendet e zhvilluara do të jetë shumë më e vështirë se më përpara për të hapur vende të reja pune. Këto janë tregje shumë të mëdha që edhe pse kanë nevojë për produkte përfundimtare e kanë shumë të vështirë nxjerrjen e lëndëve të para. Vendet e zhvilluara gjenden përballë kësaj situate, këtij rrethi të mbyllur dhe e vetmja mundësi që të përballohet kjo situate për periudhën afatshkurtër, që është 6 mujori i pare i vitit 2023 dhe afatmesme, nga marsi-prilli i vitit 2024. E vetmja mundësi për t’i dhënë një shtytje ekonomisë botërore është që hapja e tregjeve ndërkombëtare të shoqërohet me mekanizmin shtytës që ka ekonomia e vendeve në zhvillim. Bëhet fjalë për vendet BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) janë ekonomitë të cilat po përbëjnë motorrin e ekonomisë botërore në aspektin e furnizimit me lëndë të pare.
Nëse do të shohim periudhën e pandemisë dhe atë pas pandemisë, zinxhiri i furnizimit me mallra dhe shërbime në të gjithë botën u përballua nga vendet BRICS. Në dallim nga vitet e mëparshme në zinxhirin e furnizimit të këtyre vendeve u përfshinë njerëzit dhe kapitali. Ndërkohë që para pandemisë vërtetë zinxhiri i furnizimit ishte pak a shumë i shpërndarë në botë me një prioritet nga vendet BRICS, kapitali dhe burimet njerëzore ishin në vendet e zhvilluara. Ndryshimi shumë i madh pas pandemisë është që puna, kapitali, lëndët e para dhe shërbimet tani janë pjesë e zinxhirit të furnizimit të vendeve në zhvillim.
CMG: FMN, në parashikimin e tij thekson se Europa do ta ndjejë më shumë krizën ekonomike këtë vit, me ndikimin e konfliktit Rusi-Ukrainë, rritjen e çmimeve të ushqimeve, të energjisë dhe inflacionit. Në vlerësimin tuaj cilat janë mundësitë e Europës për të ndryshuar këtë perspective?
Dr. Enriko Ceko: Europa që nga vitet 80-të është gjendur si “salçiçja në mes të sanduiçit”, ku në të dy krahët janë ekonomitë botërore dhe grupet e mëdha ekonomike dhe Europa në mes një kontinent ku pjesa perëndimore nuk ka shumë burime natyrore, sepse ato ndodhen në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine. Duke mos patur mundësi për burime natyrore mendimi ekonomik europian është i orientuar drejt realizimit të produkteve dhe shërbimeve dhe me kosto sa më të ulët të lëndëve të para. Opsioni më i mire për një periudhë të paktën 50 vjeçare për Europën është që tregu kryesor ku Europa do të bazojë ekonominë e saj do të jetë tregu aziatik dhe kryesisht hapësira kineze. Nëse do të bëjmë një krahasim midis llojit të lëndëve të para që i duhen Europës dhe llojit të lëndëve të para që janë në botë kontinenti aziatik është më i përshtatshëm për të gjithë gamën e lëndëve të para. Kostot e prodhimit të lëndëve të para në kontinentin aziatik janë më të mira për Europën krahasuar me koston në Afrikë dhe në Amerikën Latine, jo thjesht kostot e nxjerrjes, por përfshirë dhe ato të transportit.
CMG: Aq më tepër në kushtet e krizës së karburanteve
Dr. Enriko Ceko: Sigurisht. Nëse do të bëjmë krahasimin e kostos së një kontenjeri që vjen nga të dy Amerikat për në Europë është rreth 3800 euro, ndërsa kostoja e një kontenjeri nga Kina për në Europë është rreth 1900 euro. Kështu që çfarëdo lloj gjëje të ketë kontenjeri mjafton kostoja e tij për transport që të bëhet diferenca e produktit, shërbimit apo kapitalit apo njerëzve.
Raporti i FMN (Foto CMG)
CMG: Në media është theksuar që këtë vit Italia pritet të hyjë në recesion. Opinioni juaj
Dr. Enriko Ceko: Ekonomia europiane, përveç mungesës së lëndëve të para për periudhën afatgjatë, ka dhe një problem strukturor. Ne flasim për një ekonomi të madhe të rreth 450 milionë banorëve në një territor ku ende politika e përbashkët e Bashkimit Europian, politika agrare ende nuk ka gjetur zbatim. Nëse do të bëjmë një diferencë midis vendeve në zhvillim dhe vendeve të zhvilluara, që është dhe Europa Perëndimore, ku Italia bën pjesë do të shohim që ekonomitë të cilat bazohen kryesisht në industri, janë ekonomitë që vuajtën më shumë gjatë periudhës së pandemisë. Ndërkohë që ekonomitë që ishin të bazuara te bujqësia dhe agrobiznesi nuk paten këtë situate. Nëse do të shohim rritjen ekonomike edhe gjatë pandemisë, vendet që e kishin të bazuar ekonominë e tyre tek sektorët primarë, që janë nxjerrja e mineraleve, bujqësia dhe ndërtimi ose paten rritje ekonomike të ulët, ose një rritje ekonomike si Kina, që shënoi 3.4 për qind. Kjo ishte rritja më e madhe ekonomike krahasuar me vendet e tjera.
CMG: Në parashikimin e tij për ekonominë e dytë të botës, atë kineze Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka rritur parashikimin për rritjen në 5.2 për qind në 2023, 0.8 pikë përqindjeje më shumë nga parashikimi i tij në tetor, pasi tha se rihapja e fundit e vendit ka hapur rrugën për një rimëkëmbje më të shpejtë se sa pritej. Si e analizoni ju këtë?
Dr. Enriko Ceko: Kur flasim për ekonominë kineze duhet të theksojmë se edhe në periudhën para pandemisë dhe pas pandemisë ka një qasje më reale të institucioneve ndërkombëtare ndaj ekonomive të kësaj natyre. Përveç kësaj më vjen mirë që ka një qasje dhe më reale edhe për qasjen politike, sociale apo kulturore. Po ta shohim me kujdes gjithë historinë botërore bota është zhvilluar duke patur parasysh përplasje të mëdha kulturore, sepse orientimi i vendeve ka qenë për mbijetesë. Tani jemi në një situatë tjetër që orientimi nuk është më për mbijetesë, por për bashkëjetesë. Ndaj nëse jemi të orientuar për bashkëjetesë, siç është filozofia kineze për fatet e përbashkëta të njerëzimit duhet të ketë më shumë realizëm për ngjarjet, situatat dhe lajmet.
Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për rritjen ekonomike të vitit 2023. Është shumë e rëndësishme të shikojmë projeksionin për vitin 2024 dhe 2025, sepse edhe ky projeksion është po në këto shifra, domethënë rreth 4.5 për qind deri në 5 për qind. Një projeksion i tillë për një periudhë 3 vjeçare, që është më i lartë se sa rritja ekonomike e periudhës së pandemisë që ishte rreth 3.4 për qind tregon që ekonomia kineze do të përbëjë një bazë solide për ekonominë botërore. Këtu bëhet fjalë për një ekonomi që është 1/6 e popullsisë botërore, është një popullsi në moshë të re dhe krijuese. Nëse shohim çfarë ndodhi gjatë pandemisë, njerëzit në përgjithësi u orientuan drejt inovacionit, krijueshmërisë dhe standardeve.
Gjatë periudhës së pandemisë për shkak të inovacionit, krijueshmërisë dhe aplikimit për patenta numri i bizneseve në Kinë nga 112 milion u rrit në 150 milion. Pra vetëm në dy vitet e pandemisë u krijuan 38 milion biznese të reja, pasi individi e pati mundësinë që të orientohej edhe në periudhën e mbylljes së kufijve për shkak të pandemisë. Kjo nuk është forcë vetëm e individit, por është forca e një ekonomie që funksionon. Nëse do të bëjmë një krahasim me Europën edhe ajo pati inovacion dhe krijueshmëri, por këtu u lidhën drejtpërdrejt me sektorin e shëndetësisë. Ndërkohë inovacioni në Kinë ishte për sektorin e shëndetësisë, por pjesa më e madhe e inovacionit dhe krijueshmërisë ishte drejt zinxhirit të furnizimit dhe tregjeve. Nëse shohim SHBA pjesa më e madhe e inovacionit dhe krijueshmërisë u lidh me teknologjitë, IT dhe ekonomitë digjitale, kurse pjesa tjetër me sektorin e shëndetësisë. Gjëja më e mirë që po ndodh në ekonominë botërore është që vendet që janë në zhvillim, Kina ka objektivin që nga 12 mijë dollarë për frymë t’i kalojë në 16 mijë dollarë për frymë, duke shkuar drejt nivelit më të lartë vendeve në zhvillim.
Shefja e FMN Georgieva( Foto Scan Tv)
CMG: Turizmi, që është një ndër motorët kryesorë të ekonomisë, pas një mbyllje afro 3 vjeçare për shkak të pandemisë, tashmë ka startuar në Kinë. A do të ndikojë kjo në rritjen e ekonomisë globale, duke patur parasysh që turistët kinezë përbëjnë numrin më të madh në botë?
Dr. Enriko Ceko: Kur flasim për turizmin që është i orientuar duhet të kemi parasysh që Kina ka dy qasje, që të thithë turistë brenda vendit për shkak të territorit të saj, diversitetit kulturor, atraksionit për sezonin e verës dhe të dimrit dhe nga ana tjetër janë turistët kinezë që dalin nëpër botë. Nëse shohim të dhënat e Organizatës Botërore të Turizmit është shumë interesant fakti që pjesa më e madhe e vendeve aziatike përfshirë dhe Kinën ishin vendet që aplikuan për standardet e turizmit gjatë periudhës së pandemisë, ndërkohë që një pjesë e mirë e vendeve perëndimore nuk u orientuan drejt turizmit të qëndrueshëm dhe me standarde, gjë që ndikoi në të ardhurat totale të turizmit. Në Kinë, pavarësisht se ishte periudha e pandemisë, turizmi i brendshëm funksionoi.
CMG: Sidomos me rastin e Vitit të ri kinez ka patur shifra marramendëse të turizmit në Kinë
Dr. Enriko Ceko: Organizata Botërore e Turizmit është shprehur gjatë gjithë kësaj periudhe për ecurinë e mirë të sektorit të turizmit në Kinë. Po të shohim destinacionet kryesore turistike dhe llojin e turistit kinez që del nga territori i vendit kemi të bëjmë me turistë që kanë njohuri për botën, një qasje drejt njohjes së kulturës së tjetrit dhe e krijon vetë destinacionin turistik sepse i ka mundësitë financiare. Me rritjen e të ardhurave nga 12 mijë në 16 mijë dollarë për frymë në vit kemi të bëjmë me një qytetar, i cili nuk mendon për të realizuar konsumin e sendeve të jetës së përditëshme, por një pjesë të mirë të të ardhurave mendon ta shpenzojë për të bërë biznes dhe për rekreacion, për të përmirësuar cilësinë e jetës.
Intervistoi Eda Merepeza