Kancelari gjerman: NATO nuk duhet të jetë pjesë e konfliktit Rusi-Ukrainë
2023-02-10 11:54:33

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Pavarësisht ofrimit të ndihmës ushtarake për Ukrainën, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) nuk duhet të bëhet palë në konfliktin e vendit me Rusinë, tha të mërkurën kancelari gjerman Olaf Scholz.

Në një fjalim në Dhomën e Ulët të Parlamentit gjerman (Bundestag) përpara një takimi të posaçëm të Këshillit të Europës për të diskutuar konfliktin, Scholz paralajmëroi kundër një konkurrence publike për të mposhtur njëri-tjetrin, citon “Xinhua”. Sipas tij, kjo do të dëmtonte unitetin e Perëndimit.

“Ne e ruajmë dhe forcojmë këtë kohezion duke përgatitur vendimet në mënyrë konfidenciale para se t'i komunikojmë ato”,- tha ai, duke iu referuar vendimit të fundit të marrë nga Gjermania dhe SHBA-ja për dorëzimin e tankeve.

Për shkak të presionit në rritje ndaj Gjermanisë nga partnerët e NATO-s për të furnizuar Ukrainën me artileri të rëndë, qeveria gjermane vendosi në fund të janarit të dorëzojë 14 tanke Leopard 2. Përveç kësaj, më vonë u miratua eksporti i deri në 178 tanke më të vjetër Leopard 1.

SHBA-ja ndoqi shembullin menjëherë më pas, me presidentin Joe Biden që njoftoi dërgimin e tankeve të betejës Abrams në Ukrainë.

Megjithatë, ekspertët thonë se do të kalojnë muaj para se të dorëzohen tanket gjermane dhe amerikane.

Vyacheslav Volodin, kryetari i Dhomës së Ulët të Rusisë, paralajmëroi muajin e kaluar se furnizimi me armë perëndimore në Ukrainë do të çonte në hakmarrje me armë më të fuqishme.

Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përsëriti kërkesën e tij për më shumë armë, si dhe avionë luftarakë, gjatë një vizite në Londër të mërkurën. (Elona)