Gazment Suku pasionin për muzikën nuk e ka mbajtur kurrë për vete, por e ka ndarë në mënyrën më të bukur, me qytetarët nëpër rrugët e Tiranës. I shoqëruar nga kitara e tij Gazmenti interpreton këngë të muzikës së lehtë shqiptare dhe të huaj. Të bërit art dhe muzikë në rrugë, në çdo stinë të vitit dhe përgjatë ditës tërheq vemendjen e qytetarëve, duke u përcjellë artistit emocione të veçanta. Me tinguj të gjallë muzikorë dhe zërin e veçantë Gazmenti ka gjallëruar rrugët e kryeqytetit. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për pasionin që ka për muzikën dhe artin e tij në rrugët e kryeqytetit.
CMG: Kur keni filluar të interpretoni në rrugë ?
Gazment Suku: Unë kam nisur para katër viteve të bëj muzikë në rrugë, duke shfaqur talentin tim, por dhe duke kënaqur njerëzit në çdo vend të Tiranës. Unë performoj tek Pedonalja, Liqeni i Tiranës dhe dëshiroj që t’i kënaq sa më shumë njerëzit.
CMG: Keni bërë kurs për kitarë, apo e keni mësuar vetë?
Gazment Suku: Kurs nuk kam bërë, por kitaren e kam mësuar me një libër nga disa të huaj dhe dikush më dhuroi një kitarë. Unë kisha dhe një libër për mësimin e kitarës, por tregonte më shumë teorinë e kitarës. Unë nuk e kuptoja mirë sepse libri ishte në anglisht, por i mësova akordet e saj sepse kisha shumë qejf.
CMG: Muzikën e keni pasur pasion që në moshë të vogël?
Gazment Suku: Unë që kur kam lindur këndoja dhe i bija tavolinës sepse kam pasur shumë dëshirë të këndoja dhe ëndërroja të isha një këngëtar në të ardhmen. Muzika ëshë pasion, duhet edhe emocion por dhe optimizëm që mos të të vrasë ty muzika, por ti ta bësh muzikën të jetë e butë si për vete ashtu dhe tek njerëzit.
CMG: Nuk keni pasur mundësi që të vazhdoni studimet për muzikë?
Gazment Suku: Unë më përpara kam bërë shkollën profesionale për hidraulik dhe kam jetuar në situata të ndryshme, por jeta më ka bërë të mësoj nga këshillat e njerëzve që të kisha një zanat, si ka qenë dikur. Pavarësisht talentit dhe pasionit që kam pasur, jam munduar që të arrij qëllimin që unë dua, pra ëndrrën që kam në sirtar ta shfaq si drita. Unë dua të tregoj talentin tim, duke menduar që Zoti ma ka dhënë këtë talent, pse mos ta shfaq te njerëzit. Kam marrë pjesë dhe te “Voice of Albania” në vitin 2016, ku ka qenë një emocion i veçantë. Aty kam marrë shumë këshilla dhe trajnime nga mësues dhe kantautorë, të cilët më kanë mësuar se si të këndoj më mirë.
CMG: Cili është repertori juaj muzikor gjatë kohës që performoni në rrugët e Tiranës?
Gazment Suku: Këndoj këngë të lehta shqiptare dhe këngë të huaja, sipas preferencave të njerëzve. Unë i përshtatem brezave të ndryshëm, që nga të vegjlit, të rinjtë dhe brezi i mesëm. Pra, vendos edhe këngë për fëmijë sepse bëj dhe përshëndetje.
CMG: Si i mësoni këngët që ju performoni në rrugë?
Gazment Suku: Këngët zakonisht i mësoj përmendësh, disa i bëj me nota, por i këndoj dhe karaoke sipas programit të muzikës që bëj.
CMG: Është kjo një punë fitimprurëse për ju?
Gazment Suku: Kjo është një punë fitimprurëse, por varion sipas situatës ekonomike. Këngëtari kërkon të bëjë diçka për publikun që ta kënaqë dhe vjen shpërblimi, sepse njerëzit më vlerësojnë vetë, unë nuk i imponoj.
CMG: Në cilat vende dilni zakonisht për të performuar muzikë?
Gazment Suku: Unë performoj muzikë tek Pedonalja, Liqeni Artificial dhe në qendër të Tirnanës, por më shumë fokusohem në Pedonale.
CMG: Ka pasur raste që njerëzit janë bashkuar për të kënduar bashkë me ju?
Gazment Suku: Kanë qenë të rinj, nxënës dhe studentë që kanë ardhur të këndojnë dhe unë i kam lënë ata që dinë të këndojnë. Unë mundohem që të jem miqësor me njerëzit sepse duke krijuar këtë lloj respekti, i bëj njerëzit të jenë me të vërtetë të kënaqur me atë që duan të bëjnë, të këndojnë, të shprehin diçka apo dhe përshëndetje.
CMG: Keni dëshirë që të realizoni ndonjë këngë dhe ta publikoni në kanalin YouTube?
Gazment Suku: Unë kam kanalin tim të Youtubit dhe mundohem që të bëj imitime të këngëve, që në anglisht quhet cover. Kam bërë këngë shqiptare, por disa këngë nuk mund t’i bëj dot pa lejen e autorit. Unë mundohem që të marr leje te autorët e këngëve për të qenë sa më transparent me gjërat.
CMG: Keni ndonjë këngëtar idhull në muzikën shqiptare apo dhe të muzikës botërore?
Gazment Suku: Mua nuk më pëlqen ta them idhull, por preferencë. Më pëlqen Ardit Gjebrea si dhe tenori Kastriot Tusha. Ndërsa nga këngëtaret e muzikës popullore më pëlqen Valbona Mema dhe Artiola Toska sepse më kërkojnë dhe njerëzit këngë popullore dhe unë i përshtatem.
CMG: Arti i rrugës është shumë i njohur në botë, ku ka muzikantë që luajnë në rrugë për publikun. Sa i vlerësuar është arti që bëhet në rrugë këtu në vendin tonë?
Gazment Suku: Këtu është pak e vështirë, duke e krahasur me artin në rrugë në vende të tjera mendoj se është krejt ndryshe sepse atje ka rregulla, duhet të paguash vendin, duhet të marrësh leje për të qenë korrekt me shtetin. Unë paguaj diçka te vendet që performoj për të qenë korrekt, por që në të gjithë botën lejohet muzika në rrugë. Unë mundohem të përshtatem që të bëj muzikë, të jetoj si gjithë të tjerët duke krijuar të ardhura për jetën time me anë të talentit që kam për muzikën.
CMG: Ju këndoni dhe këngë të huaja, por a do kishit dëshirë të shkoni në një vend të huaj për të performuar muzikë në rrugë, që të kishit më shumë përfitime ?
Gazment Suku: Unë kam qenë në Greqi ku kam performuar në një zonë afër Akropolit në Athinë dhe ka qenë një eksperiencë e bukur. Aty ishte një amerikan që fliste greqisht dhe anglisht dhe unë e pyeta nëse mund të këndoja me kitare, dhe ai më ftoi për të luajtur një pjesë. Unë këndova dhe aty u mblodhën disa njerëz, por nuk bëra ndonjë performancë të madhe sepse kisha shkuar në Greqi për festë, i ftuar nga njerëzit e mi të afërt. Gjithësesi më pëlqen të shkoj edhe jashtë Shqipërisë si Greqi apo Itali.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Gazment Suku: Unë i përshëndes të gjithë dhe ju uroj begati dhe harmoni në familjet tuaja.
Intervistoi: Gazmned Agaj