Kina, tregu i katërt më i madh për verën spanjolle
2023-02-10 11:30:48

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kina është vendi i katërt më i madh për eksportet e verës të Spanjës me shitjet që rriten mesatarisht me 10 për qind në vit, raportoi të mërkurën Instituti Spanjoll për Tregtinë e Jashtme (ICEX).

Spanja aktualisht mban një pjesë 7 për qind të tregut kinez pas Francës, Australisë dhe Kilit, dhe një nga synimet e saj kryesore në vitet e ardhshme do të jetë rritja e kësaj shifre, tha për “Xinhua” Maria Naranjo, drejtoreshë e ushqimit, verës dhe gastronomisë në ICEX.

“2023-shi do të jetë një vit rindërtimi në tregun kinez sepse kanalet e shpërndarjes duhet të rivendosen në sektorin e mikpritjes, gjë që është thelbësore në mënyrë që verërat, veçanërisht ato cilësoret, të mund të gjejnë vendin e tyre”,- tha ajo.

“Verërat spanjolle po vlerësohen veçanërisht në tregjet aziatike”,- tha ajo, duke shtuar se pret që kthimi i fortë i turizmit kinez të veprojë si nxitës për shitjen e verërave spanjolle në tregun kinez.

Importuesit kinezë të verës spanjolle ndajnë optimizmin e Naranjos.

“Ekonomia kineze do të rimëkëmbet shumë shpejt dhe Kina ka një popullsi të madhe. Cilësia e verës spanjolle po përmirësohet dhe kështu mendoj se edhe shitjet do të rriten”,- tha për “Xinhua” Jane Zheng nga importuesi kinez i verërave “Wajiu” gjatë Javës së Verës në Barcelonë (BWW).

Rreth 70 për qind e eksporteve të verës të Spanjës janë të përqendruara në Bashkimin Europian (BE), por ritmet më të larta të rritjes janë në tregjet aziatike dhe të Amerikës Latine. Importuesit kinezë të verës ishin mes 1800 blerësve kryesorë të verës spanjolle nga e gjithë bota që morën pjesë në BWW midis 6 dhe 8 shkurtit.  (Elona)