Ekspertët, thirrje për shtim të financimeve për fermerët
2023-02-09 14:50:01

Mbjellje në bujqesi (Foto Agroweb)

Mbjellje në bujqesi (Foto Agroweb)

Një nga kategoritë që has më shumë vështirësi për të marrë kredi apo përthithur financime, janë fermerët. Kjo ka disa arsye, qoftë me mos përmbushjen e kritereve që kërkojnë bankat, qoftë me mungesën e informimit për mënyrat që ofrohen nga bankat e nivelit të dytë apo nga institucione të tjera financiare. Në një intervistë për mediat Kamber Kasollari, ekspert në financimin me grante dhe kredi te agrobiznesit thotë se shifrat e financimeve janë tepër minimaliste dhe ka mundësi për zgjerim të mëtejshëm.

“Aktualisht që flasim, financimet e fermerëve nuk janë aty ku ne presim, aty ku duhet. Ata zenë rreth 2% të totalit të kredive që kanë dhënë dhe nëse bëj një krahasim me kontribtin që jep bujqësia në prodhimin e brendshëm kombëtar. Ky sektor jep deri në 20 % kontribut, ndërkohë që merr financim më pak se 2 %, pra këtu ka potencial të lartë për t’u financuar dhe kredituar. Bankat gjithashtu vitet e fundit kanë filluar të kthejnë vëmendjen tek ky sektor, sepse vërejnë një potencial si për fermerët, turizmin dhe agroturizmin.  Ato kanë filluar vitet e fundit të krijojnë departamente të caktuara për t’i shërbyer këtij sektori, por ka akoma më shumë punë për  të bërë si nga ana e bankave dhe e trajnimeve, ashtu dhe nga ana e fermerëve, për t’u informuar në këtë drejtim.”- shprehet Kasollari.

Sinjalet janë pozitive pasi kërkesat kanë ardhur në rritje.

Puna në ferma (Foto Agroweb)

Puna në ferma (Foto Agroweb)

“Kërkesat janë në rritje, sidomos për agroturizmin. Vitet e fundit ka filluar një lëvizje dhe kërkesë e lartë për të investuar në agroturizëm, pasi e shikojnë si sektor dhe si proces për të ardhmen, që ka potencial. Konsumatorët janë drejtuar drejt këtij  aktiviteti, por e preferojnë edhe turistët që vizitojnë Shqipërinë, të cilët i vizitojnë shpesh fermat agroturistike, agroturizmin dhe interesi është në rritje. Prandaj shoqërohet me një kërkesë  të madhe për t’u financuar dhe për të përfituar edhe nga skemat e  granteve”

Eksperti flet konkretisht për problemet që hasin fermerët sa i takon pengesës në aplikime.

“Vështirësitë kryesore lidhen me dokumentat, me kolateralin, me certifikatat e pronësisë dhe me formalizimin. Gjithmonë ndeshen me këto procedura, me vështirësitë në nxjerrjen e një certificate pronësie. Nga ana e bankave gjithashtu është vërejtur kjo pasi siç dihet në Shqipëri toka është e parcelizuar, nuk janë në të njejtin vend dhe mungojnë edhe dokumentat e pronësisë. Megjithate vitet e fundit kanë filluar lëvizjet nga ana e fermerëve dhe  e bankave për t’u informuar, por nevojitet më shumë punë në këtë drejtim”- shprehet ai.

Bankat tani po aplikojnë edhe forma garancie për t’u ardhur në ndihmë fermerëve.

“Po është mungesa e dokumentave të pronësisë, të certifikatave të pronësisë dhe vlera e tyre e ulët. Kur banka bën një vlerësim ndeshen me vështirësi pasi vlerësohet në vlerë më të ulët se sa janë kërkesat e bankave. Një zgjidhje është gjetur siç janë fondet e garancisë, që disa banka kanë filluar të aplikojnë. Kemi aktualisht disa fonde garancie që janë në dispozicion të fermerëve, fondet e garancise nga BERZH, KFV, në bashkëpunim edhe me qeverinë shqiptare, por duhet gjithmonë nga ana e bankave që të promovohen dhe të informohen si stafi i bankave edhe fermerët, të cilët mendojnë që nuk e kane një kolateral dhe nuk mund ta përfitojnë një kredi. Por janë fondet e garancisë ato që mund t’u vijnë në dispozicion, për të ndarë rriskun dhe për të arritur financimin e nevojshëm.”

Për t’i qëndruar afër fermerit kompania Business solution ofron edhe konsulenca për fermerët dhe në agroturizëm.

“Ne aktualisht bëjmë konsulencë për bankat, për fermerët, për agroturizmin. Në bashkëpunim me USAID, kemi krijuar  disa produkte apo konsulencë me ekspertë lokalë dhe të huaj, për të konsultuar bankat, për të krijuar departamente të veçanta, për të krijuar produkte të reja për financimin e agrobiznesit dhe për t’u ardhur në ndihmë. Pas pandemisë nevojitet të krijohen disa produkte të reja nga bankat, jo ato tradicionalet por ka nevojë edhe për produkte të reja, për të rritur më shumë financimin, i cili në dekadën e fundit ka ngelur 2% për bujqësinë”, theksoi eksperti

Sipas tij nevojiten më shumë alternativa.

Kamber Kasollari (Foto Linkedin)

Kamber Kasollari (Foto Linkedin)

“Nevojiten më shumë produkte të reja, alternativa të reja për të rritur financimet nga ana e fermerëve. Ne kemi marrëveshje me të gjitha bankat për t’i orientuar fermerët në ato banka të cilat i financojnë më shpejt, kanë më pak procedura, produkte më automatike, per t’u ardhur në ndihmë por edhe në institucionet financiare, të cilat i shikojmë fleksibël në këtë drejtim. I orientojmë fermerët drejt bankave që kanë më afër, që kanë akses në zonat ku operojnë.”- shton Kasollari.

Fermerët kanë nevojë për asistime edhe gjatë aplikimit për projekte të ndryshme si Ipard.

“Ajo që është më kryesorja lidhet tek cilësia e aplikimit. Ne në krah të Business solution i orientojmë fermerët që të kenë  cilësi në aplikim që  të behet sa më cilësor dhe të aplikojnë sa më herët, të marrin masat për t’u bërë gati me dosjen më herët se sa vjen procesi i aplikimit. Marr shkas meqë  së afërmi fillon edhe thirrja e granteve të IPARD, ndaj fermerët duhet të përgatisin dosjen me dokumente për të qenë të parët për të aplikuar”, vuri në dukje ai

Të rinjtë janë më të interesuar për të investuar në agroturizëm.

Konsulencë fermerëve (Foto Linkedin)

Konsulencë fermerëve (Foto Linkedin)

“Në pjesën më të madhe të drejtimit të aktiviteteve të agroturizmit janë të rinjtë. Ata marrin iniciativën sepse e shohin si një sektor të ri agroturizmin dhe fermat agroturistike. Miksimi midis fermës dhe turizmit po bëhet një trend për të rinjtë. Nga ana tjetër dhe pikët në klasifikim ndikojnë që sipërmarrësit e rinj të përfitojnë më tepër grante”

Ekspertët bëjnë thirrje që bankat t’i japin më shumë fokus financimit të fermerëve, pasi potenciali i tyre është i lartë.