UNESCO ofron ndihmë për zonat kulturore të goditura nga tërmeti në Turqi e Siri
2023-02-09 11:09:46

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Organizata kulturore e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, bëri të ditur se do të ofrojë ndihmë pas dëmtimit të vendeve kulturore në Turqi dhe Siri për shkak të tërmetit të fuqishëm të së hënës me magnitudë 7.8 ballë.

Pas një studimi fillestar të dëmeve, UNESCO shprehu shqetësim për situatën në qytetin antik të Aleppos, i cili është në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, shkruan “RTSH”.

“Kulla perëndimore e murit të vjetër të qytetit është shembur dhe disa ndërtesa janë dëmtuar”, bëri të ditur UNESCO-ja.

Po ashtu edhe në qytetin turk të Dijarbakırit janë shembur disa ndërtesa. Në qytet ndodhet trashëgimia botërore Kalaja e Diyarbakırit dhe peizazhi kulturor i Kopshteve Hevsel, një qendër e rëndësishme e periudhave romake, sasanide, bizantine, islame dhe osmane.

UNESCO-ja njoftoi se po mobilizon ekspertët për të krijuar një inventar të saktë të dëmeve me qëllimin e sigurimit dhe stabilizimit të shpejtë të këtyre vendeve.

Mijëra persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra mijëra të tjerë janë plagosur pas një tërmeti me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën. Mijëra ndërtesa u shembën në të dy vendet dhe agjencitë e ndihmave janë veçanërisht të shqetësuara për Sirinë veriperëndimore, ku më shumë se 4 milionë njerëz tashmë po mbështeteshin te ndihma humanitare. Tërmeti, një nga më të fortët që është regjistruar në rajon në më shumë se 100 vjet, goditi 23 kilometra në lindje të Nurdagi, në provincën Gaziantep të Turqisë, në një thellësi prej 24.1 kilometrash. (Irma)