CMG-ja: Përballë tërmeteve të fuqishme, duhet ulur "shkopi amerikan"
2023-02-09 17:36:20

foto nga CMG

Pamja e Sirisë pas tërmeteve / foto nga CMG

Të hënën, në kufirin midis Turqisë dhe Sirisë ranë dy tërmete të fuqishme. Sipas statistikave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë të Sirisë, tërmetet kanë shkaktuar 1 250 të vdekur e 2 054 të plagosur në zonën e kontrolluar nga qeveria siriane. Vetëm në qytetin Alepo u rrëzuan afro 50 ndërtesa. Numri i viktimave ka mundësi të shtohet më tej.

Për popullin sirian, që ka vuajtur gjatë nga lufta dhe kriza humanitare, tërmetet e fuqishme e kanë përkeqësuar më tej situatën e vendit. Shpëtimi është puna më e ngutshme pas tërmetit, por Siria ndodhet përpara vështirësive të ndryshme.

Minsitria e Jashtme siriane vuri në dukje se, si pasojë e sanksioneve të gjata nga ShBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore, ka mungesa të mëdha të pajisjeve të shpëtimit në vend dhe punonjësit e shpëtimit duhet të shpenzojnë dyfishin e kohës , ndërsa banorët e thjeshtë gërmojnë rrënojat me dorë.

Duhet ulur "shkopi amerikan", komentoi Grupi Mediatik i Kinës në një artikull të tij.

foto nga CMG

Khaled Hboubati, përgjegjësi i Gjysmëhënës së Kuqe të Sirisë në një konferencë shtypi / foto nga CMG

Studiuesja Emma Beals nga Instituti i Lindjes së Mesme, një institut i studimit të politikave me seli në Uashington, vuri në dukje se transporti i materialeve të ndihmës u vonua si pasojë e dëmtimit serioz të rrugëve për në Siri. Ndërsa Khaled Hboubati, përgjegjësi i Gjysmëhënës së Kuqe të Sirisë, tha në një konferencë shtypi: "Si pasojë e bllokimit dhe sanksioneve, autokolonat e transportit të materialeve dhe të shpëtimit nuk kanë as karburant."

Përballë gjendjes aq urgjente, Gjysmëhëna e Kuqe e Sirisë, Komiteti kundër Diskriminimit Amerikan-Arab dhe organizata të tjera u bënë thirrje ShBA-së dhe vendeve të tjera perëndimore të heqin sa më parë sanksionet e njëanshme ndaj Sirisë, për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës humanitare në atë vend. Por  zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price tha qartazi se pala amerikane do të ofrojë ndihmë vetëm ndërmjet "partnerëve humanitarë vendës" dhe nuk pranon të kontaktojë me qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Asad.

ShBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore kanë vendosur për një kohë të gjatë sanksione ndaj Sirisë. Veçanërisht Akti "Caesar", i shpallur në qershor 2020 nga ShBA-ja për sanksione të njëanshme ndaj Sirisë, përfshin pothuajse të gjitha fushat ekonomike të Sirisë, si edhe të gjitha ndërmarrjet e individët e huaj që kanë lidhje me qeverinë siriane. Kjo ka shkaktuar krizën më serioze ekonomike e shoqërore në Siri. Mohamed Mario, ekspert i çështjeve të Sirisë, vuri në dukje se sanksionet ekonomike të vendeve perëndimore me ShBA-në në krye, i kanë penguar banorët vendës të kenë sigurinë bazë të jetesës dhe kanë dobësuar edhe aftësinë e sektorëve publikë të këtij vendi në shërbimet bazë, si energjia, uji etj.

Rrënoja pas tërmeteve në Siri/ foto nga CMG