Ambasadori i Kinës në Tiranë, takim me ministren Margariti për bashkëpunimin kulturor
2023-02-10 10:39:14

Nxitja e shkëmbimeve të ndërsjella njerëzore dhe kulturore ishte në fokus të një takimi që ambasadori i Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, pati me ministren e Kulturës, Elva Margariti.

Në një postim në “Facebook”, ambasadori thotë se me ministren Margariti zhvilloi një bisedë të thellë mbi shkëmbimet dhe bashkëpunimin në fushën e kulturës midis Kinës dhe Shqipërisë dhe shpreh gatishmërinë për të forcuar komunikimin dhe bashkëpunimin me palën shqiptare.

“Unë jam thellësisht i frymëzuar nga sugjerimet e mrekullueshme të ministres. Ne jemi të gatshëm të forcojmë komunikimin dhe bashkëpunimin me palën shqiptare, të nxisim së bashku shkëmbimet e ndërsjella njerëzore dhe kulturore, për të pasuruar kulturën e larmishme të Shqipërisë, si dhe për të sjellë më shumë kënaqësi kulturore dhe artistike për miqtë shqiptarë”,- thuhet në mesazh.

Në postimin e tij, ambasadori shpreh gjithashtu besimin se viti 2023 do të jetë një vit i frytshëm për shkëmbime dhe bashkëpunime kulturore mes dy vendeve. (Elona)