Studimi tregon se aziatikët në Kaliforni kanë më shumë frikë se bëhen viktima të dhunës
2023-02-10 11:43:31

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Banorët aziatikë në shtetin amerikan të Kalifornisë janë shumë më të shqetësuar se mund të bëhen viktima të dhunës me armë dhe krimeve të urrejtjes në krahasim me grupet e tjera racore dhe etnike, sipas një raporti nga Qendra UCLA për Kërkimin e Politikave Shëndetësore, cituar nga “Xinhua”.

Dy të tretat e aziatikëve të anketuar dhe një përqindje e ngjashme e banorëve vendas të Havait dhe të Ishujve të Paqësorit thanë se ishin shumë të shqetësuar ose disi të shqetësuar se mund të jenë viktima të dhunës me armë, një shifër dukshëm më e lartë se mesatarja 43 për qind e kalifornianëve të të gjitha racave, sipas raportit të publikuar të martën.

Ndërkohë, 49 për qind e të anketuarve hispanikë, 45 për qind e të anketuarve afrikano-amerikanë dhe 30 për qind e të anketuarve të bardhë thanë se ishin “shumë të shqetësuar” ose “disi të shqetësuar” për t'u bërë viktima të dhunës me armë, thuhet në raport.

Raporti citoi rezultatet nga një anketë, ku u intervistuan më shumë se 20.000 familje në Kaliforni.

Disa faktorë ka të ngjarë të kontribuojnë në nivelin më të lartë të frikës së aziatikëve nga viktimizimi i dhunës me armë, duke përfshirë raportet e krimeve të urrejtjes dhe incidenteve të urrejtjes kundër banorëve aziatikë gjatë pandemisë, sipas ekspertëve.

Hulumtimi i mëparshëm i bërë nga “AAPI Data” tregoi se amerikanët aziatikë prireshin të ishin mbështetësit më të fortë të kontrollit të armëve. (Elona)