Qeveria shqiptare miraton marrëveshjen për udhëtimin pa viza në Kinë
2023-02-09 10:21:04

Këshilli i Ministrave ka miratuar dy marrëveshje të rëndësishme për udhëtimin pa viza të shtetasve shqiptarë në Republikën Popullore të Kinës dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, duke shprehur bindjen se qeveria do të zgjerojë hartën e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë, shkruan “RTSH”.

“Në mbledhjen e qeverisë kemi kaluar dy marrëveshje që shtojnë numrin e vendeve ku shtetasit shqiptarë udhëtojnë pa viza, me Republikën Popullore të Kinës dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Këto marrëveshje do të krijojnë lehtësi të shtuara për të gjithë ata që duan të udhëtojnë në këto vende, të cilët pas hyrjes në fuqi të marrëveshjeve nuk do të kenë më nevojë për viza. Këto janë dy vende me të cilat kemi marrëdhënie të qenësishme ekonomike dhe kjo lëvizje pa viza do të sjellë vetëm të mira. Po punojmë për të fuqizuar pasaportën shqiptare dhe zgjerimin e hapësirës ku shqiptarët do të udhëtojnë pa viza. Proces që kërkon kohë dhe kujdes, por po jep rezultate konkrete. Do të zgjerojmë hartën ku qytetarët shqiptarë të lëvizin lirisht”,- deklaroi ministrja Xhaçka. (Irma)