Historia e këngës Hajredin Pasha
2023-02-08 09:51:11

Në Dibër, populli ngjarjet historike i ka përjetësuar në këngë. Të parët tanë, të cilët nuk dinin shkrim e këndim, nëpërmjet këngëve ruanin historinë. Një pjesë e tyre, gjatë kohës, humbën aktualitetin, u zbehën e mbetën rrugës. Por, në Dibër e jashtë saj, është një këngë që nuk harrohet. Kjo këngë, për 170 vite me radhë, ka ruajtur freskinë, duke u kënduar nga brezi në brez. Është një këngë që, edhe brezat e sotwm, kur e dëgjojnë, krenohen me të kaluarën e parëve të tyre. E kjo është kënga e famshme që i kushtohet luftës kundër gjeneralit famëkeq turk, Hajredin Pashës, më 1844.

Historia tregon se Hajredin Pasha, komandant turk, pësoi disfatë në luftë me shqiptarët, në mesin e shekullit XIX.  Në betejën e vitit 1844 kundër ushtrisë turke, qw udhwhiqej nga Hajredin Pasha, e gjithë Dibra luftoi me heroizëm e me një vendosmëri të madhe, sa që edhe gratë e fëmijët qenë të rreshtuar me luftëtarët e lirisë dhe pavarësisë. Përballë forcave numerikisht të shumta turke dhe të pajisura me artileri luftonin dibranët të vendosur për të mbrojtur Dibrën.

Nga mesi i shekullit 19-të Perandoria Turke shpalli Reformat e Tanzimatit, sipas të cilave viset shqiptare do të qeveriseshin nga qeveritarët turq, shqiptarët do të jepnin nizamë, do të paguanin taksa etj. Këto reforma centralizuese ishin përpjekje e Portës së Lartë për të përjetësuar sundimin turk mbi Shqipërinë. Këto masa ishin në kundërshtim me natyrën vetëqeveriseshe të Maleve të Dibrës, të cilat ishin përjashtuar nga shërbimi ushtarak dhe nga taksat. Prandaj këto reforma u kundërshtuan me forcë, kundërshtim që arriti kulmin me kryengritjen e përgjithshme, më 1844. Porta e Lartë e dinte se dibranët do ta kundërshtojnë Tanzimatin, prandaj punën e mori seriozisht në dorë vetë Sulltani. Për këtë qëllim në Dibër dërgoi Hajredin Pashën me forca të shumta ushtarake që, me çdo kusht, me zjarr e me hekur, të nënshtronte Malësinë e Dibrës. Me të marrë vesh ardhjen e ushtrisë turke, Mustafa Shehu i Zerqanit, lajmëroi të gjithë krerët e Dibrës të asaj kohe, të cilët organizuan të gjithë malësorët që, si një ortek i fuqishëm, u grumbulluan në Fushë të Gjoricës e te Kalaja e Homeshit. Filloi një luftë legjendare, e cila tronditi më shumë themelet e sundimit osman në Shqipëri.

Kjo kryengritje është pasqyruar edhe në dokumentacionin e kohës. Por tabloja e kësaj lufte mbarëpopullore do të ishte e paplotë pa krijimtarinë gojore të popullit. Vlera e këngës popullore kushtuar kësaj lufta legjendare është e madhe. Kënga e Hajredin Pashës është një dokument i gjallë i historisë së kohës që pasqyron. Teksti i këngës sot ka  shtatë versione të ndryshme, por të ngjashme mes tyre, për shkak se është trashëgimí gojore shumëvjeçare. Kënga ka të paktën 170 vjet që këndohet në viset e Shqipërisë verilindore.

Të shtatë variacionet e kësaj kënge, paraqesin tablo të gjalla dhe skalisin figura luftëtarësh që u dalluan, në këtë ngjarje kulmore. Le ta tregojmë ngjarjen nëpërmjet këngëve. Hajredin Pasha me 12 taborë, me oficerë e jeniçerë (kalorës), i pajisur me xhephane (armatim), niset drejt Dibrës. I lodhur nga rruga e gjatë prej Anadolli, u fut në Grykën e ngushtë të Radikës. I hipur mbi kalë, mendonte për Malet e Dibrës.

Por, në këtë kohë, ishte dhënë kushtrimi mbarëpopullor, për rrezikun që i kanosej vendit dhe popullit nga kjo ushtri dhe qe mbledhur në Kuvendin e Madh. Me shpejtësi të çuditshme, malësorët, te drejtuar nga prijësit e tyre, u grumbulluan pranë Drinit. Hajdredin Pasha qe përqendruar afër qytetit të Dibrës. Fusha e Dibrës ishte mbushur me çadra të panumërta. Asqerët turq kishin marrë urdhër të hapnin llogore pranë Drinit. Por malësorët ishin të vendosur për të mbajtur vatanin e vet.

Me gjithë forcën e madhe që kishte, Pasha ua kishte frikën malësorëve. Prandaj ai kërkoi një delegacion për bisedime, ku i ftoi malësorët të hiqnin dorë nga kundërshtimi dhe t’i bindeshin Sulltanit. Dibranët nuk pranojnë, prandaj pashai fanatik, armik i shqiptarëve, jep urdhër të kthehen topat drejt malësive, ku zhvillohet një betejë e ashpër. Duke lexuar vargjet e këngës, duket se je në një epos legjendar. Janë fshatarë të thjeshtë që sakrifikuan për mbrojtjen e vendit.

Populli në këngë ngre lart trimëritë e heronjve dibran, ndërsa në anën tjetër flet fjalë ofenduese për Pashain e huaj, që erdhi me bujë dhe iku i vetmuar. Erdhi për të marrë lavdi, por iku i turpëruar.

Kjo këngë qëndron si kurorë e lavdishme e Dibrës, ku këndohet nga të gjithë, të moshuar dhe fëmijë. Kjo ndodh për vetë motivin, melodinë që është e kapshme dhe mbi të gjitha për tekstin patriotik, kjo falë mjeshtërisë së artistit popullor Haziz Ndreu. Ishte viti 1957 kur ai redaktoi tekstin dhe punoi muzikën me një orkestrë prej 6 çiftelish dhe e regjistroi në Radio Tirana. Pra, i pari dhe ai që i dha origjinalitetin e kësaj kënge, që të mbush me emocione në çdo rresht të saj, është mjeshtri i madh ppopullor, Haziz Ndreu.

Çdo dibran, me të drejtë krenohet me bëmat dhe qëndresën e paraardhësve të vet. E tillë është edhe kjo këngë, që jo më kot konsiderohet si pasaporta e çdo dibrani.

Neritana Kraja