Kreshnik Xhiku është euroskulptor dhe ka qënë drejtues i Fakultetit të Arteve Pamore në Universiteti i Arteve, në një periudhë dy vjeçare. Zhvillimet e artit bashkëkohor kanë shtruar një sërë sfidash ndaj krijuesve kudo në botë, duke mos përjashtuar as artistët tanë. Kreshnik Xhiku i përket një gjenerate artistësh, të cilët u formuan në fillimvitet 80-të, duke marrë më të mirën që formimi akademik i ofronte nga elita e krijuesve të asaj kohe, që përcillnin influencat artistike të shkollave ku kishin studiuar në Europë. Ai u bë pjesë e ekspozitave të para në vitet 80, duke u parë si një nga artistët që do zëvendësonte brezin e parë të krijuesve në mediumin e skulpturës.
Shpejt ai arrin të dalë në skulpturën e eksterierit, për të cilën ai krijon fizionominë e tij artistike. Pas viteve ’90, Kreshnik Xhiku bëhet një nga artistët vizualë më aktivë, duke fituar tre çmime në konkursin e arteve pamore “Onufri” dhe pjesëmarrës dy herë në Bienalen e Ankarasë. Në planin akademik, ai kthehet në një pikë referimi për studentët e Akademisë së Arteve, ku merr dhe detyrën e Dekanit të Fakultetit të Arteve të Bukura. Disa nga skulpturat më të bukura të tij sot janë në Tiranë, si dëshmi e një pune të përkushtuar, ndër të cilat Shtatorja e Ahmet Zogut. Për Grupin Mediatik të Kinës ai flet për jetën dhe arritjet brenda dhe jashtë vendit.
CMG: Si ka qenë fëmijëria juaj nëse mund të ndalemi fillimisht aty?
Kreshnik Xhiku: Një jetesë e bukur dhe gjithmonë kujtimet më shoqërojnë.
Jam rritur në qytetin e Sarandës, një qytet i bukur dhe i qetë dhe të gjitha kujtimet i kam nga ky qytet. Unë kujtoj vetëm gjëra të bukura brenda limiteve të kushteve që kishim në atë kohë. Saranda ka qenë një qytet shumë i bukur dhe duke qenë që ka pasur pak njerëz, ata njiheshin të gjithë me njëri-tjetrin dhe dyert e shtëpive rrinin të gjitha hapur. I kalonim ditët duke u larë në det dhe unë këtë gjë e kujtoj edhe tani, ditët kur kthehesha nga deti i freskët.
CMG: Ju jeni fëmijë i dy artistëve, por ata kanë pasur një profil tjetër. Çfarë këshillash u jepnin prindërit ?
Kreshnik Xhiku: Mendoj që është një gjë tepër e bukur dhe e shëndetshme kur rritesh në një familje të lumtur dhe me rregulla. Ata më kanë këshilluar gjithmonë, por jo të më kenë imponuar. Rregullat kanë rrjedhur natyrshëm. Këshilla prindërit të japin gjithë kohës, por ajo që më ka bërë familja mua dhe që është shumë e velfshme është që jam rritur me dashuri. Ata nuk kanë qenë artistë si unë në profesion, por artistë në zemër.
CMG: Si i kujtoni vitet e para të shkollës?
Kreshnik Xhiku: Në këtë bisedë dua të ndaj disa detaje pasi përbën për mua një nostalgji të madhe. Kujtoj me shumë dashuri mësuesit e mi të pare, që kanë lënë shenjë të mirë tek unë dhe tek të gjithë ata që i njohin në qytetin e Sarandës.
Unë mbaj mend që ndryshe nga sot, kishim një respekt shumë të madh për figurën e mësuesit. Ai për ne ishte gjithçka. Mezi e prisnim të vinte në mësim dhe mezi e prisnim edhe të na shpjegonte mësimin. Mbase duhet të tregoj që kam qenë edhe në një klasë sportive në atë periudhë. Ishin disa klasa të tilla dhe në Sarandë ka qenë shumë i zhvilluar noti dhe të gjithë merrnim pjesë.
Unë kam qenë në një klasë të tillë nga klasa e pestë dhe deri në klasën e tetë. Kujtoj që shkonim nëpër qytete për të bërë gara noti, madje me shumë nostalgji kujtoj që bëja gara noti edhe në liqenin e Tiranës.
CMG: Kur shihni kohën që kalon, a ju vjen keq për diçka?
Kreshnik Xhiku: Çdo njeri ka gjëra që mendon se mund t’i ketë bërë jo mire, ose që mund t’i bënte më mirë. Unë kam bërë edhe gabime si çdo njeri tjetër. Nuk gërmoj kurrë në të kaluarën se pse bëra diçka. Koha kalon nëpërmjet etapave dhe çdo gjë ka kohën e vet.
CMG:Kur e keni kuptuar ju që skulptura është apo do të jetë profesioni i jetës?
Kreshnik Xhiku: Në kohën e shkollës 8-vjeçare është zbuluar talenti im. Kishte në atë kohë një rreth pionerësh ku isha pjesë. Ka pasur shumë lloj aktivitetesh që mësonin të rinjtë. Mua më zgjodhën për vizitimin sepse disa shenja i kisha dhënë që vizatoja mirë. Aty ishte fillesa e parë. Ka një gjë pozitive në një sens kjo. Sot kur shoh që ka të rinj që nuk janë të vendosur tek ajo që bëjnë, por duhet të jenë të vendosur kur kuptojnë që janë të talentuar në diçka, duhet ta ndjekin. Unë vendosa të vij në Tiranë sepse më dukej shumë joshëse të isha këtu, pasi gjithçka e zhvilluar ishte këtu. Shkova në Liceun artistic dhe aty zuri fill gjithçka.
CMG: Cilët kanë qenë mësuesit më të mirë që ju kanë mbështetur?
Kreshnik Xhiku: Nuk mund të them vetëm një emër, pasi ka disa. Me njërin prej tyre, profesori që më maturoi si skulptor ishte Thoma Thomai, Hektor Dule, Andrea Mano etj. Unë ruaj për ta një konsideratë shumë të lartë, pasi përkushtoheshin shumë në gjithçka. Të jesh mësues është përgjegjësi e madhe dhe duhet ta përcjellësh atë me dinjitet, të njëjtën gjë kanë bërë edhe ata me mua.
CMG: Cila është puna juaj e parë, në skultpurë?
Kreshnik Xhiku: Unë kur kam mbaruar Liceun Artistik kam punuar në qytetin e Butrintit dhe kam një eksperiencë shumë të mire. Është kënaqësi kur shkon në muze dhe prek nga afër punimet. Isha një nga ata që punoja me skulpturat dhe i restauroja. Kisha një emocion shumë të madh dhe kjo ndjesia që më dha puna me skulpturat ishte shumë e madhe. Shpesh mendoja se si ka mundësi që prek skulptura mbi 2 mijë vjeçare. Ndjesia e atyre viteve ishte për mua një shkollë shumë e mirë. Arti figurativ është një botë e tërë dhe të edukon në çdo aspekt.
CMG: Në Tiranë janë disa nga skulpturat tuaja. Ndalemi tek disa prej tyre dhe cila është më e bukura?
Kreshnik Xhiku: Unë nuk mund të ndaj kush është më e bukura, pasi çdo vepër ka rëndësine e saj, e kam shumë të vështirë. Për mua është priviligj që ato janë aty, vepra jashtë tregon shumë. Unë kam kujtime shumë të mira nga realizimi i veprave. Publiku gjykon në bazë të rezultatit. Për herë të parë unë kam realizuar një bust të Faik Konicës në vitin 1995, pasi eshtrat e tij erdhën në Shqipëri, pasi ky ishte edhe amaneti i tij që të prehej në vendin e tij.
Ka qenë një realizim shumë i mirë, Unë këtë porosi e mora nga Ministria e Kulturës dhe punova gati dy muaj. Mendoj që është nje vepër shumë e mirë, paçka se jam autori dhe e kam të vështirë të flas për veten. Vijon të ketë mbi 30 vite që ai qëndron aty dhe jam krenar për këtë vepër. Kam bërë një vepër tjetër në Tiranë që është vepra e Mbretit Zog. Është një statujë në këmbë, e realizuar në vitin 2012, me rastin e pavarësisë. Është bërë një konkurs nga Ministria e Kultrës dhe në atë periudhë u bënë disa projekte, një ndër to edhe mbreti Zog.
Vjen një moment në jetë që gjithçka që ti ke punuar për një kohë të gjatë, kurorëzon punën dhe unë kështu ndihem tani. Kam edhe shumë punë të tjera dhe jam i lumtur për këtë sukses që ka ardhur pas një pune shumë të gjatë. Suksesi që i qëndron kohës vjen pas shumë vitesh.
CMG: A ka diçka për të cilën jeni duke punuar?
Kreshnik Xhiku: Kam shumë vite që po përgatitem për një ekspozitë, e cila do të vijë për publikun në prill. Punët e mia vijnë gjithmonë pas një kohe të gjatë përgatitje.
Intervistoi: Megi Latifi